“Vera e Ohrit” vjen ndryshe

“Rruga drejt magjisë”, kjo do të jetë motoja me të cilën do të zhvillohet Festivali i sivjetshëm “Vera e Ohrit”. Edicioni i 57-të vjen me logo të re, por edhe selektorë të rinj, shkruan gazeta KOHA. Performancat muzikore do të dominojnë skenën e sivjetshme, duke shënuar shifra rekord prej 38 shfaqjesh muzikore dhe prezencën e mbi 270 artistëve nga bota. Drejtuesit e festivalit gjatë prezantimit të pjesshëm të programit si eventin më të rëndësishëm veçuan pjesëmarrjen e grupit muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, të cilët do të hapin festivalin në skenën e Teatrit Antik Mes emrave të tjerë të njohur do të jetë violinisti i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli. Propozimi për Dolin ka ardhur nga Komisioni i muzikës në Ministrinë e Kulturës, për shkak se prej disa vitesh artistët shqiptarë me renome botërore kanë munguar në këtë festival. Performacat që mbahen mend janë ato të disa viteve më parë nga violinisti Tedi Papavrami, apo sopranoja Inva Mula. Krahas tyre kanë marrë pjesë edhe artistë dhe grupe më të vogla muzikore nga Shqipëria apo Kosova, ndërsa prezantimi i kulturës shqiptare ka qenë i reduktuar në maksimum, me përjashtim të artistëve shqiptarë dhe trupave teatrore nga vendi. Pas dhjetë vitesh “Vera e Ohrit” ka ndërruar dy selektorët, solisti i Operës dhe Baletit, Gjorgji Cuckovski është selektori artistik i pjesës së muzikës, ndërsa aktori i Teatrit të Dramës Zoran Llutkov është selektori artistik i pjesës së dramës. “Festivali do ta ruajë muzikën klasike, si vulën e saj kryesore, por do të pasurohet edhe me zhanre të tjera, megaspektakle dhe ansamble botërore që për herë të parë performojnë në Ballkan. Pas hapjes së festivalit me xhaz spektaklin do të vijojnë edhe mbrëmje xhazi, Simfoni Rok, orkestra kamertale nga Kina, por edhe artistë vendas si Blerim Grubi…, e të tjerë. Për herë të parë do të kemi 38 shfaqje muzikore dhe synimi ynë është ”, ka thënë për KOHA, Cucovski. Programi këtë vit është shpallur tre muaj përpara fillimit me qëllim promovimin e këtij aktiviteti. Selektorët kanë paralajmëruar se këtë vit është parashikuar edhe programi – off me koncerte dhe ekspozita e cila do të shpallet më vonë. Sa i takon pjesës së dramës elektori Zoran Lutkov ka potencuar se do të marrin pjesë katër teatro vendase, si edhe katër shfaqje nga teatro të huaja. Teatri Shqiptar i Shkupit ende nuk dihet se me cilën shfaqje do të marrë pjesë, por ashtu siç pohojnë nga ky institucion do të prezantohen me një prej shfaqjeve më të fundit që do të realizojnë. Ndërsa teatrot e tjerë që i kanë përcaktuar shfaqjet, do të jenë Teatri i Komedisë, Teatri Turk, Teatri i Manastirit dhe i Velesit. Nga teatrot e huaja do të jenë të ftuar Teatri kamertal i Sarajevës, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Festivali “Vera e Ohrit” zgjat 40 ditë dhe zhvillohet gjatë muajve korrik-gusht, ndërsa manifestimet do të zhvillohen në tre skena, atë të Teatrit antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë.StrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...