Vetëm, vetëm dallavera!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar! Vetëm, vetëm dallavera…

Nga Nazim RASHIDI

E dini atë ndjenjën kur doni të thoni shumë, por mllefi, zemërimi, zhgënjimi nuk ju lënë e ngecni në përpjekje. E ashtu, ashtu ndihem para kompjuterit me gjithë çka ngjet ditëve të fundit, e dua të flas, po ngec. Më rrotulloheshin shumë fjalë në fakt, si “pangopësi”, “mashtrues”, “gënjeshtar”, “grabitqar”, “milioner brenda natës”, “kolltuk”, “gjithçka për pushtet”, “ryshfet”, “policë”, “zyrtarë” “sekretarë”, “hoxhallarë”, “ndikime të huaja”, “të paditur”, “matrapaz”, “besimtarë të rrejshëm”, “vuajtjet e varfanjakëve”, “tradhtitë”, “miqësi me të huaj për interes”, “vuajtja e të mirit”, “mbisundim i të paaftit”, “jetesa e mirë e batakçiut”, “milioner brenda natës”, “dallavera”…. a po… “dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’, vetëm, vetëm dallavera…”

Por po, po, ky është ai pështjellim. Gjendje e njohur, fjali të njohura. Është neveria nga përsëritja e gjendjes sonë. E kemi parë e kemi dëgjuar, me vite, me qindravite dhe s’paskemi mësuar gjë. Qenka e gjitha një përsëritje, një makth i keq që përsëritet, e ku ne s’kemi mësuar gjë. Prandaj dhe më duken fjalët e njohura dhe ngec se s’dua t}i përsëris. Refuzoj. Po pra, janë si ato, të njëjtat si një shekull më parë që i ka thënë ndër të tjerë Ali Asllani.

Çfarë zhgënjimi, jetojmë të njëjtën mendësi, pangopësie, paturpësie, injorance dhe mungese dëshire për përparim të përbashkët. Më shumë se 100 vjet më pas, Ali Asllani ende vlen sikur të flasë për sot. Dallavera, vetëm, vetëm, dallavera… Ja lexojeni:

HAKËRRIM

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

* * *

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

* * *

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,

ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

* * *

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,

ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanticomevuole!

* * *

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’

dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,

në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

* * *

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,

ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,

ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrotekullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

* * *

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

* * *

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

* * *

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…

Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

* * *

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!

Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

* * *

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

* * *

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…

kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

* * *

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

* * *

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

* * *

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

* * *

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,

ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

* * *

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’

nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,

ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Mu zgjidh lëmshi për një çast, vorbulla e fjalëve mu zbërthye se mu kujtua poezia. Ali Asllani këto vargje i ka shkruar në kulmin e zhgënjimit të madh, ku kishte paqartësi të madhe për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan. Por kujtimi i kësaj vjershe më pikëllon, se edhe pas më shumë se 100 vjetësh ne ende flasim për dallavere, dallavere, dallavere… dhe jo mbi ndërtim. Normal ata që bëjnë dallaveret, as dinë, as kanë lexuar, as kanë aftësi, dhe as që e njohin Ali Asllanin. Nëse ishin brumosur me pak frymë dhe sythe atdhedashurie dhe kombëtarizimi s’do shihnim këtë gjendje të mjerë.

Lexojeni edhe një herë! Ahh dhe po, çdo rastësi me personazhet e përditshmërisë tonë, që ju kujtojnë fjalët e poezisë, janë të rastësishme… ose mbase dhe jo!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...