Vitin e kaluar janë bërë 51.771 operacione
– Ministria e Shëndetësisë fillon me masë të re sistematike për zhvillimin e kujdesit postoperativ, jashtëspitalor përkatësisht shtëpiak, informoi sot në konferencën për shtyp sekretari shtetëror në Ministri, Vlladimir Milloshev.
Ai tha se të gjitha institucionet shëndetësore publike ku bëhen intervenimet kirurgjike janë përfshirë me këtë projekt, ndërsa pacientët e operuar janë ata të cilët do të kenë interes më të madh.
“Qëllimi i kësaj mase është kujdesi për pacientët në periudhën deri në kontrollin e parë të caktuar postoperativ në institucionin spitalor, i cili më së shpeshti caktohet një muaj pas intervenimit kirurgjik”, theksoi Milloshev.
Potencoi se për atë qëllim tashmë janë emëruar punonjësit shëndetësor, të cilët në telefon do të kontaktojnë me pacientin një herë në ditë në tre ditët e para pas lëshimit nga spitali, ndërsa pastaj një herë në javë deri në caktimin e kontrollit të parë.
“Në këtë periudhë pacienti do të mund të paraqitet për çdo ndryshim të gjendjes së tij shëndetësore te infermierja e përcaktuar për marrjen e këshillës mjekësore në telefon, të cilat do të jenë publikisht të arritshme në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Milloshev.
Sipas tij, pas daljes nga spitali më e rëndësishme për pacientin është jo vetëm ndjekja e instruksioneve nga mjeku, por edhe konsultim ose këshillë nga personi mjekësor veçanërisht në rastin e simptomave, të cilat sugjerojnë në komplikime të caktuara.
Citoi se në vitin 2017 numri i intervenimeve kirurgjike të kryera është rreth 51.771 intervenime, ndërsa vlerësimet, sipas tij, janë se edhe këtë vit aq pacientë do të përkujdesen me kujdes postoperativ.
“Me qëllim që të përgjigjet në pyetjet e pacientëve në ditët e para pas lëshimit të spitalit, do të jetë përgjegjës të paktën nga një punonjës shëndetësor – infermiere nga radhët e të punësuarve, për çdo repart ku janë të hospitalizuar pacientët”, shtoi Milloshev duke vlerësuar se qëllimi është të zhvillohet arritshmëria, si dhe kujdesi mjekësor për trajtim postoperativ dhe shtëpiak.