Xhemi Hajredini i promovoi në Gostivar tre vepra

Mbrëmë, rruga nga Struga në Gostivar më zgjati 4 orë. Bora e parë e këtij viti më zuri mes malesh. Rruga e bllokuar jo vetëm nga bora, por edhe nga automjetet e rënda dhe nga disa të tjera të papërgatitura për dimër. Me vështirësi аrrita të çaj dëborën dhe kolonën dhe në orën 17 fiks të arrij në mbrëmjen e jashtëzakonshme në Gostivar. Në kuadër të festave të nëntorit, mes miqsh e dashamirë të librit, me iniciativë të mikut tim Lulzim Fejzullai, në lokalin e tij “Bagërdar Tradicional”, u bë promovimi i tri veprave të mia. Mbrëmjen e drejtoi kolegu im, gazetari dhe poeti, Lulzim Haziri. Për librin e parë studimor “Roli i mediave në diplomaci” foli gazetari, shumë i përgatitur, Abedin Bilali. Për veprën e dytë “Vit i brisht” një vlerësim kritik të thuktë paraqiti znj. Elona Selmani Fejzullai. Z. Mel Ylliriani, gjuhëtar, paraqiti një recensë për veprën e tretë “Fre gjuhës kur fle koka – jo vetëm poezi”. Në lokalin e vogël e të ngrohtë të Lulit ishin mbledhur njerëz të zgjedhur. Jam shumë mirënjohës për pritjen e përzemërt që më ofruan të gjithë të pranishmit. Takova edhe disa miq të vjetër si Naxhiun me bashkëshorten, poetin Shazim Mehmeti e të tjerë.
Ky ishte promovim i dytë publik pas atij të Strugës që u bë më, 9 shtator 2023 (edhe banderola, pranë flamurit, në prapavijë mban datën e promovimit në Strugë)
Ju shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë miqve të Gostivarit që e organizuan mbrëmjen, ata që diskutuan për veprat dhe të gjithë ata që ishin prezent.
Gjatë kthimit për në Strugë, rrugët ishin më të pastruara dhe diku nga mesnata qetë-qetë në qypin tim – shtëpi.

In : Aktuale

Loading...
loading...