Arkeologët zbuluan qeramikë, objekte metalike dhe prej guri, si dhe stoli prej bronzi në lokalitetin arkeologjik Vrbnik në Strugë, në kuadër të hulumtimeve nënujore të këtij viti. Këto ishin pjesë e projektit kërkimor “Hulumtime arkeologjike nënujore dhe ndërdisiplinore (dendrokronologjike dhe me radio-karbon) në lokalitetin Vrbnik” si vazhdimësi e fushatave të viteve të fundit.
Me kërkimet në një hapësirë të re në veri të rrjetës ekzistuese, u zbulua material arkeologjik lëvizës që përbëhej nga një sasi e madhe qeramike për kuzhinë dhe depozitim, më rrallë qeramikë për tryezë dhe peshëra qeramike të tezgjahut si pjesë e inventarit shtëpiak që u hulumtua. Përveç qeramikës, u zbuluan edhe disa objekte metalike, sende të përdorimit të përditshëm – thika, brisqe, drapër, objekte prej guri – grirëse dhe fragmente mullinjsh, stoli prej bronzi – hala të dyfishta, disa fragmente të materialit arkeozoologjik. Janë marrë mostra nga shtyllat prej druri për analizë dendrokronologjike, e cila do të kryhet në Universitetin e Bernës, Zvicër – thonë arkeologët.
Në kërkime morën pjesë arkeologët Dr. Aleksandra Papazovska, drejtuesja e projektit, Mr. Valentina Todoroska, Cvetlana Vasilevska, Bojan Taneski, Dr. Ordançe Petrov, Mr. Aleksandra Çevreska dhe Nikola Hadzhi-Nikolov dhe ekipi i zhytësve: Dimitar Stojanoski, Nikola Kukunes, Cvetko Marinoski, Slobodan Rajkovski, Dragi Cvetkovski, Nikola Martinoski, Vladimir Golabovski.
Kërkimet e para arkeologjike nënujore të vendbanimit palafit në Vrbnik filluan në vitin 1998, nën drejtimin e departamentit arkeologjik në Muzeun e Maqedonisë, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar Dr. Nikola Nezlobinski nga Struga dhe Unionin e Shoqatave të Zhytësve të Republikës së Maqedonisë, nën udhëheqjen e arkeologut Voislav Sanev. Që nga viti 2001, kërkimet me ndërprerje të vogla janë drejtuar nga Muzeu i Strugës, dhe në tre vitet e fundit nga Muzeu Arkeologjik i Shkupit nën udhëheqjen e Mr. Valentina Todoroska, arkeologe nënujore.
Ekipi falënderon Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për mbështetjen financiare të projektit, Institutin dhe Muzeun e Ohrit dhe Muzeun e Strugës për bashkëpunimin profesional dhe ndihmën në realizimin e projektit, shoqatën “Nurkaç” nga Struga për mbështetjen teknike dhe logjistikën për realizimin e kërkimeve nënujore dhe kampin “Scout”.