Zgjedhje në horizont? Fatmir Limani sfidon: “Donit luftë, tani tregoni sa vleni”

Pas paralajmërimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të parakohshme, nuk kanë munguar reagimet në skenën politike.
Një ndër reagimet më të forta erdhi nga ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale dha një mesazh të drejtpërdrejtë dhe sfidues.
Duke shpërndarë një publikim me fotografinë e Mickoskit, ku theksohej se “zgjedhjet parlamentare do të mbahen së shpejti”, Limani shkroi:
“Me Fatmir Limanin donit luftë, tani tregoni sa vleni! Së shpejti do t’ua mundësoj ta tregoni veten”.
Ky reagim vjen në një kohë tensionesh të hapura mes Limanit dhe krerëve të koalicionit VLEN, pjesë e të cilit ai ishte përmes Lëvizjes Besa.
Kujtojmë se pak javë më parë, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi se Limani nuk është më pjesë e kalkulimeve politike të këtij koalicioni.
“Z. Fatmir Limani ka ndërprerë komunikimin me Lëvizjen Besa prej kohësh dhe nuk e shohim si pjesë të kombinatorikës sonë politike brenda VLEN-it”, ishte shprehur Kasami në një intervistë për Alsat.
Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një përplasje të re politike në prag të zgjedhjeve që pritet të testojnë raportet e forcave në skenën politike.
.gif)




























