“Zgjedhjet për Rektor në Universitetin “Nënë Tereza” – Hap Vendimtar për Fuqizimin Akademik”

Aziz Pollozhani
ZHGJEDHJET E REKTORIT NË UNIV. “NËNË TEREZA” HAP I RËNDËSISHËM DREJT FUQIZIMIT AKADEMIK TË UNIVERISITETIT
Universiteti “Nënë Tereza “ këto ditë realizoi zgjedhjet e rregullta për drejtuesin (rektorin) e vet në periudhën e ardhshme tre vjeçare. Ky institucion i ri i arsimit të lartë që sivjet është në vigjilje të 10-të vjetorit të themelimit të tij, edhe kësaj here tregoi pjekurinë e tij akademike duke realizuar një proces të rregullt dhe me klimë tejet korrekte si akademike poashtu edhe kolegiale. Për këtë patjetër që duhet uruar i gjithë stafi akademik dhe administrativ i universitetit dhe në veçanti të dy pretendenët për rektor të ri të universitetit Prof. dr. Bekim Fetai dhe Prof. dr. Blerim Saiti të cilët me sjelljen e tyre dinjitoze akademike dhe kolegijiale krijuan një klimë të natyrshme për një institucion të arsimit të lartë me çka të gjithë së bashku konfirmuan pjekurinë institucionale akademike të universitetit që do të mbetet shembull për rrugëtimin e mëtejmë drejt sfidave jo të pakta që ky institucion i ka para vetes dhe njëherit duke trasuar rrugën e një trashëgimie për një sjellje të tillë dinjitoze akademike edhe në të ardhmen.
Duke i uruar Rektorit të ri suksese në realizimin e programit të planifikuar, uroj poashtu që këtë frymë të etabluar bashkëpunimi tani më në UNT ta vazhdojë edhe më fuqishëm në mandatin e tij. Këtu kam parasysh nevojën për plotësimin e Programit të tij me elemente të Programit të Prof. Blerim Saitit për ta bërë atë më të fuqishëm dhe në respekt edhe të votuesve të atij programi nga kolegët e UNT.
Një bashkëpunim i tillë jo vetëm programor por edhe personal edhe me të gjithë stafin e UNT do të jetë një aset i domosdosshëm për realizimin e programit dhe në veçanti për arritjen e dy detyrave respektivisht misionit të universitetit sikurse janë:
- Krijimi i kushteve optimale infrastrukturore, respektivisht ndërtimi i ”Kampusit Universitar Nënë Tereza” si nevojë elementare për krijimin e kushteve optimale për një aktivitet të standardizuar të arsimit të lartë.
- Ngritjen e cilësisë të studimeve dhe fuqizimin e punës shkencore në universitet .
Kolegë e kolege të nderuar/a, të dashur student, suksese dhe u prift e mbara!
Prof. dr. Azis K. Pollozhani