Shkup, 3 prill – Zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit nuk do të jenë vetëm lokale, sepse do ta përcaktojnë edhe fatin e situatës në pushtetin qendror. Struga, si komunë, shpeshherë është përmendur si një zonë ku janë bërë pazare mes partive politike. Megjithatë, e vërteta do të shihet brenda këtij viti – nëse vërtet është tregtuar me Strugën apo jo.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal, duke marrë për bazë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të fundit lokale në Strugë dhe ato parlamentare të vitit të kaluar, arrin në përfundimin se VMRO-DPMNE, partia më e madhe në vend dhe aktualisht në pushtet, mund të luajë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve shqiptarë në komunat shqiptare. Sot për analizë është marrë Komuna e Strugës, shkruan Zhurnal.
Cili ishte rezultati në raundin e parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Strugë?
Zgjedhjet lokale të fundit janë mbajtur më 31 tetor 2021, ku partitë politike garuan për të parin e komunës dhe për listat e këshilltarëve. Më poshtë mund të shihni rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Strugë.
Votat në Strugë, raundi i dytë – zgjedhjet lokale 2021:
- ASH-AAA: 6,535 vota
- BDI: 8,737 vota
- Lëvizja Besa: 1,017 vota
- VMRO-DPMNE: 4,258 vota
Këto rezultate tregojnë se diferenca mes partisë fituese dhe koalicionit ASH-AAA nuk ka qenë aq e thellë. Për një rezultat ndryshe, do të nevojitej vetëm një mbështetje nga VMRO.
Cili ishte rezultati i votave bazuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Strugë?
Për ta pasur më të qartë gjendjen e votuesve në Strugë, mund të marrim për bazë edhe rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, më 8 maj 2024, për të parë se me ndihmën dhe bashkëpunimin e kujt mund të arrihet fitorja.
Votat në zgjedhjet parlamentare në Strugë – 8 maj 2024:
- VLEN: 4,595 vota
- Fronti Evropian (BDI, etj.): 10,244 vota
- VMRO-DPMNE: 6,931 vota
Nga këto rezultate mund të kuptohet qartë se përkrahja e një partie të caktuar mund ta thellojë diferencën, të sigurojë fitoren ose të përmbysë fituesin e zgjedhjeve të fundit.
Kujtojmë që nuk është matematikë apo llogaritje e komplikuar për të gjetur faktorin kryesor që përcakton fitoren e ardhshme në Komunën e Strugës. Ky faktor është partia në pushtet – VMRO-DPMNE. Mbetet të shihen zhvillimet në muajt në vijim, por analizat e deritanishme tregojnë qartë se cila parti politike mund të sigurojë fitoren e një kandidati shqiptar në Strugë.
/Zhurnal.mk