Ziadin Sela-Afrim Gashi: Dje ishte ditë zie, LSDM e BDI ua vranë shpresën shqiptarëve

Kryetarët e partive të koalicionit “Tash është koha”, Ziadin Sela nga Aleancë për Shqiptarët dhe Afrim Gashi nga Alternativa, sot mbajtën konferencë për shtyp, në lidhje me arritjen e marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së për të formuar qeverinë. Ata, këtë marrëveshje e quajtën varrosje të demokracisë dhe formë simbolike pa përmbajtje, njofton Portalb.mk.

“Shpresa në këto momente është e vrarë. Prapa meje është institucioni (Kuvendi, shkrim i redaksisë) i cili verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë e premtimin e bën realitet. Këtu është vendi ku politikanët e përgjegjshëm pasi mbaron cikli zgjedhor politikanët e përgjegjshëm ulen dhe negociojnë për ta realizuar programin që e kanë legjitimuar qytetarët. Kur flasim për rrethanat e Maqedonisë, oponentët tanë, BDI-ja s’ka aspak legjitimet pasi që e ka të blerë dhe të vjedhur, të shantazhuar e të frikësuar të qytetarëve, por edhe këtë shantazh që e bëri në ditën e zgjedhjeve, vazhdoi me të njëjtën logjikë dhe shantazhoi edhe veten e tyre me premtimin që bëri për premtimin e tyre për kryeministër shqiptar. Ajo që i cilëson ata, post-komunistë në logjikë dhe bindje, natyrisht që nuk mund të bënte përjashtim nga forma se si do të silleshin ata në momentin që do të negociohej – e thonë edhe vetë në paraqitjet e tyre, forma pa përmbajtje quhet simbolikë që fatkeqësisht BDI-ja mundohet të paraqesë formë dhe aspak përmbajtje. Ata mundohen që këtë simbolikë ta arrijnë ta shndërrojnë në sukses, por ne do të jemi këtu në vazhdimësi bashkë me Afrimin, por edhe 10 deputetë tjerë – të popullit, të pastër, me votë një më një për të mbrojtur interesin e tyre për t’ju thënë shqiptarëve që mundet edhe përtej mundësive, për t’ju thënë oponentëve tanë që tani se nuk do të kenë përballë vetëm parti politike të cilët dhunës së tyre do t’i përgjigjen me metoda demokratike”, tha Sela.

“Sot po ju drejtohemi pas një dite të rëndë dhe një lajmit të zi që e morën shqiptarët për varrosjen përfundimtare të demokracisë te shqiptarët në vendin tonë. Nëse një qeveri nuk i ka dy elemente, legalitetin dhe legjitimitetin ajo qeveri s’mund të ecë përpara dhe s’mund t’u përfaqësojë qytetarët e vet. Dje u konstatua dhe u prononcua se është arritur një marrëveshje, prej të cilave njëra është e delegjitimuar totalisht pasi që ka hequr dorë nga premtimi i saj kryesor për kryeministër shqiptar. Andaj, ne si përfaqësues të shqiptarëve, të 82 mijë votave dhe  gjithë shqiptarëve tjerë që nuk e duan mashtrimin dhe e duan demokracinë jemi këtu për t’u thënë atyre se ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e tyre, do ta bëjmë betejën e fuqishme, nuk do të ndalemi asnjë ditë, në këtë Kuvend, duke i përdorur të gjitha mjetet demokratike që vullneti i shqiptarëve të vijë në vendin e vet. Më vjen shumë keq që plotë të ri, ndoshta prej sot, kanë marrë valixhet e tyre, për të ikur në perëndim, por ne ju bëjmë thirrje të durojnë edhe pak. Unë jam i bindur që kjo qeveri është e ndërtuar mbi këmbë të qelqta dhe në goditjen e parë do të thyhet. Jam i bindur që jetëgjatësia e kësaj qeverie do të jetë e shkurtër dhe shpresa në këtë vend do të kthehet doemos”, tha Gashi.

Ata paralajmëruan se ata si parti politike do të organizojnë rezistencë “për ta mbrojtur lirinë, votën, verdiktin dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Siç thanë ata, parimi bazë i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është jo ministra e pozicione, por ligje që do t’ia përmirësojnë jetën qytetarëve.

Në lidhje me propozimin e sekretarit të Alternativës, Skender Rexhepi se do të propozojë te partitë e koalicionit që të bojkotohet puna e Kuvendit, Sela tha se partitë nuk kanë marrë vendim dhe nëse do të ketë diçka të tillë do ta informojnë opinionin.

In : Aktuale

Loading...
loading...