Zvarranikomania
Hë për hë, për të mbijetuar në këto kohë të vështira kanë ngelë dy rrugë: ose të jesh i dëgjueshëm në parti (lexo: zvarranik), ose të vuash ndëshkimin e të mos qenit anëtar partie. Rrugë të mesi gati se nuk ka mbetur… Po, për pak me harru: Është edhe një rrugë njëkatëshe që të çon në Gjermani dhe vende tjera të Europës…
Nga Emin AZEMI
Në kushtet kur konkurrenca e vlerave nuk i nënshtrohet ndonjë bilanci në formë llogaridhënieje për të bërat dhe të pabërat, për premtimet dhe (mos)realizimet, është vështirë pastaj të shprehësh qëndrim për rezultatet paraprake të individëve të caktuar që mbajnë detyra me përgjegjësi në institucionet publike.
Ky mendim na sillet ndërmend sidomos këtyre ditëve, kur lexojmë se filan drejtori do të hiqet dhe në vend të tij do të vendoset një tjetër. Fare të parëndësishëm janë emrat dhe kush ku emërohet drejtor. Ajo çka është më e rëndësishme dhe që vlen për t’u diskutuar në këto momente, ka të bëjë, parasegjithash, me metodologjinë kadrovike me të cilën udhëhiqen partitë politike.
Një dilemë që ende rri pezull, si një mjegull që fsheh misterin atmosferik, është vet natyra e motivit për të bërë ndryshime kadrovike në ndonjë fushë të caktuar të administratës publike e shtetërore. Ende nuk dihet nëse një kuadër emërohet/shkarkohet për arsye të nevojave që lidhen me interesin publik, ose me interesin e drejtpërdrejt të institucionit, apo kjo bëhet për shkak të zierjeve e përzierjeve të brendshme partiake, ku grupet e klanet e ndryshme bëjnë gara se cili përfaqësues i tyre do të zërë ndonjë pozicion të fuqishëm?
Ka plot raste kur hiqen nga pozita drejtuese njerëz të suksesshëm dhe në vend të tyre vendosen njerëz margjinal, jokreativ, të dëgjueshëm dhe të përdorshëm për çdo funksion që i jepet.
Në anën tjetër, ka edhe plot raste që kuadro të vyer me shkollim dhe kualifikim adekuat, me vite “dergjen” nëpër institucione dhe ata nuk avancohen, dhe për rrjedhojë – diskriminohen edhe në paga. Që ironia të jetë më e madhe, në vend të tyre madje sjellin kuadro pa përvojë nga jashtë, i cili pastaj bëhet i shef i këtyre kuadrove të brendshëm me përvojë, me kualifikime e me arsimim adekuat.
Të zënë me tema të mëdha, siç janë eurointegrimet dhe çështjet e ndryshme gjeopolitike, përgjegjësit e caktuar nëpër parti politike që janë të ngarkuar të udhëheqin dhe ndjekin politikat kadrovike, nuk dinë (apo nuk duan) të japin shpjegim se përse ndodhin këto çrregullime kriteresh gjatë (zh)vendosjes së njerëzve nëpër poste. Ata ende nuk e kanë shpjeguar deri në thelb çështjen e meritokracisë: Nëse ajo lidhet me punën dhe rezultate konkrete, apo vetëm me lojalitetin?
Nëse është kjo e fundit, dhe sikundër shihet kjo po dominon, atëherë i bie që shpërblimi më i madh në jetë që mund ti ndodhë një njeriu, është të mos bëjë asgjë që e dallon nga të tjerët (lexo: nga jopunëtorët), që të duket se gjoja po punon dhe mundësisht të harxhoj sa më shumë shwepsa, badema, kikirika dhe mundësisht të djeg sa më shumë karburant për kilometrat e bërë kot së koti. Me fjalë të tjera, një privilegj i tillë (lexo: rehati) mund t’i ndodhë vetëm dikujt, që s’e ka merituar atë vend pune me kurrfarë rezultati paraprak në ndonjë punë që ka dhënë fryte.
Deri kur i padituri do ta udhëheq të diturin?
Deri kur jopunëtori do ta udhëheq punëtorin?
Deri kur dallaverexhiu do ta udhëheq njeriun e ndershëm?
Këto dhe pyetjet tjera prekin esencën e shqetësimit të çdo njeriu që i intereson progresi i përgjithshëm, por edhe rejtingu dhe imazhi i partisë që i përket. Ky shqetësim lidhet edhe me njerëzit pa parti, interesat e të cilëve askush nuk i mbron.
Hë për hë, për të mbijetuar në këto kohë të vështira kanë ngelë dy rrugë: ose të jesh i dëgjueshëm në parti (lexo: zvarranik), ose të vuash ndëshkimin e të mos qenit anëtar partie. Rrugë të mesi gati se nuk ka mbetur…
Po, për pak me harru: Është edhe një rrugë njëkahëshe që të çon në Gjermani dhe vende tjera të Europës… (koha.mk)