Duket si shaka e ndoshta edhe i tillë ka qenë lajmërimi i pazakontë i një shqiptari në një sajt të huaj. Ai shkruante se shiste veshkën, e cila ishte në gjendje të mirë shëndetësore, për shkak se i duheshin paratë.
Në sajtin Ricardo.ch, shqiptari sqaronte:
Për shkak të mungesës së parave, ofroj një nga veshkat e mia. Kurrë në jetë nuk kam pirë duhan, nuk kam pirë alkool, jam ushqyer shëndetshëm dhe kam ushtruar sport. Për pyetje apo paqartësi, unë jam i gatshëm t’ju ndihmoj”.
Ndërkaq, kujtojmë se oferta minimale për një veshkë fillon nga 50 mijë franga, deri në 100 mijë franga. Postimi u hoq menjëherë nga faqja ku ishte publikuar, pas sinjalizimit të personave të ndryshëm.
Shqiptari, i cili ofronte veshkën, thoshte se ajo ishte në gjendje të mirë, por nuk saktësonte se si do të bëhej transplanti i organit apo detaje të tjera. E vetmja gjë që thoshte, ishte se i donte paratë në dorë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka folur njëri prej përfaqësuesve të sajtit, Simon Marquard. Ai bëri me dije se kjo ofertë nuk përputhej me termat dhe kushtet e Ricardo.ch, prandaj është ndërprerë para kohe.
Burri shton se përdoruesit shqiptar të sajtit, i cili ka bërë edhe njoftimin, i është komunikuar vendimi i marrë të mërkurën në mëngjes, pasi oferta për veshkën ishte publikuar gjatë orëve të para të natës.
Marquard shton:
Nuk është kurrë e qartë nëse një ofertë e tillë vërtetë është serioze. Sidoqoftë, është e ndaluar që të ofrohen organe dhe pjesë të tjera të trupit njerëzor përmes Ricardo-s. Kjo është gjithashtu e përmendur në mënyrë eksplicite në listën tonë të ndalimeve”.