AL UNITED NGA STRUGA, PIONIERE E KULTIVIMIT TË LAJTHIVE NË MAQEDONI

Mamer Seferi, pronar i kompanisë AL UNITED, një prespan nga fshati Llacë, pas dyzetë vjetë qëndrimi në kurbet, fillimisht në Australi e pastaj në Danimarkë, vendosë definitivisht të kthehet bashkë me familjen në vendlindje për të investuar në kultivimin e lajthive por edhe për çuar në vend atë thënien e moçme shqiptare “guri i rëndë peshon në vendin e vet”

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 shtator – Investimi në një plantazh më të vogël apo më të madh të lajthive, paraqet një investimi në suaza afatgjate, që nëse mirëmbahet mirë dhe i kushtohet një vëmendje dhe kujdes i nevojshëm mund të sjellë fruta dhe fitime për së paku 50 deri 60 vite. Frutat e lajthisë mund të ruhen për një kohë më të gjatë si dhe janë deficitare në treg. Me fjalë të tjera kultivimi i lajthisë mund të jetë biznes kryesor i një familje, si dhe mund të sigurojë të ardhura shtesë në varësi sa hektarë tokë do të mbillen, por megjithatë kërkon një durim më të madh për shkak se rezultatet dhe rendimentet më të mëdha vijnë pas disa viteve. Ky biznes nuk kërkon ngutje, por përkushtim dhe vullnet.

Mamer Seferi, pronar i kompanisë AL UNITED, një prespan nga fshati Llacë, pas dyzetë vjetë qëndrimi në kurbet, fillimisht në Australi e pastaj në Danimarkë, vendosë definitivisht të kthehet bashkë me familjen në vendlindje për të investuar në kultivimin e lajthive por edhe për çuar në vend atë thënien e moçme shqiptare “guri i rëndë peshon në vendin e vet”.

AL UNITED NGA STRUGA, PIONIERE E KULTIVIMIT TË LAJTHIVE TEK NE NË

Kompania AL UNITED nga Struga në fakt është edhe pioniere e kultivimit të lajthive tek ne në aspektin e ofrimit të rrënjëve me certifikatë të lëshuar nga kompanitë Italiane, të cilat njëkohësisht ofrojnë logjistikën dhe ndihmën për tërë procesin e prodhimtarisë, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me partnerët Italian, të cilët dy, deri tri herë në viti të vizitojnë Maqedoninë e Veriu. Ata mbajnë edhe seminare të rregullta për të ndihmuar, informuar dhe inkurajuar të gjithë të interesuarit, por pa i kushtëzuar blerësit e fidaneve me grumbullimin e lajthive. Kultivuesit megjithatë janë të lirë që të zgjedhin se ku dhe si do t’i shesin frutat.

Njëherësh kjo kompani është në përfundim e sipër edhe të procesit të ndërtimit të një qendre moderne të grumbullimit të lajthive në Strugë që pritet të ndërtohet edhe me ndihmën e mjeteve IPARD. Me ndërtimin e saj, prodhuesve të lajthisë në tërë vendin do t’iu lehtësohet tej mase edhe puna e tyre për shkak se në një vend do të mund të fitojnë shërbimet e grumbullimit, thyerjes, pastrimit të lajthive konform standardeve perëndimore, ku edhe do të kalibrohen apo do të ndahen në bazë të peshës dhe cilësisë për të qenë gati për konsum dhe shitje.

Mamer Seferi, përfaqëson një storie suksesi, për shkak se të braktisësh sot kurbetin dhe të investosh në vendlindje nuk është edhe pa sfida. Ai me shembullin e tij ka promovuar ndërmarrësinë individuale, duke filluar që në Australi me biznesin e ndërmjetësimit të patundshmërive, e deri në vendlindje me kultivimin lajthive. Nuk e ka pasur lehtë të vendosë që të kthehet, pasi që të gjithë fëmijët kishin mbaruar universitete prestigjioze në Kopenhagë dhe në Londër dhe adaptimi i tyre në kushtet e këtushme ka qenë një përvojë sa e vështirë, po aq edhe me shumë të papritura.

Mamer Seferi, thotë për gazetën KOHA se ideja për këtë biznes lindi para 12 vitesh pas vijimit të një seminari me italianët lidhur me mundësitë dhe potencialin e madh që ka kultivimi i lajthive në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë ku ideja është se italianët synojnë që ngadalë të zvogëlojnë primatin botëror të Turqisë në këtë veprimtari e cila për shkak të ofertës së madh në treg, kontrollon edhe çmimin, me çka në të ardhmen pritet që gradualisht Evropa të ulë varësinë nga prodhimtaria turke. Lajthia në fakt paraqet një nga frutat shumë të vlefshëm që ia vlen të mbillet dhe kultivohet edhe në hapësirat ballkanike ku për shembull vetëm në Serbi, kompania Nutella ka mbjellë mbi 2000 hektarë me lajthi, ndërsa tek ne aktualisht ka mbi 400 hektarë, prej të cilave mbi 40 hektarë janë mbjellë nga kompania AL UNITED .

IA VLEN TË KTHEHESH NË VENDLINDJE

Në pyetjen tonë se sa guxim nevojitet që të kthehesh në vendlindje dhe lësh botën perëndimore, ku gjërat funksionojnë më mirë se në shtetet e Ballkanit, ai shprehet se në bashkëbisedim dhe pajtueshmëri edhe me dy djemtë është arritur vendimi që të kthehen.
“ Ia vlen pse jo që të kthehesh këtu. Nëse i kthehemi vështirësive të caktuara në fillimin dhe zgjerimin e biznesit, mund të them se kur ka dëshirë dhe vullnet edhe të gjithë pengesat eventuale që paraqiten me kohë edhe zgjidhen, ndërsa sa i takon ecurisë së biznesit tonë këtu nuk mund të them se kemi hasur në probleme më të mëdha, përveç atyre të zakonshme siç ndodh edhe tek të gjitha bizneset e tjera. Nëse mund të flasim për probleme, atëherë edhe ne si në pjesën më të madhe të bizneseve vendore na brengos mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të ikjes së madhe të rinisë jashtë vendit. Ofertat tona për rrogë 400 euro, megjithatë nuk ndikojnë që të rinjt të mos ikin jashtë”, shton ai.

Lidhur me fillimet e biznesit të tyre, zoti Seferi tregon se investimi i tyre ka qenë i bazuar në biznes plane dhe analiza të qëndrueshme të vetë italianët, të cilët kanë ardhur për tre vite me radhë në Maqedoninë e Veriut për të konstatuar se këtu ekzistojnë kushte ideale për kultivimin e lajthive, ndërsa nismën për këtë biznes e kanë përforcuar edhe analizat e Institutit slloven nga Lubjana, për arsyeshmërinë e mbjelljes së sortave të caktuara, klimën, për truallin e përshtatshëm etj.

“Këtë biznes vendosëm ta nisim edhe të bazuar në faktin se lajthia është fryt i vetëm që shitet dhe blihet në bursat botërore , që ka përdorim të madh jo vetëm në industrinë ushqimore por edhe në mjekësi, kozmetikë, ndërsa vaji i saj ka çmimin më të lartë se çdo vaj tjetër. Prandaj ritet që kërkesa për lajthinë të rritet gjithnjë e më tepër në vitet e ardhshme”, sqaron Seferi.

INTERESIMI I FERMERËVE VENDORË PO SHTOHET

Lidhur me përhapjen e kësaj kulture bujqësore në vend, Mamer Seferi na informon se ekziston një interesim i shtuar i fermerëve vendorë në Maqedoninë lindore, konkretisht në rajonet e Kavadarit, Prilep Gjevgjelisë, Koçanit, ndërsa në vitet e fundit ngadalë edhe në Maqedoninë perendimore, sidomos në Pollog, kultivimi i lajthisë po e gjen rrugën zgjerimit.

“Për dallim prej kulturave e tjera bujqësore që me vite kanë problem me plasmanin ose me shitjen e sigurt, një problem i tillë nuk ekziston me lajthitë, sepse çdo herë kanë një shitje të sigurt. Një rrethanë lehtësuese është edhe mundësia për ta shitur vitin pasues nëse sivjet ajo nuk ka ecur në treg. Lajthitë janë sikur floriri, i cili e ruan vlerën sa herë që ta shesi”, saktëson Seferi.

Sa i përket mundësive dhe kostos së një investimi për të kultivuar lajthitë, nga kompania AL UNITED thonë se në radhë të parë të gjithë të interesuarit duhet të sigurojnë tokën, qoftë në pronësi të tyre, lejen për shfrytëzimin e tokës nga familjarë apo të njohshëm të tjerë, apo edhe të marrin tokë të shtetit me qira me qëllim që ta kenë më lehtë në fillim që të fillojnë të fitojnë rregullisht subvencione nga shteti për gati të gjitha aspektet e prodhimtarisë. Fillimisht një pjesë e madhe e investimit apo gati gjysma do të mbulohet vetëm nga subvencionet e shtetit. Pra çdo gjë që arrin të dokumentohet dhe dëshmohet me faturë, mund të përfitojë subvencione.

Një argument shtesë në favor të kultivimit të lajthisë është edhe fakti se lajthinë e mbjell babai, dhe mund të shfrytëzojë më tej edhe djali por edhe nipi, për shkak se një trung i lajthisë me kalimin e kohës do të ripërtërihet.

PËR ATA QË NUK KANË NJOHURI MBI LAJTHINË

Për ata që nuk kanë njohuri mbi zhvillimin e këtij fruti, nga nga kompania AL UNITED informohemi se lajthia fillon të japë rendiment në vitin e tretë të sa , ndërsa frutshmërinë e vërtetë e arrin në vitin e saj të shtatë. Është mjaft rezistente ndaj ngricave dhe nuk kërkon shumë ujë për vaditje, ndërsa nuk ka probleme as me insektet dhe keqbërësit e tjerë

Një përllogaritje e thjeshtë tregon se për dy hektarë tokë nevojitet një investim prej 400 deri 500 euro për sistemin e vaditjes, pa llogaritur pompat. Në total për dy hektarë tokë të mbjella me lajthi, nevojiten afro 4200 euro, ndërsa për një hektar nevojiten afër 2100 euro , nëse nuk llogarisim këtu edhe sigurimin e tokës bujqësore.

Një ndihmesë e madhe për fermerët fillestarë, por edhe për të gjithë të tjerët, paraqesin edhe subvencionet e shtetit. Nëse ato kultivohen në lartësi mbidetare mbi 750 metra, atëherë fitohen mbi 70 për qind subvencione për fidanet e mbjella, ndërsa nën këtë lartësi mbidetare fitohen nën 55 për qind të të hollave për fidanet, që nënkupton se nëse investimi kushton 1000 euro vetëm për fidanet, në fakt ju investoni vetëm 450 euro, ndërsa 550 euro do të fitoni në emër të subvencioneve.

Kusht për të fituar subvencionet, duhet prej vitit të dytë të bëhet kultivimit edhe prej 33 mijë denarë për hektarë, fitohen të holla edhe për sistemet për vaditje etj. Një trung lajthie jep për një vjet 1 kilogram rendiment, pas pesë vitesh jep 2.5 kilogram rendiment, ndërsa pas gjashtë vitesh dyfishohet për çdo vit rendimenti i saj. Pas dhjetë vitesh ajo jep në mesatare 15 deri 18 kilogram lajthi për një trung. Çmimet e shitjes së një kilogrami të lajthisë lëvizi prej 2.5-2.6 euro dhe 3.7-3.8 për kilogram në varësi se a janë të thyer dhe të pastruar apo jo.

Loading...











Loading…