ANTIKOMUNISTËT ME LIBREZA KOMUNISTE

Shkëlzen Halimi

StrugaLajm

Veprimet demonizuese të elitave politike nuk do t’i pranojë historia, por edhe nëse i pranon ato gjithnjë do t’i hedhë në të tashmen, për të shërbyer si model i së keqes. Përjashtimi nga historia është një veprim për ta dëshmuar turpin. Kurse shqiptarët kanë plot shembuj të turpit, që janë shndërruar si simbole të tradhtisë. Pra, historia nuk është vetëm një lloj i kronologjisë së kaluar të një periudhe apo të një populli, por edhe një muze i hapur i së keqes, të cilin do ta vizitojnë edhe pasardhësit, disa prej të cilëve nuk do të ndjehen aspak mirë me veprimet e paraardhësve të tyre. Ta përkufizosh veten si shpëtues i kombit, është një barrë shumë e rëndë, me peshë të paimagjinueshme. Por, përkufizimi i tillë i prijësve të elitave politike, ishte thjeshtë një tallje me fatin e popullit, i cili akoma nuk ishte i bindur deri në fund se po çlirohej nga verigat e zinxhirit komunist. Në këtë kontekst, do të imponohen sidomos antikomunistët me libreza komuniste dhe, duke e shfrytëzuar hamendjen e popullit, i cili vështirë e merrte veten në kapërcyell të dy sistemeve, do ta marrin yryshin për zgjidhjen e problemeve më vitale të popullit. StrugaLajm

Rikthimi në thelbin e problemit të shqiptarëve është diçka që herët a vonë do të ndodhë, edhe përkundër faktit se kostoja do të jetë e lartë. Ata që nuk deshën të merren me këtë probleme (pala tjetër), duke i joshur elitat politike shqiptare përmes formave të ndryshme (disa prej këtyre formave ishin gracka perfide si kërcënim për ta mbyllur gojën), bënë më të keqen, fragmentarizmin e problemit shqiptar, duke i dhënë shtytje zgjidhjeje vetëm atyre segmenteve që nuk ishin problematike dhe të rëndësishme sipas parimeve ndërkombëtare për pakicat nacionale. Shqiptarët në Maqedoni akoma nuk e kanë të qartë se a janë pakicë nacionale apo diçka tjetër. Në bazë të trajtimit nga pushteti, ata janë puro pakicë, ndërkaq sipas fjalëve të Kushtetutës janë bashkësi, një kategori kjo që ngelet e padefinuar deri në fund. Dhe ja pse rikthimi në thelbin e problemit të shqiptarëve është i domosdoshëm, pavarësisht se kostoja do të jetë e lartë. Sepse, çështja shqiptare është bërë një lëmsh prej teli të ndryshkur, me të cilin lëmsh, në formë topi, luan kush të mundet. Është koha e farkëtarit që ta drejtojë këtë tel, duke e zgjidhur edhe nga nyejt e shumta.


Loading...
loading...