Reklamo ketu!

BDI: Më 5 maj të votojmë për kandidatin i cili ka orientim pro-evropian

Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në tubimin e sontëm në Shkup u kanë bërë thirrje shqiptarëve që në raundin e dytë të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të votojnë për kandidatin konsensual për president i cili ka orientim pro-evropian.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi potencoi se për herë të parë prononcohet gjatë fushatës presidenciale për shkak të funksionit të tij.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë vendosur të orientohen drejt BE-së, askush nuk do të kthehet mbrapa. Zgjedhja jonë duhet të jetë e qartë. Sado që dua të jem neutral, si qytetar përcaktohem për Perëndimin. Të dalim më 5 maj dhe ta mbështesim kandidatin që është i orientuar drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Xhaferi. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se më 5 maj duhet të votohet për kandidat konsensual, duke theksuar se ai nuk do të votojë për vete, por për të rinjtë.

Theksoi se nëse nuk ka census kjo nuk do të thotë se kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi do të jetë president i shtetit, por se për 75 ditë sërish do të shpallen zgjedhje.

Izet Mexhiti, shefi i shtabit zgjedhor i BDI-së, theksoi se fuqimisht e mbështesin kandidatin presidencial Stevo Pendarovskin. “Patjetër të mbështesim kandidat pro-evropian. Nuk guxojmë të mbështesim kandidat i cili nuk njeh dygjuhësi. Të dilet më 5 maj dhe të votohet. Abstenimi i ndihmon VMRO-DPMNE-së, i rrezikon NATO-n dhe Bashkimin Evropian, Si BDI dhe si shqiptarë nuk kemi dilema”, porositi Mexhiti.

Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi theksoi se ideja e Evropës është ideja e konsensualitetit .

“Nuk e bëjmë këtë për bindje ndaj dikujt, këtë e bëjmë për vendin tonë, për vetveten. Për barazinë e të gjithë qytetarëve”, theksoi Arifi, duke theksuar se shqiptarët edhe një herë duhet të dëshmojnë se janë faktorë pa të cilët vendi nuk do të jetë në NATO dhe në BE.