Efekti Albin! -Nazim Rashidi

BDI duke mos qenë “naive” fare në synimin për të mbajtur pushtetin ka lundruar lehtë, nga e majta në qendër e djathtas, në varësi të politikave të diktuara nga partnerët e koalicionit. Bagazhi i të kaluarës, po harxhohet, por a do të thotë se “efekti Albin” do ti prekë edhe ata?

Nga Nazim RASHIDI

Është një personazh interesant, që sa herë ka ngjarje e ndodhi që prekin interesin e tij, ai poston në rrjetet sociale foto me uniformën e UÇK-së. Mesazhi që do të japë është i qartë, se pa të asgjë nga ato që ndodhin e bëhen sot, ose siç do ta thoshte më direkt asnjë nuk do të pasurohej e jetonte mirë, nëse nuk ishte ai dhe të tjerët si ai që luftuan. Por sot jemi 2019. Luftërat ndodhen rreth 20 vjet më parë. E megjithatë, a ka dilemë se lufta ka dhënë efektet e saj? Jo. Por a jetohet më veç me theksimin e të kaluarës? Jo.

Dhe kur ende s’janë bërë si duhet analizat e plota të zgjedhjeve në Kosovë, eko e euforisë ende po zgjat, edhe këtu në Maqedoninë e Veriut.

Arsyeja: Shpresa. Shpresa se mund të ketë ndryshim për mirë kjo përgjithësisht por dhe shpresa e një brezi tjetër, e atij që vjen se mund të kenë më ndikim në proceset e vendit. Por ka dhe një detaj tejet të rëndësishëm për zgjedhjet në Kosovë, mënyra se si u be fushata. E jo më vetëm e “modernizuar” në pamje e debate televizive, por tejet më politike në ofertat e partive. Përplasjet nuk është se nuk ishin edhe ato butaforiket, por ama agjenda e fituesit ishte me një oferte sociale e ekonomike në qendër, që diktoi edhe narrativin e fjalorit të politikës.

Këtu pastaj ndodhi thyerja. Po është më e lehtë të kritikosh dhe premtosh, se sa të mbrosh atë që (s)ke bërë dhe atë që premton se do bësh kur je në pushtet. Po kjo është loja. Këtë do ta gjejë edhe Albinin në një të ardhme jë edhe aq të largët, kur do të përballet jo vetëm me oponentët por edhe me premtimet e tij. Megjithatë, esenca është se Kosova dha shembull.

E para për zgjedhjet dhe procesin.StrugaLajm

E dyta për atë se çfarë ndryshimi duan njerëzit, dhe

E treta për pritshmëritë, që një lloj janë të larta kudo kur ndodhin ndryshime pas një pushteti të gjatë.

E tani, me nxitim tentohet të hiqen paralele e të nxitet një “efekt fluture” ku vala e ndryshimit të jetë e njëjtë ose edhe më e madhe edhe në Maqedoninë e Veriut, e sidomos ndër shqiptarë.

Por a arrihet dot kjo? Ngjashmëri ka plot, por ama edhe konteksti ndryshon. Ajo që është e ngjashme, madje thuajse dhe e njëjtë është lodhja nga pushteti i gjatë. Gjithashtu edhe arroganca e vazhdueshme e pushtetit, sidomos të eksponentëve të caktuar politik ose pranë politikës.StrugaLajm

Është po ashtu e ngjashme, në kontekst shqiptar, edhe ripërsëritja e arritjeve, si lufta, betejat, sakrifica. Që padyshim, dhe këtë mund ta themi me mijëra herë, janë vlerë e jashtëzakonshme, pa të cilën nuk do të ishim këtu ku jemi, por sërish e pamjaftueshme për të bërë ballë me sfidat dhe betejat e reja, që janë të një natyre krejt tjetër. 20, 30 vjeçarët sot, nuk është se nuk respektojnë sakrificat. Absolutisht jo. Janë pjesë e tyre, i mbrojnë, janë identiteti i tyre. Por ama kërkesat dhe nevojat e tyre nga politika janë krejt të tjera. Arroganca e pushtetit e mbështjellë edhe me arrogancën e retorikës, nuk përputhet me arrogancën e brezit më të ri, që jeton në një realitet tjetër, i lirë, por presion të madh për jetë më të mirë, pa varfëri e korrupsion, për një jetë me nevoja kryekëput sociale dhe me shtysë për të shkuar përpara me botën.

Po të pyesësh ata që kanë pasur pushtetin me vite, thonë se ndryshime janë bërë shumë. Por po pyete brezat më të rinj, që jetojnë me këtë përparim, ata thonë se duhet edhe shumë për të bërë. Kjo situatë që mund të jetë edhe një përplasje brezash, ka ngarkesat politike por edhe ideologjike. Tek ne, kjo pamje reflektohet një lloj në përplasjet dhe ngarkesat që kanë të bëjnë me lodhjen dhe arrogancën nga pushteti i gjatë, por jo edhe me ideologjinë ama. Beteja politike nuk është thjesht një garë (lexo luftë) për pushtet, ku bëhet çmos që të merret pushteti. Gara është dhe një shpërfaqje e ideve dhe vizionit për të ardhmen. Këtu te kjo pjesë kemi të bëjmë me ideologji. Çdo plan, e detaje. Çdo premtim e projeksion, prapa ka ideologjinë politike, të cilën klasa jonë politike në Maqedoninë e Veriut e ka mish-mash. Sidomos shqiptarët. Nëse bën një test naiv në mesin e parapolitikanëve dhe politikanëve ndër shqiptarë, do të shohësh se motivin kryesor për përfshirje në politikë kanë përfitimin. As që i plasi për ideologji e politiken e politikës.

Nëse i pyet për të majtën e të djathtën, janë të hutuar. Në fakt as që dinë të përgjigjen e as që përpiqen të kuptojnë se ku janë e ku përkasin. (Si për herë ka dhe përjashtime) Por këtu është problemi. Vetëvendosja në mesin e saj, madje dhe eksponentë të saj, ka filozofë, të mirëfilltë, të cilët studiojnë politikën, shkruajnë për të, dhe janë pjesë edhe debateve globale për të majtën e të djathtën.

Zyrtarët e klasës tonë politike meritë kryesore kanë se eksponohen para liderit të tyre, që e mbështesin symbyllas dhe si synim kanë si të shuajnë kritikën. Por ky element dallues është esencial në veprimin politik. Vendvendosja nuk ishte dhe nuk është kundër pushtetit të gjatë dhe keqqeverisjes veç se u krijua lodhja, por sepse besonte dhe beson në një synim, të cilin e ka artikuluar mbi baza të forta të ideologjisë, pajtohemi ose jo me ta. Veç kujtoni partitë tona, liderët tanë, politikanët, kur kanë qenë konzistentë, në artikulimet e tyre politike me ideologji? Asnjëherë.

Prandaj dhe kishim atë budallallëkun e asaj “Besës” që mundoheshte të implantojë konservatorizëm me politika të majta mbi mirëqenien. Një konfuzitet total në mesazhe që teoritë politike i shpjegojnë qartë se çfarë janë, por që në esencë asnjëherë nuk depërton tek njerëzit. Kishin terrenin e pastër për të shënuar kurse rezultati u pa. Aleancë thotë që është e djathtë, por gjithë bazën e ka të varfër e jashtë konjukturave pasanike, dhe nuk artikulohet dot si e tillë në terma politik. Aleancistët, madje dhe figurta kryesore të saj (që s’ka asgjë të keqe se janë pjesë e realitetit tonë) ndeshen direkt me betejën për mirëqenie. “Djathtizmi” i mbështetur veç te patriotizmi është naivizëm politik. Të jesh i djathtë do të thotë shumë më shumë. A sa për ilustrim, ekstremi i majtë gjithë krimet i ka bërë në emër të patriotizmit. BDI ndërkohë duke mos qenë “naive” fare në synimin për të mbajtur pushtetin kanë lundrura lehtë, nga e majta në qendër e djathtas, në varësi të politikave të diktuara nga partnerët e koalicionit. Kjo ju ka sjellë pragmatizëm e pushtet, por jo mbi baza ideologjike politike.

Bagazhi i tyre i të kaluarës, po harxhohet, por a do të thotë se “efekti Albin” do ti prekë edhe ata? Përgjigja e kësaj pyetje sot është mes dëshirës së kundërshtarëve të tyre dhe zhgënjimit të njerëzve, i shprehur qartë. Kush do ta anojë peshoren në favor të vet do të varet nga politikja e ofertave të të tyre. Dhe në partitë tona, politika është me nuanca. S’ka ideologë, s’ka mendimtarë politik, s’ka si rrjedhojë as oferta mbi bazën e ideologjive. Zgjedhjet do të vinë shumë shpejtë edhe këtu, por nëse ofertat politike mbesin konfuze atëherë, si rëndom, fiton interesi.

Në rrjetet social do të kemi sërish të shfaqur atë personazhin me uniformë të UÇK-së, që as ka kuptuar e as do kuptojë politikën, por e di mirë ama se ç’është përfitimi. Dhe po do vazhdojë të jetë modeli se si do shihet politika, të paktën edhe në një cikël zgjedhor, ku interesi është i pari.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...