Haradinaj nuk i komenton kërcënimet e Erdoganit

Haradinaj nuk i komenton kërcënimet e Erdoganit – analistë e zyrtarë shtetërorë e cilësojnë incident diplomatik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka dashur t’i komentojë kërcënimet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

I kontaktuar nga KosovaPress, Haradinaj e ka hapur telefonin por nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e presidentit turk.

KP ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm.

Ndërkaq, në mbrojtje të kryeministrit Haradinaj kanë dalë disa zyrtarë shtetërorë.

Zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri, për këto kërcënime, ka thënë se Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, këtë e dinë të gjithë, por nuk dëshirojnë ta pranojnë.

“Ramush Haradinaj nuk mund të shantazhohet e as kërcënohet, këtë e dinë të gjithë por nuk dëshirojnë ta pranojnë. Ky pozicion i Erdoganit është tregues që kryeministri as nuk e ka ditur dhe as nuk është pjesë e filmit ‘Deportimi’”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.

Edhe Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas kërcënimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Parlamenti dhe qytetarët e Kosovës e zgjedhin kryeministrin”, ka shkruar Çitaku në Facebook.StrugaLajm

Për kërcënimin e Erdoganit ndaj kryeministrit Haradinaj ka reaguar edhe publicisti Veton Surroi, i cili, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë”.

Sipas tij, reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, mirëpo ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë.

Megjithatë, siç thotë Surroi, vendi ynë duhet të reagojë.

Publicisti Surroi thotë se nëse ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës dëshiron ta bëjë këtë, duke e thirrur ambasadoren turke në Prishtinë, ja disa pika që mund të përcillen:StrugaLajm

“1. Kosova e konsideron Turqinë një aleate të rëndësishme, që nga ditët e ndërhyrjes së NATO-s për liri, ashtu edhe duke prirë në njohje pas pavarësisë.

2. Jemi të brengosur me deklarimin e presidentit Erdogan, aq më shumë kur dimë për ndjenjën miqësore që ka për konsolidimin e Kosovës. Fjalët e adresuara ndaj kryeministrit tonë nuk e reflektojnë sensin tradicional të miqësisë

3. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj për mospërfillje procedurash, ligjesh e normash të Kushtetutës së vendit, me rastin e dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq autoriteteve të Turqisë. Qeveria është tejet e brengosur me shkeljen e mundshme të konventave evropiane, që, si shtet evropian, janë pjesë e rregullimit tonë juridik.

4. Kryeministri i Kosovës është zgjedhur në procedurë të rregullt demokratike. Mandati i tij rrjedh nga vota qytetare dhe ai i përgjigjet asaj. Ashtu si jemi deklaruar çdo herë, pra edhe me përpjekjen anti-kushtetuese të rrëzimit të pushtetit në Turqi më 2015, ekziston vetëm një formë e përfundimit të mandatit të Kryeministrit, ajo është me Kushtetutën e vendit.

5. Shpresojmë të vazhdojmë komunikimin, pa këtë barrë të panevojshme emocionale”.

Edhe Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria duhet ta tërheq në konsultime Ambasadorin e Kosovës në Ankara.

“Pas kësaj deklarate të Erdoganit ndaj kryeministrit të Kosovës, Qeveria duhet ta tërheq në konsultime ambasadorin tonë në Ankara dhe së paku t’i dërgoj demarsh ambasadores turke në Prishtinë. Uji i ‘watergate’ kosovar – Erdogangate po nxehet”, ka shkruar Peci.

Reagim pati edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi i cili tha se raporti me diktatorin nuk është raport i bazuar në vlera të përbashkëta, të cilat zakonisht i bashkojnë udhëheqësit e vendeve dhe shoqërive demokratike.

“Miqësia me diktatorët nuk ekziston! Raporti me diktatorin nuk është raport i bazuar në vlera të përbashkëta të cilat zakonisht i bashkojnë udhëheqësit e vendeve dhe shoqërive demokratike! Raportet e mira me një diktator mbështeten vetëm në qasjen që e përcakton diktati: kriter të vetëm kanë lojalitetin e pa kusht dhe të vazhdueshëm vetëm ndaj diktatorit”, ka thënë Sherifi në një postim në Facebook.

Sipas tij, pa marrë parasysh se sa shërbime mund t’i kryhen, “miqësia” me diktatorin përfundon në momentit e parë që refuzohet t’i shërbehet dhe të plotësohen kërkesat e tij!

“Sado e panatyrshme të duket, kjo është natyra e vërtetë e ‘miqësisë’ me diktatorin! E vetmja rrugë për të dalë nga spiralja e raporteve të tilla disimetrike është që të mos i shërbehet kurrë diktatorëve! Rrugë tjetër nuk ka”, ka shkruar ai.

In : Aktuale

Loading...
loading...