Ilire Vinca nga Struga: Valëvitësja e artit shqiptar në botë

F

Lidhjen mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në 11 vjetorin e pavarësisë dhe emrit të ri, përveç intervistës me aktoren Ilire Vinca, më simbolike nuk mund ta bënte diçka tjetër. Me preardhje nga Struga, duke jetuar e vepruar në Kosovë, me rolet e saja në filmat herë produksion i Kinematografisë së Kosovës, e herë bashkëproduksion, ka kaluar jo vetëm kufijtë evropian, por edhe amerikan.

Ilire Vinca në shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez”

Kjo intervistë vjen fill pas vlerësimit të marrë në njërin nga festivalet më të rëndësishme të teatrit në Kosovës “Talia e Flakës”. Ilire Vinca me rolin e saj në “Hipokritët ose pacienti anglez”, në regji të Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt, mori çmimin “aktorja më e mirë”. Shfaqja ishte mysafire në Shkup, gjatë muajit nëntor të vitit 2018-të.

Kthimi në fëmijërinë e saj, edukata e marrë nga një ndër profesorët më të shquar Nuhi Vinca dhe përjetimet që ajo si bijë e tij i përjetoi gjatë dëbimit politik, sigurisht se do të jenë ndër shtytësit më të mëdhenj që ajo të jetë kjo që është sot, e të jetë më shumë nesër. Ajo nuk ka pengje, sepse dëshiron të jetojë gjatë, që t’i realizojë të gjitha. 

E për të kuptuar se si nisi gjithçka që mund ta marrë mbiemrin Ilire Vinca, për t’u zhvilluar në art, duke shkelur skena botërore, lexojeni intervistën e realizuar nga Portalb.mk.

Portalb: Na e thuaj, pse kjo intervistë është e vonuar?

Ilire Vinca:Fati im është po aq i komplikuar sa e shumicës së shqiptarëve. E lindur ne Strugë si e bija e nacionalistit shqiptar, poetit, studiuesit, profesorit, Dr. Nuhi Vinca i cili për shkak se kishte “mëkatuar” si shqiptar për politikën Maqedonase të asaj kohe duke nxitur dhe edukuar rininë me ide te “rrezikshme”, e detyruan te shpërngulej me familje ne Kosovë. Këtu u rrita e u shkollova, por do te dëshiroja që të kthehesha, jo vetëm për pushime por edhe për punë profesionale. Kjo do të më sillte kënaqësi por e quaj edhe detyrim. Rrënjët tona duhet të ushqehen me vepra për të jetësuar ëndrrën për tokën, kulturën, traditën.

Portalb: Jeni shqiptarja e parë që u nominuat në “League of Profesional Theatre Women” në New York dhe që shkelët në tepihun e kuq të Berlinares. Si do të rrëfeheshe për këto dy momente para kolegeve tuaja?

Ilire Vinca në “League of Profesional Theatre Women”

Ilire Vinca:Sukseset janë frutat e punës dhe përkushtimit, por ajo që unë më së shumti e shijoj është që gjatë gjithë karrierës, sime asnjëherë s’kam menduar për suksesin apo rezultatin. Të punosh dhe të zbulosh gjatë rrugës, të njohësh personazhin e të humbësh veten, të kuptosh të vërtetën, të edukosh dhe ushqesh ëndrrën e një studenti, të jetësosh indikacionin e regjisorit, tu japësh zë mendimeve, këto janë dhurata më e çmueshme për mua. LPTW dhe Berlini kanë qenë dhe mbeten dy nga momentet që ma kanë kujtuar që suksesi dhe mirënjohja vijnë pikërisht si shpërblim për raportin që ne kemi me punën tonë.

Mes mundësive të shumta që të qëndrojë në Amerikë, ku edhe sigurisht se do të kishte më lehtë depërtimin në skenat më të mëdha botërore, ajo vendosi të kthehet në Kosovë.

Portalb: Ke pasur mundësi të qëndrosh në Amerikë, pse vendose të kthehesh në Kosovë?

Ilire Vinca:Nuk jam e sigurt se si një vajzë 21 vjeçare në vitet e krizës më të madhe në Kosovën e paraluftës, në kohën e shkollave paralele, duke e ditur edhe anglishten mjaft mirë, duke pasur në atë kohë edhe vëllain e motrën në Amerikë, vendosa të mos rri por të kthehem. Mbase e pashpjegueshme që me gjithë argumentet e logjikshme për të qëndruar atje; unë zgjodha dashurinë për vendin dhe njerëzit e mi, Ishte krejt instinktiv vendimi im, por s’jam penduar. Jam e lumtur që tani shkoj atje dhe marr mirënjohje për punën që bëj në vendin tim. Unë zgjodha të vështirën dhe ja arrita të mbaj ëndrrën gjallë.

Portalb: Sa është e vështirë të jetosh, mos te themi mbijetosh nga aktrimi?

Ilire Vinca:Asnjë profesion nuk është i lehtë dhe kërkon investim të madh si nga aspekti personal ashtu edhe profesional. Por të zgjedhësh të bëhesh Aktore? Aktrimi nuk ka qenë profesion i “ndaluar” për vajzat. Kështu e kam ndjerë unë kur u regjistrova. Por kjo nuk më ka dekurajuar aspak por më ka udhëzuar për të përjetuar realitetin dhe për të luftuar paragjykimin. Ky realitet ka filluar të ndryshe por nuk duhet të harrojmë se misioni nuk ka përfunduar. Kemi shumë punë për të bërë. Vetëdija kolektive duhet të ndryshojë, kjo është domosdoshmëri!

Portalb: Çfarë mund të na thoni për jetën tuaj si aktore? StrugaLajm

Ilire Vinca:Të jesh aktore është një profesion që të jep mundësinë të jetosh shumë jetë, të kërkosh e të gjesh të vërtetën e jetës, dhimbjes, dashurisë, humbjes, lumturisë, ambicies… mua më ka bërë më të pasur shpirtërisht. Unë arrij të shoh përtej të dukshmes, të dëgjoj përtej tingullit, të kuptoj përtej fjalës. Kjo është dhurata që unë e kam nga jeta ime si aktore.

Portalb: Ke pasur ndonjë rol që nuk është dalluar nga Ilirja?

Ilire Vinca:Rolet janë gjithmonë komplekse dhe detyrë e jona është që ti luajmë me sa më shumë shtresa apo nuanca. Natyrisht që ka role apo më mirë të them momente kur mendimi veprimi apo reagimi i personazhit është shumë i ngjashëm madje identik me natyrën tënde. Kjo është shumë e bukur sepse edhe i jep një vërtetësi lojës por edhe e frikshme sepse mund të duket si ti apo që s’je transformuar sa duhet ngase kufiri ka qenë shumë i hollë. Në rast se roli është shumë i ngjashëm atëherë për mua është punë edhe më e vështirë, sepse më së paku e njoh veten dhe të analizosh veten meqë nuk ke distancë është më e vështirë. Megjithatë, përvoja krijon hapësirë të nevojshme edhe në raste të tilla dhe ky “problem”, zgjidhet lehte.

Portalb: Suksesi në aktrim a arrihet duke i përzgjedhur rolet që i përshtaten personaliteti, apo e kundërta duhet të jetë. Si qëndrojnë rolet karshi personalitetit të Ilires? 

Ilire Vinca:Çdo rol ndikon në një mënyrë apo tjetër te unë. Gjurmët e tyre mbesin një kohë më të gjatë se sa koha e planifikuar e shfaqjes. Këto gjurmë gdhendin pak edhe personalitetin tënd. Sa më të llojllojshme të jenë rolet aq më mirë për aktorin sepse kjo të pajis me aftësinë e transformimit, një mjeshtri kaq domethënëse dhe e domosdoshme për ne. Pra unë i dua rolet që më sfidojnë të ndryshoj sa më shumë.

Ilire Vinca në filmin “Gardhi”

Portalb: Të rikthemi në aktualitet. Përveç teatrit ju jeni pjesë edhe e filmit. “Gardhi” u dekorua në Doku Fest dhe në tetor ishit pjesë e festivalit në New Orleans. Çfarë është “Gardhi” për Ilire Vincën?

Ilire Vinca:Gardhi është një film 15 minutash me një kuadër pa shkëputje që brenda vetes ka gratë tona me përditshmërinë e tyre të “lehtë” në dukje që përbrenda thotë të vërtetat e pozitës, trajtimit të saj nga shoqëria dhe mënyrës së jetës së tyre. Temat si racizmi, dajaku që hanë nga burrat, kafshët shtëpiake, sakrifica, nderi, morali etj.. Me punën e Lendita Zeqiraj si skenariste dhe regjisore si dhe aftësinë e saj të rrallë për të pikturuar realitetin, për të thënë me fjalët më të thjeshta gjërat më të komplikuara që të mbesin në fyt, e ka bërë këtë film të marrë deri tash 4 çmime shumë të rëndësishme dhe së fundmi në platformën “Vimeo” u zgjodh nga kuratorët për ta shfaqur dhe për dy ditë arriti mbi 100000 shikues. Në IMBD është radhitur i gjashti në listën e filmave më të mirë të 2018. E bukura dhe e veçanta e këtij filmi gjithashtu ka qenë edhe vajza ime Rozafa, si aktore dhe partnere në film.StrugaLajm

Filmin mund ta ndiqni: KËTU.

Portalb: A ka Ilire Vinca “gardhe” të veprimit të saj artistik? 

Ilire Vinca:Unë mendoj se kufijtë që ne i përcaktojmë na definojnë kush jemi. Gjatë jetës sime shumë shpesh më është dashur ti vë në kandar vendimet e mia. Matjet jam munduar ti bëj me kujdes të madh. Për të qenë i merituar, të duhet një jetë, e për të dështuar, një moment. Jam munduar të gjej baraspeshën mes punës dhe jetës personale. Fëmijët që i sjell në jetë, bashkë me kënaqësinë e të qenit prind, vjen edhe detyrimi për t’ju dhënë kohën e duhur, për t’ju qëndruar pranë në edukimin e dashurinë që e marrin duke qenë afër tyre. Jam e lumtur që në CV time mungojnë shumë tituj veprash, sepse për mua si nënë, fëmijët janë kryevepra.

Portalb: Aktive në pothuajse të gjitha vendet e botës, kurse jo në Maqedoni nga ku e keni prejardhjen. Si e vlerësoni teatrin shqiptar të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Shqipërisë?

Ilire Vinca:Kjo është një temë shumë e gjerë dhe kërkon një analizë të thellë për të nxjerrë ndonjë konkluzion. Bashkëpunimet dhe kontaktet mes tri vendesh që s’kanë kufij gjuhe, do të duhej të ishte të padiskutuara. Bashkëpunimet janë inekzistente ose shumë të rralla. Shpesh ato mbesin në nivelin e marrëveshjeve të nënshkruara por jo të jetësuara. Lëvizjet e shfaqjeve janë të mangëta dhe ne s’kemi mundësi as të shohim shumë prej shfaqjeve qe punohen. Duhet një platformë serioze në politikat kulturore me të gjithë parametrat si për bashkëpunimet teatrore ashtu edhe akademike. Ka shumë për tu bërë dhe shpresoj që arrihet ngadalë të ketë rritje si në bashkëpunime ashtu edhe në kualitet.

Portalb: Mund të presim rikthim të Ilire Vinces në Maqedoni?

Ilire Vinca: Po, sapo të kem një ftesë unë me shumë kënaqësi do të vij.

Portalb: Ju jeni edhe profesoreshë në fakultetin dramatik të Prishtinës dhe njëkohësisht aktive në skenë. Si ju duken aktoret e reja?

Ilire Vinca: Unë jam pedagoge në UP mbi dy dekada. Studentët i kemi shumë të talentuar, por izolimi nëpër të cilin po kalon Kosova ka ndikuar në një frustrim dhe demotivim të tyre. Ndjenja e lëvizjes së lirë është një e drejtë elementare njerëzore dhe këtë padrejtësi po e përjetojnë shumë gjenerata. Kam pasur shumë shpesh ftesa që me punën time në fakultet të prezantohem ne Universitete në Evropë e botë dhe kjo e ka vështirësuar takimin. Por paradoksi tjetër është që brenda hapësirës sonë ku s’kemi nevojë për viza, nuk ka ftesa apo interesim për të bashkëpunuar. Kjo duhet të ndryshojë dhe duhet ta kuptojmë se hapja na bën mirë dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë të gjithë.

Portalb: Pas kaq dekadash jetë artistike, aktore në shumë filma të suksesshëm dhe në vepra teatrore, ka ndonjë peng në jetën tuaj artistike?

Ilire Vinca: E kam ndërmend të jetoj gjatë se s’dua të më mbetet asnjë peng.

Portalb: Kur shikoni filmat që i keni interpretuar, a jeni kritike ndaj vetes suaj për rolet?

Ilire Vinca: Gjithmonë. Sytë dhe mendja janë të orientuara çfarë kam mundur të bëj më mirë, imagjinata punon vazhdimisht edhe atëherë kur e di fare mirë që filmi s’bëhet më. Në teatër është më ndryshe, derisa ke repriza gjithmonë ke mundësi të ndryshosh diçka.

Portalb: Mentaliteti, femra dhe aktrimi. Çfarë lidhje kanë këto terme me Ilire Vincën?

Ilire Vinca: Çdo ëndërr është e bukur dhe ajo duhet të jetohet. Përballja me vështirësi, s’do të thotë që duhet të marrim rrugën më të lehtë e sidomos jo atë që na e zgjedhin tjerët. Ndryshimi fillon nga unë e ti e sa me shumë të jemi, aq më mirë. Mos hiqni dorë, se është një çmim që duhet paguar me heqje dorë prej gjithçka që jeni. Ne bëhemi nga zgjedhjet tona, ajo që zgjedhim na jep emër, zgjidhni emrat për veten tuaj. ( Zgjedh emrin tënd!)

Komedia “Karnavalet e Korçës”,

Më 21 shkurt, premiera e komedisë “Karnavalet e Korçës”

Ilire Vinca, si pjesë e komedisë premierë “Karnavalet e Korçës”, do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, më 21 shkurt 2019-të. Në komedinë nga Spiro Çomora, përveç Vincës, do të luajnë edhe aktorët: Luan Jaha, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besar Sllamniku, Adem Karaga, Majlinda Kasumovip, Arta Selmi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajatazi.

Dresdeni. stacioni i radhës i “Gardhit”

Filmi “Gardhi” në të cilin përveç Ilire Vincës, luajnë edhe aktorët Art Lokaj, Adriana Matoshi, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Rozafa Çelaj, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan dhe Norik Xhemajli, stacionin e radhës do ta ketë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, që do të mbahet prej 9 deri më 14 prill në Dresden.

Në edicionin e 31-të të këtij Festivali, “Gardhi” do të garojë për “Golden Horsemen” (Kalorësin e artë), me 47 filma të tjerë, disa edhe të nominuar për “Oscar” – siç është rasti i filmit kanadez “Fauve” të Jeremy Comte – e fitues në festivalet e njohura si ai në Cannes, Berlin e Toronto. Në fillim të këtij viti ueb faqja e njohur për film, “Close-Up Culture” e ka përfshirë filmin “Gardhi” në mesin e 30 filmave më të mirë të shkurtër të 2018-s.


Loading...
loading...