Java e parë e vitit shkollor : Tollovi me kompletet e librave

Fillimi me tre ditë me vonë se sa një shtatori i vitit të ri shkollor, nuk ka mjaftuar për të amortizuar problemin e furnizimit të shkollave me kompletet e nevojshme të librave. Tollovia me tekstet shkollore vazhdon edhe në vitin 2017/2018, i cili ashtu si vitet e kaluara filloi duke i gjetur të papërgatitura institucionet në këtë drejtim, shkruan gazeta KOHA. Drejtues të shumë shkollave vërejnë se furnizimi i shkollave me libra duhet të bëhet disa javë para fillimit të vitit, dhe të mos lihen gjërat për në minutë të fundit. Mirëpo, edhe kur shkollave ju dërguan kompletet e librave në muajin gusht, përsëri nuk është arrit që të shmanget problemi i mungesës së shumë teksteve shkollore.

Në javën e parë shkollat janë më tepër pa libra se sa me libra. Në shkollën fillore “7 Marsi”, nuk janë dërguar libra as për të kompletuar librat e nxënësve të tre viteve të para. Siç është e rregulluar me Ligj për ciklin e parë të arsimit nëntëvjeçar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e obliguar të sigurojë tekste tërësisht të reja, të papërdorura më herët për nxënësit e klasave I, II dhe III. Drejtori i shkollës, Halil Palloshi, pohon se nxënësit nuk janë kompletuar ende me libra. Ka tollovi, si përherë.StrugaLajm

“Librat mungojnë me shumicë. Pra, për shumë lëndë nuk kemi libra aq sa kemi nxënës. Ndërsa ka raste kur për disa lëndë na kanë ardhur më tepër libra se sa është numri i nxënësve”, shpjegon për KOHA drejtori Palloshi. Por, për një pasqyrë më të detajuar, Palloshi na drejton të flasim me bibliotekistin e shkollës. Të mërkurën, në SHF “7 Marsi” kishte mungesa deri edhe për librat e nxënësve të ciklit të parë. Për nxënësit e ciklit të dytë dhe të tretë, librat thuajse nuk kishin mbërritur fare. “Kanë mbërritur ndoshta 10 libra për historinë e klasës së VII apo 10 libra për gjeografinë e klasës së VIII. Na kanë ardhur edhe disa libra për matematikën dhe shkencën e klasës VI, por numri i librave dhe lëndëve për të kompletuar tërësisht nxënësit me tekste shkollore është shumë larg”, tregon Mendushe Elezi, bibliotekistë në SHF “7 Marsi”. Furnizimi i shkollës me libra, plotëson më tej ajo, ka nis para 2-3 ditëve dhe druan se do të merr shumë kohë përmbyllja e këtij procesi. “Zakonisht zgjatën shumë kohë nga fillimi i vitit shkollor kompletimi i nxënësve me libra. Vjet kishim rastin kur disa libra për nxënësit e ciklit të lartë na erdhën në shkollë në muajin maj, pra disa javë para përfundimit ët vitit shkollor. Urojmë që këtë vit të mos na përsëriten raste të tilla”, shprehet Elezi. Ndërkaq, për nxënësit e tre klasave të para, aktualisht janë sjell vetëm librat e matematikës, shkencës dhe gjuhës shqipe, kurse mungojnë librat e anglishtes, muzikës e kështu më radhë. As për nxënësit e klasave IV dhe V nuk mund të filete për komplete librash. Java e parë e vitit është duke përfunduar dhe nuk ka asnjë shkollë e cila do të jetë e kompletuar siç duhet me tekste, pra me të gjitha librat e nevojshme për të gjithë nxënësit që disponon. As në shkollën me të rregullt nuk mund të pohojnë se nuk kanë mungesë. “Nuk mund t’ju them me saktësi se si qëndron situata për të gjitha klasat, sa i takon furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, mirëpo nuk qëndrojmë keq. Edhe mund të ketë ndonjë mungesë për lëndë të caktuara, por nuk është ndonjë situatë alarmante”, pohon Talat Sadiku, drejtor i Shkollës Fillore “Liria”. Sipas tij, kompletet e nevojshme për nxënësit e ciklit të ulët, nga klasa e parë deri të tretën janë në numër dhe nxënësit tanimë janë pajisua me libra. Edhe nxënësit e cikleve tjera, plotëson Sadiku, janë pajisur me thuajse të gjitha librat e nevojshme. Aty-këtu edhe mund të ketë ndonjë libër që mungon, thotë ai, ndërsa shpreson që për një kohë të shkurtër të vijnë edhe tekstet në fjalë.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...