Kërkesa e BDI-së për kryetar shqiptar të qeverisë, ide apo synim?!

Nga Vebi Bexheti:

Ashtu si kudo dhe kurdoherë, gjuha duhet respektuar, mbrojtur dhe përdorur në përputhje me kontekstet kuptimore. Fjala ,,ide”,që aq shumë po përdoret në këtë fushatë nga BDI-ja, por jo vetëm, në kontekstin e mendimit për të synuar diçka, siç është edhe qëllimi për ta kapur kreun e Qeverisë, më duket se përdoret gabimisht, mbase pa një analizë më të thellë të kuptimit që reflekton, mund të mendohet se përdoret me vend. Edhe pse qëllimi i paraqitjes sime, që duhet konsideruar si analizë e assesi si reagim, në kētë rast nuk ishte politika, elaborimi i ,,Idesë për Kryeministër shqiptar”, që po përdoret edhe si sllogan parazgjedhor, dhe sqarimi e zbërthim kuptimor, nuk mund të mbetet jashta kornizave politike.

Çdo garë politike e cilësdo parti për të dalë në zgjedhje parlamentare, e ka synim pushtetin, edhe ate, nga nivelet më të ulëta të tij, e deri në kreun e Qeverisë, madje edhe ate të Kryetarit të Shtetit, prandaj ky synim të konsiderohet si ,,ide”, në këtë rast, përdoret pa vend. Mendoni si do dukej sikur lideri i një partie politike t’i përgjigjet pyetjes së gazetarit se i ka lind një ide që të fitojë njëzet mandate deputetësh në Parlamentin e
Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo retorikë është e njëjtë, bie fjala me një deklaratë të këtillë të Zaevit apo Mickovskit të cilët në zgjedhje do dilnin me ,,idenë”, që ta fitojnë postin e kryeministrit maqedonas.StrugaLajm

Në sistemet me demokraci liberale dhe sistem parlamentar, dihet se si merret pushteti. Besoj se Ali Ahmeti, ashtu si të gjithë tjerët që merrem me politikë, e ka të qartë se nuk arrihet në majat e Qeverisë vetëm me slloganin ,,Koha për Kryeministër shqiptar” , madje kjo fjali as që mund të shërbejë për sllogan, sepse nga zgjedhësit, duket e pabesueshme të arrhet një gjë e këtillë, sidomos me një tetorikë pak sa egoiste të liderit të BDI-së, i cili për këtë ëndërr të kahmoçme të shqiptarëve, as që i konsultoi partitë tjera shqiptare, e as ato maqedonase, pa të cilat nuk ka Qeveri. Për ,,ide”të mëdha, edhe pse në këtë rast kjo fjalë nuk e ka vendin, hapi i parë që duhej bërë, do ishte një koalicion parazgjedhor me njërën nga partitë e bllokut maqedonas, ku do bisedohej paraprakisht për nevojën e një kryeministri shqiptar dhe një takim të domoddoshëm në një tryezë të gjitha partive shqiptare, që do i hapte rrugë së paku një analize të përbashkët për numrin e mjaftueshëm të mundshëm të deputetëve, nëse do e arrinin numrin 61.

Për të pasur sukses në këtë drejtim, gjithsesi duhej ndërruar Kushtetuta, që shqiptarët do i llogariste si shtetformues, ndërsa Maqedonia do njihej si shtet i përbërë nga dy popujt shumicë, maqedonas dhe shqiptarë, të cilët funksionet më të larta shtetërore do i kryenin me rrotacion. Zoti Ahmeti e pati rastin për t’u hyrë ndryshimeve kushtetuese, në kohën kur Kryeministrit Zaev më së shumti i duheshin votat e shqiptarëve, pa të cilat, as që do ëndërronte për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, që Maqedonisë, tani të Veriut, i hapi rrugë drejt anëtarësimit në
NATO. Me gjithë insistimin e Aleancës për shqiptarët dhe partive tjera opozitare shqiptare, që të shfrytëzohet ky rast i volitshëm për ndryshime që do ishin në dobi të shqiptarëve, deputetët e BDI-së, jo që nuk i përkrahën këto propozime, por këmbëngulnin se me këtë rast, përveç ndryshimit të neneve që kishin të bëjmë me Marrëveshjen e e Prespës nuk mund të lejohen ndërhyrje tjera në Kushtetutë.StrugaLajm

Kur i kemi parasysh të gjitha këto dhe shumë qëndrime tjera të zotit Ahmeti, i cili vazhdimisht pohonte se të drejtat e shqiptarëve janë përmbyllë me Marreveshjen e Ohrit, sidomos me Ligjin e fundit për përdorimin e gjuhëve, ku shqipja vazhdon të emërohet me njëzet përqindëshin, shtrohet pyetja prej kah tani gjithë këto kërkesa për të drejtat e shqiptarëve që kurrë më parë gjatë gjithë atyre mandateve, nuk u përmendën. Ky fenomen befasues për mentalitetin politik të BDI-së, është tregues se kjo forcë politike, duke qenë e vetëdishme për humbjen që do e pësojë në këto zgjedhje, shpëtimin e sheh te nominimi i Naser Ziberit për Kryetar Qeverie, të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me gjithë respektin që kam për personalitetin e Naserit, si intelektual e analist politik, më habit fakti se si e pranoi një ofertë të këtillë thuajse fiktive, kur dihet se pozita kryeministër, arrihet pasi të fitohet një shumicë parlamentare, nga ndonjë marreveshjeve parazgjedhore ose paszgjedhore, si rezultat i vullnetit të mirë të shumicës maqedonase, që për momentin vështirë të besohet se mund të arrihet, pa një mehanizëm kushtetues, që do i obligonte ata ta votojnë një kryeministër shqiptar. Si duket, e tërë kjo zhurmë parazgjedhore e ka synim arkëtimin e ndonjë vote më tepër, pa e përjashtuar edhe afrimin e Naser Ziberit si kuadër të BDI-së, në kohën kur kjo parti ngadalë por e sigurtē do e fitojë vendin e liderit opozitar.

In : Aktuale

Loading...
loading...