Marrëveshja me Bullgarinë dhe Shqiptarët

Me ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim, në Parlamentin e Maqedonisë, midis Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Bullgarisë, vallë a po realizohet më në fund ëndrra bullgare e Traktatit të Shën Stefanit për një Bullgari nga Deti i Zi deri në Ohër, apo deri në Shën Naum.
Kjo çështje duhet të shqyrtohet nga këndvështrime të ndryshme, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara me politikat që po zbaton qeveria e re e Maqedonisë e udhëhequr nga Zoran Zaev.
Sa i përket rolit të shqiptarëve apo faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe politikës së shtetit shqiptar, shumë lehtë mund të konstatojmë se me veprimet e tyre ata kanë ndihmuar këtë proces të dyshimtë.
Së pari, Parlamenti i Shqipërisë, me kërkesë të shtetit Bullgar, përmes një rezolute, njohu pakicat bullgare në Shqipëri.
Së dyti, Parlamenti i Maqedonise, ratifikoi Marrëveshjen për Bashkëpunim midis Maqedonisë dhe Bullgarisë përmes votave të deputetëve shqiptarë.
Si përfundim, shtrohet pyetja: – A është vallë në interes të popullit shqiptar kjo politikë e re ose jo?
Sigurisht që Bullgarisë nuk i intereson aq shum emri i Maqedonisë sa i intereson ndikimi direkt i saj në Maqedoni përmes formave më të sofistikuara politike moderne. Edhe shteti rus poashtu duket sikur ka hequr dorë nga ndikimi në Maqedoni. Kjo mund të konstatohet nga deklarata e fundit e ministrit të jashtëm rus Lavrov kur thotë se Rusia pranon çfarëdo emri për Maqedoninë për të cilin do të dakordoheshin Athina dhe Shkupi dhe se Amerika e bën këtë për ta pranuar Maqedoninë në NATO. Si duket, Rusisë i konvenon që Maqedonia të futet në NATO përmes Bullgarisë. Mos ndoshta kjo është një politikë afatgjate, largpamëse e Rusisë?!
Për momentin, mbase, do të ishte më e qëlluar një marrëveshje e ngjashme e Shqipërisë me Maqedoninë sikurse ajo e Maqedonisë me Bullgarinë. Në atë marrëveshje mund të shqyrtohej edhe çështja e Shën Naumit, e Nënë Terezës, e shqiptarëve ortodoksë, apo edhe shumë çështje të tjera të dyshimta si ajo e librave të historisë etj.
Nebi Arifi

Ja dhe një fragment nga Traktati i Shën Stefanit:StrugaLajm

Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.
Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.StrugaLajm

Nebi Arifi


Loading...
loading...