Një në tetë gra preket nga kanceri i gjirit në Maqedoni

Dr.Ismaili apelon që çdo grua të bëjë kontrolle duke përfshi ehon, një ose dy herë në vit pas moshës 25 vjeçare, kurse pas moshës 35 vjeçare deri në 40 vjeçare, të fillohet me skrining ose mamografi, çdo dy deri tre vjet

Delvina KËRKULU

Shkup, 4 dhjetor – Kanceri i gjirit vazhdon të jetë shkaktari më i shpeshtë i vdekjes së grave nga mosha 45-55 vjeç. Rëndësia e zbulimit të hershëm është një faktor shumë me rëndësi në parandalimin e kësaj sëmundje dhe kjo sidomos mund të bëhet te femrat e reja. Në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, dr.Ilir Ismaili thotë për gazetën KOHA se pacientja më e re është një vajzë 18-vjeçare e diagnostifikuar me kancerin në gji, por se gjendja e saj është stabilizuar dhe vazhdon të kurohet. Në Maqedoni ka rritje të numrit të prekur nga karcinomi në gji. Për një vit paraqiten mbi 700 raste, por ndërgjegjësimi i grave për kontroll ndikon në diagnostifikimin e hershëm të sëmundjes.
“Fatkeqësisht, viteve e fundit kemi një tendencë në rritje të numrit të rasteve të rejave të karcinomit të gjëndrës së gjirit. Statistikat thonë se në vit kemi madje deri 750 raste të reja të diagnostifikuara me këtë sëmundje. Por në anën tjetër, kemi edhe një tendencë të vetëdijesimit të popullatës për shkak të fushatave të të mediave që informojnë pacientët me repartet për kontroll të sëmundjeve malinje në përgjithësi, dhe të karcinomit të gjirit në veçanti”, nënvizon onkologu Ismaili. Ai saktëson se Maqedonia megjithatë është lider për standarde dhe kushte më të mira në rajon, ndonëse për ta arritur nivelin evropian, duhet edhe shumë punë.StrugaLajm

Sipas onkologut, çdo grua duhet të bëjë kontrolle duke përfshi ehon, një ose dy herë në vit pas moshës 25 vjeçare, kurse pas moshës 35 vjeçare deri në 40 vjeçare, të fillohet me skrining ose mamografi, çdo dy deri tre vjet. Këto metoda tregojnë nëse ka ndonjë problem, ndryshim apo jo, ndërsa çdo ndryshim duhet të verifikohet me citopunkcion, për të zvogëluar numrin e biopsive të panevojshme. Nga shoqata për luftën kundër kancerit “Borka”, thonë për gazetën KOHA se në Maqedoni ka kushte për shërimin nga kanceri në gji, mirëpo duhet të vazhdohet të trajtohet më me siguri pacienti, ndërsa terapitë e reja të vendosen në listën pozitive.StrugaLajm

Nga kjo shoqatë thuhet se një në tetë gra mund të diagnostikohen me kancer të gjirit në një fazë të caktuar të jetës së tyre. Në Maqedoni, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit është ende e lartë në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Falë zbulimit në kohë dhe trajtimit të duhur, gjithnjë e më shumë gra mund të shërohen tërësisht dhe të provojnë se kanceri i gjirit mund të tejkalohet. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...