Nota, shifër apo dije?

Kuptimi për arsimin sot ka ndryshuar, bashkë me procesin e përgjithshëm të transformimeve shoqërore. Nëse në të kaluarën arsimi shqip identifikohej me qirinjtë e ndezur, që jo rrallë fikeshin nga erërat e egra barbare, sot ai duhet të jetë treguesi më i saktë që regjistron lëvizjet sejzmike. Që të mos kemi dridhje të mëdha tektonike, është e domosdoshme ta konsolidojmë të sotmen dhe të ardhmen tonë me shtyllat e forta të edukimit dhe profesionalizmit Perëndimor

 StrugaLajm

Nga Emin AZEMIStrugaLajm

Profili i një qytetari të dinjitetshëm nuk është vetëm produkt i kompetencave sociale të formimit, por edhe të edukimit dhe kulturës së mjedisit. Te ne shkolla është konsideruar me të drejtë vatër formimi intelektual e profesional, ndërkohë që familja – vatër e formimi moral e qyetar. Një shoqëri e shëndoshë shumë lehtë e ka t’i bashkëdyzojë këto formime, mirëpo në shoqëritë me telashe sociale ekonomike vështirë arrihet kjo koegzistencë. Ajo çka po i mungon me vite zhvillimit tonë është qasja ndaj formimit. Ka shumë njerëz sot që formimin e marrin rrugës, dhe kjo është shumë normale, por jo pak ka edhe prej atyre që krijojnë aureola vetëkënaqësie rreth vetes, duke refuzuar qarkullimin e ideve, si proces normal i transformimit të personalitetit. Defektet që po shfaqen në arsim, ku dija ka kaluar në grafikon numrash, po reflektohen edhe në shoqëri. Ka shumë student sot që notën mesatare luftojnë ta rrisin për të aplikuar për ndonjë bursë, e jo të përvetësojnë dije që do të jenë kompelementare dhe konkurruese në një ambient më të avancuar shkencor, kulturor e social. Vrapi pas numrave e jo pas dijes do të bëjë që një ditë shumë pak veta të mbërrijnë në cakun e maratonës, sepse konkurrenca që prodhon vetëm numra e ka vështirë të përballojë kërkesat e kohës.
Drita e diturisë, për të cilën u flijuan jo pak breza, do të ishte e mangët për të na kujtuar rrugën kah eci zhvillimi ynë, sikur sot të mos ishin plazmuar në shpirtndërtimin tonë disa nga vlerat e dijes dhe emancipimit. Beteja për të patur arsim kombëtar gjithmonë ishte shoqëruar me idenë madhore të Rilindësve, të cilët aksionin e tyre kulturor e politik e projektonin me formën e shkronjave të bukura të alfabetit të shqipes. Dallgët e shekujve ishin munduar ti deformonin këto forma, duke nxjerrë jo rrallë në brigjet e kohës edhe trajta çoroditëse të ndërhyrjes arbitrare mbi autonominë arsimore të shqiptarëve. Duke lëvizur nga arabeskat e ngatërruara e deri te ftohtësia refuzuese e cirilikes, lavjerrësi etno-kulturor i shqiptarëve mundohej ta gjente Itakën e vet të prehjes, brenda plotnisë gjuhësore e shkrimore.
Pas shumë udhëtimesh të mundimshme, heronjtë e arsimit shqip arritën të sjellin në brigjet shqiptare edhe bankat e para ku do të cicërohej gjuha e ëmbël shqipe. Që nga Korça, Elbasani e deri në Dibër, Tetovë e Kumanovë pishtarët e diturisë krijuan skuadrën e madhe të arsimdashësve.
Sot, historinë tonë të zhvillimit do të mund ta masim me parametrat që na ofron niveli arsimor i brezave. Një arsim i konsoliduar kombëtar nuk do të ishte në shkallën adekuate të kërkesave nëse ai nuk i nënshtrohet kritereve të mirëfillta valorizuese dhe krahasuese. Vetëdija për të patur një arsim të shëndoshë buron në nevojën që progresi shoqëror të bazohet medoemos mbi selektimin pozitiv të kuadrove të pajisur me edukim të mirëfilltë shkencor e profesional.
Sfida e arsimit, është edhe sfidë e gjithë shoqërisë. Do të ishte e pafalshme që gjithë atë luftë brezash për të mbajtur gjallë arsimin shqip, përfshi edhe sakrificat titanike për themelimin e Universitetit të Tetovës, ta devalvonim duke mos ofruar një kondicion më dinamik në zhvillimin tonë arsimor.
Kuptimi për arsimin sot ka ndryshuar, bashkë me procesin e përgjithshëm të transformimeve shoqërore. Nëse në të kaluarën arsimi shqip identifikohej me qirinjtë e ndezur, që jo rrallë fikeshin nga erërat e egra barbare, sot ai duhet të jetë treguesi më i saktë që regjistron lëvizjet sejzmike. Që të mos kemi dridhje të mëdha tektonike, është e domosdoshme ta konsolidojmë të sotmen dhe të ardhmen tonë me shtyllat e forta të edukimit dhe profesionalizmit Perëndimor. (koha.mk)


Loading...
loading...