Pehlivanët e politikës shqiptare në Maqedoni

PEHLIVANËT E POLITIKËS SHQIPTARE

Shkëlzen Halimi

Midis partive shqiptare (ato që e kishin provuar pushtetin) zhvillohej një lloj “lufte e ftohtë”. Ato luftonin kryekëput për aspektin financiare të pushtetit, krejt kjo e mbuluar me vellon e tejdukshme të çështjes kombëtare, kurse populli shërbente si mish për top në “luftën e tyre” për të treguar se kush është patriot e kush tradhtar…
Ajo që duhet potencuar është edhe fakti trishtues se partitë shqiptare sa me vetëdije sa pa të, u gjetën në orbitën e interesave të ndryshme. Kjo bëri që ato të jenë të varura politikisht edhe nga struktura të caktuara brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ndërkaq, liderët politikë shqiptarë më shumë u dëshmuan si “grindavecë” të vegjël, të cilët plotësonin dëshira të grupeve të ndryshme që vepronin në kuadër të partive, në krye të të cilëve ishin ata.
Skena politike shqiptare fatkeqësisht u stërmbush me pehlivanë, të cilët me lehtësi të madhe dhe pa fije turpi, i ndërronin fanellat partiake, varësisht partisë që bëhej pjesë e pushtetit…Politizimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare solli edhe harrimin e qëllimit të krijimit të partive politike. Filluan të shpiken tradhtarët, sahanlëpirësit e pushtetit, spiunët e kështu me radhë, kurse kjo, duke mbajtur tensionin e lartë, zhvendoste vëmendjen nga problemet dhe skenarët e ndryshëm…
Ishte tragjike sjellja e këtillë që dëshmonte se “liderët” tanë ishin të mirë vetëm në kopjimin e metodave staliniste-enveriste. Ata nuk zgjidhnin metoda për të mbrojtur politikat e tyre. Nuk është fshehtësi, disa nga këta liderë injektuan edhe frikë dhe sajime të ndryshme për ata që mendonin ndryshe. Ata i kishin mekanizmat e pushtetit dhe në vend që të kontribuonin për ndryshime së paku minimale të jetës së shqiptarëve, merreshin me ata që nuk u përkulën para tyre, duke u dërguar në vendet e punës lloj-lloj inspektorë financiar për të gjetur “qime në vezë”, thjeshtë për ta penguar veprimtarinë e tyre, por edhe duke i terrorizuar nëpër vendkalime kufitare, duke i kërcënuar me mjetet e pushtetit (zakonisht me pjesëtarë të policisë dhe të shërbimit sekret), duke i trajtuar si individë që “rrezikojnë” shtetin… Kambanat e alarmit paralajmëronin se shoqëria shqiptare ishte buzë greminës.

In : Aktuale

Loading...
loading...