Përkthyesi shqiptar në gjykatën zvicerane: “Është e mundimshme kur i akuzuari vetëm gënjen”

Riza Demaj përkthen në sallat e gjyqit në Aargau, midis gjykatësve dhe personave të akuzuar që nuk do ta kuptonin njëri-tjetrin pa një përkthyes.

Është njësoj sikur të kthehej në shtëpi. Kur Riza Demaj arrin shkallët e sipërme të Gjykatës rajonale në Kulm, nëpër fytyrat e të gjithë të pranishmëve lind një buzëqeshje. Juristët, policët, stafi i gjykatës, madje edhe të akuzuarit që presin në pranga para sallës së gjykatës. Riza Demajn e njohin të gjithë me emër dhe e simpatizojnë, shkruan «Aargauer Zeitung», përcjell Shtegu.com.

Kjo nuk e pengon askend, pasi Riza Demaj është një person jashtëzakonisht pozitiv. Inteligjent dhe i zhytur në mendime. Me çdo shtrëngim duarsh, njeriu i dobët me sytë blu, atë që i rri përballë e shikon thellë në sy. Sikurse edhe në çdo seancë tjetër gjyqësore, ai ka arritur me biçikletën e tij. “Nuk më intereson nëse bie shi apo borë”, thotë ai.

Në sallën e gjykatës, gjykatësi Märki kujton përkthyesin për detyrat e tij: “Si një përkthyes i rregullt, ju e dini që duhet të përktheni me vërtetësi”. Ai i cili nuk e bën këtë, mund të ndëshkohet me burg deri në pesë vjet.

Demaj është ulur pranë të akuzuarit – një person shqipfolës, 29-vjeçar, i cili ka përhapur ADN-në e tij në mbi 30 vjedhje në rajon. Për tre vjet me radhë, Demaj përkthen në këtë rast midis autoriteteve dhe të akuzuarit. Verimaqedonasi rrezikon disa vite burg dhe dëbim nga Zvicra. Demaj është i përqendruar. Ai i përkthen njëkohësisht pyetjet e gjykatësit dhe përgjigjet e të akuzuari, pa shkruar asnjë fjalë të vetme.

Rrëfime të tilla janë bukë e përditshme e Demajt. Për 25 vjet, ai ka përkthyer për gjykatat, në marrjen në pyetje në polici, në bisedime me prokurorin, por edhe në bisedimet prind-mësues nëpër shkolla. Ai e bën këtë në gjuhët e ish Jugosllavisë. Me përkthime kishte filluar rastësisht, thotë Demaj, i cili ka rrënjë kosovare. Në fund të vitit 1990, Demaj erdhi në Zvicër si refugjat. Ai ndoqi një kurs katërmujor gjermanisht në Lucern dhe shumë shpejt u transferua në Kantonin Aargau. Ai me të vërtetë dëshironte të punonte dhe të fitonte para vetë. Me ndihmën e një miku në Suhr, ai u punësua në vendin e tij të parë të punës. “Jam rritur në Kosovë në një lartësi mbidetare prej 2000 metrash”, thotë ai. “Gjithmonë kemi pasur qumësht të freskët bio. Kjo është arsyeja pse unë doja të punoja në ndonjë qumështore.”. Ai u punësua shpejt në qumështoren «Aargauer Zentralmolkerei» në Suhr, ku qëndroi 15 vjet dhe nuk humbi asnjë ditë pune për shkak të sëmundjes. Ai e donte punën e tij atje. Gjatë një udhëtimi me tren, atij i ndodhi një bisedë me një mësuese, e cila i tregoi për vështirësitë që do të lindnin për shkak të mungesës së gjuhës dhe njohurive kulturore në bisedimet e prindërve. “Dhe ajo më pyeti nëse do të doja të përktheja”. Më shumë se dy dekada më vonë, Riza Demaj ka përkthyer në 25,000 raste.

Riza Demaj / ( Foto: Colin Frei)

Demaj nuk ka pushime prej 13 viteshStrugaLajm

Punëdhënësi i tij i qumështores e kishte lejuar gjithmonë që të angazhohej për këtë punë plotësuese dhe të largohej nga puna. Edhe nëse autoritetet i ofronin Demajt ndonjë rast të shkurtër si përkthyes. Por Demaj dhe shërbimet e tij interpretuese ishin gjithnjë e më të kërkuara. “Në vitin 2005, unë braktisa punën time në qumështore dhe krijova biznesin tim me një agjensi përkthimi”.

Demaj është një burrë i dashur dhe pranon çdo telefonatë që i paraqitet. Mund të jenë autoritetet që i duhen atij në afat të shkurtër për ndonjë seancë. “Unë nuk kam qenë me pushime që nga viti 2006”, thotë ai, duke buzëqeshur i kënaqur. Me bashkëshorten e tij, Demaj ka tre fëmijë të rritur. Më së shpeshti ai largohet për fundjavë, në atdheun e tij të vjetër, në Kosovë. «Unë e dua Zvicrën, familjen time dhe ndjehem shumë mirë këtu». Nëse ai dëshiron të relaksohet, ai thjesht i hipë biçikletës së tij. “Një herë dashta të bindem se sa kilometra mund të ngas për një ditë. I bëra 400”. Brenda një viti gjithsej deri në 15,000 kilometra.

Çiklizmi është mënyra e tij e udhëtimit midis punës dhe kthimit në shtëpi. “Biçikleta më ndihmon shumë. Në këtë mënyrë unë mund të shpëtoj nga energjia negative”.

Përveç përqendrimit më të lartë që i nevojitet si përkthyes i gjykatës, atij i janë nevojitur edhe njohuri të mira të natyrës njerëzore. “Ndonjëherë vërej se ndonjë person tregon vetëm gënjeshtra gjatë marrjes në pyetje disaorëshe. Kjo është e mundimshme”. Sidoqoftë, nuk ishte detyra e tij të zbulonte të vërtetën, por t’i përkthente gënjeshtrat me vërtetësi për autoritetet. “Përkthimi i gënjeshtrave mund të ndihmojë për të zbuluar kundërshtitë”.StrugaLajm

Njohuritë e Demajt për zakonet në kulturat e Ballkanit, i ndihmojnë atij dhe autoriteteve. Kjo shpesh te të akuzuarit sjell krijimin e besimit të madh tek ai.

Edhe hajni 29-vjeçar, i cili po gjykohet në Kulm, e dëgjon Demajn disa herë pasi ky e këshillon të mos flasë i padëshiruar. Ndërkohë, në sallën e gjykatës mund të ndjehet një tension i caktuar. Zëri i kryetarit të gjykatës ndryshon sepse i intervistuari është i indinjuar dhe i ngatërruar në kontradikta. Gjithashtu, toni i të akuzuarit është i thyeshëm. Ai ndjehet i keqkuptuar dhe fajëson policët dhe avokatët. Vetëm zëri i Demajt nuk ndryshon. I matur dhe i përqendruar, ai vazhdon t’i përkushtohet interpretimit të njëkohshëm. “Ju jeni një gënjeshtar”, I bërtet i akuzuari prokurorit. Prangat e tij zlëshojnë zhurmë në tokë. Demaj bën një gjest qetësues. Gjuha e tij e trupit nuk bien ë sy, por prania e tij është mbresëlënëse, informon më tej Shtegu.com.

Ndodh shumë shpesh që i akuzuari atë e shikon jo vetëm si përkthyes, por edhe si bashkatdhetar. Një herë një i ri i kërkoi nga ai që të gënjejë. “Unë përpiqem t’i bëj ata të kuptojnë se roli im është ai i përkthyesit. Unë i di kufijtë e mi».

Riza Demaj përjeton të gjitha llojet e fateve përmes profesionit të tij. Divorci, dhuna në familje, krimi i lidhur me drogën, vrasjet ose vjedhjet. Megjithatë, për të jo të gjithë ata që e shkelin ligjin, janë njerëz me qëllime të këqija. ” Unë mund të bëj dallim midis një burri familjar që këtu vjen për të punuar ilegalisht dhe të ndonjërit që hyn nëpër shtëpi familjare për tu pasuruar”.

Rastet më të këqija janë vrasjet. “Këto nuk mund të harrohen aq shpejt”. Po që se dëshirohet të përkthehet afatgjatë dhe me sukses, duhet të keni një personalitet të fortë. Pas seancave gjyqësore, ai përpiqet të shkyçet dhe të fshijë disa gjëra. “Por ndonjëherë kjo nuk funksionon”.

Ndërkohë, jashtë bie shi rrëke. Kryetari i gjykatës Märki hap verdiktin, përkthen Demaj. Hajni nga Maqedonia e Veriut duhet të burgoset për shtatë vjet dhe më pas të dëbohet nga Zvicra për 12 vjet.

Pavarësisht motit të lagësht dhe të ftohtë, Demaj i përvjelë pantallonat dhe hip në biçikletën e tij. Për në Suhr, ku ai jeton, është pothuajse gjysmë ore. Se sa vjeç është Riza Demaj, ai nuk zbulon. “E kam fikur orën kur isha 25 vjeç. Kështu që 25», thotë ai dhe qesh me zemër.

*****************************************************************

Gjykatësi rajonal e kritikon përkthimin në Aargau

Michael Derrer, gjykatësi i rrethit në Rheinfelden, bën thirrje për një profesionalizim të sistemit të përkthimit të gjyqësorit në Aargau. Ai gjithnjë ka përjetuar se si persona me kompetencë të pamjaftueshme angazhohen si përkthyes në gjykatë. “Mungesa e performancës së përkthimit mund të ketë pasoja thelbësore dhe madje të çojë në vendime të gabuara”, thotë Derrer. Aargau ka mbetur prapa zhvillimeve nga kantone të tjera, ku u testuan kompetencat kryesore për përkthim. “Gjyqësori i Aargau vitin e kaluar e kundërshtoi sugjerimin tim për një provim pranues për përkthim dhe e justifikoi këtë me kosto shtesë”, vazhdon Derrer në njoftimin e tij personal në media. Është për tu shpresuar se diçka do të ndryshojë: “për të përmbushur kërkesat e një gjyqësori bashkëkohor”, tha Derrer./Shtegu.com

In : Aktuale

Loading...
loading...