Syrja Rashidi: Gjuha shqipe, jo gjuhë e 20 përqindëshit

Komisioni për Çështje Kushtetuese nisi shqyrtimin e teksteve mbi draft-amendamentet e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Në fillim të mbledhjes, shumica dhe opozita u përplasën për çështjen e transmetimit të mbledhjes në kanalin zyrtar të Kuvendit. Kryeministri Zoran Zaev kërkoi proces gjithëpërfshirës në shqyrtimin e teksteve të amendamenteve, duke theksuar se identiteti maqedonas nuk shndërrohet në maqedonas verior.

“I qëndroj fjalës time se akoma vlen oferta për proces inkluziv në këtë fazë në suaza të shpirtit të marrëveshjes së Prespës. Jam i sigurt se Kuvendi i Maqedonisë si shtëpi ligjvënëse është institucioni kompetent dhe deputetët janë të zgjedhurit të cilët do ta zbatojnë procesin e ndryshimeve kushtetuese duke u thirrur në interesat e qytetarëve”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.
Ish kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski kërkoi nga shumica që për çdo nen kushtetues ku përmendet emri Maqedoni të propozohet amendament në vete.

Opozita shqiptare këmbëngul që në Kushtetutë gjuha shqipe të njihet si e tillë dhe jo si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës. Në angazhimin e shtetit ndaj diasporës, opozita kërkon që të përfshihen të gjithë qytetarët dhe jo vetëm ata maqedonas.StrugaLajm

“Unë dhe qytetarëve mi duam që gjuha që e flasim ne të quhet gjuha shqipe dhe jo gjuha e 20 për qindëshit. PO të ishim në një shoqëri normale, këtë propozim nuk do ta jepja unë këtu por do ta jepte cili do deputet jo shqiptar”- tha Syrija Rashidi, deputet i ASH-së.StrugaLajm

“Bëhet dallim i skajshëm në paragrafin 1 të këtij draft-amendamenti, tregohet kujdes për popullin maqedonas jashtë, trashëgiminë dhe historinë e saj, ndërsa ne të tjerët trajtohemi si shtetas apo qytetarët dhe kur të kemi ndonjëherë ndonjë punë jashtë Maqedonisë mund ta realizojmë ndonjë të drejtë qytetare”- theksoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa. Ditëve në vijim Kuvendi do të shqyrtojë edhe tekstet e amendamenteve ndaj Preambulës, angazhimit të shtetit ndaj diasporës dhe pacenueshmërisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit. Më 1 dhjetor draft-amendamentet do të vendosen për votim në seancë plenare.

Adrian Kerimi/Alsat-M

In : Aktuale

Loading...
loading...