100 ditët e para të Merkos, 100 të larguar nga puna

Të nderuar qytetarë, të nderuara media,

Kaluan 100 ditë që nga fillimi i mandatit të udhëheqësisë së re të Komunës së Strugës. Është e udhës që në krye të 100 ditëve, i pari i  komunës të dalë para qytetarëve dhe të jap llogari për punët e kryera në këto ditë të para të mandatit. E meqë kjo udhëheqësi nguruan dhe nuk dolën të japin llogari, na takon neve që t’ia përkujtojmë të bërat dhe të pabërat. Fakt është se për këto 100 ditë nuk është bërë asgjë nga ajo që është premtuar. Nuk është realizuar asnjë punë për qytetarët. Është 100 ditëshi më i dobët dhe më i zi i të gjitha qeverisjeve me një komunë, në vend dhe rajon.
Ky 100 ditësh ka qënë aq i zi, për shqiptarët e Strugës sa që atyre ka filluar t’iu rikthehet ndjenja e të qënit i diferencuar dhe i mohuar nga pushteti, si në kohën e ish Jugosllavisë. Këtë e themi me bindje të plotë dhe me fakte konkrete.
Në këto 100 ditë, Ramiz Merko bashkë me maqedonasit e vet, pinjollët e ish sistemit, vetëm kanë diferencuar shqiptarët. I kanë diferencuar në të njejtën mënyrë si në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar dhe fillimit të viteve 90-të, në vitet e para të pavarësimit të Maqedonisë. Është e njëjta mënyrë, veçse ka ndryshuar forma dhe trajta duke iu përshtatur kohës.
Për 100 ditë rreth 100 familje kanë mbetur pa të ardhura në shtëpi sepse Merko dhe shokët e tij i larguan nga puna, pa të drejtë. Këto ishin krejt shqiptarë dhe familje shqiptarësh.
Ju larguat nga puna shqiptarë të rinj e të reja, plotë shpresë, dije dhe energji për të kontribuar në këtë vend dhe të mos largohen si shumë të tjerë.
Larguat nga puna njerëz familjarë, të cilët nuk kanë burim tjetër për të ushqyer fëmijët e tyre.
Ju larguat edhe zonja të moshuara para pensionit, vetëm për të kënaqur egon tuaj dhe për të shfryrë inatin tuaj nga rezultati i dobët që e morët tek familjet shqiptare.
Ju diferencuat dhe internuat nëpër objekte dhe vende pa kurrfarë kushti për punë dhjetra profesionistë të dalluar të fushave të caktuara, vetëm që atyre t’ua ulni krenarinë e dinjitetin dhe që t’iu nënshtrohen juve dhe lojërave tuaja të pista.
Ju keni kërcënuar, shantazhuar dhe dënuar administratorë të pafajshëm duke iu kontrolluar atyre edhe llogaritë personale në rrjetet sociale, duke i penguar lirinë e të menduarit e jo më të të shprehurit.
Krejt këto i keni bërë ekskluzivisht ndaj shqiptarëve. Na tregoni sa maqedonas keni larguar nga puna!? Tregoni pse vetëm shqiptarëve ua ndërpretë kontratat në komunë e maqedonasve ua vazhduat të gjithëve. Madje keni punësuar edhe maqedonas të tjerë.
E dimë se keni frikë të dilni para shqiptarëve dhe të jepni llogari për krejt këto. E dimë se ju djeg se ju nuk i përfaqësoni ato. Por bëhuni të guximshëm dhe dilni e tregojuni shqiptarëve se a jeni kryetar komune edhe i shqiptarëve apo vetëm i maqedonasve!?
Aleanca për Shqiptarët-Strugë
StrugaLajm

StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...