110 vjetori i Alfabetit, në Shkup apo Manastir?

Kjo datë, që është pjesë e kalendarit të festimeve mbarëshqiptare, këtë vit pritet të shënohet ndryshe. Shënimi i kësaj date po ashtu koordinohet nga Qeveria dhe Muzeu i Alfabetit, sipas një programi të përbashkët aktivitetesh që zhvillohen në Manastir dhe Shkup. Por drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani pohon se nuk janë të sigurt nëse tradita do të vazhdojë edhe sivjet dhe manifestimi qendror, Akademia solemne do të mbahet në Manastir

Evis HALILI

Shkup, 6 tetor – Se ku do të bëhet ceremonia kryesore e shënimit të 110 vjetorit të Kongresit të Gjuhës Shqipe, në Manastir apo Shkup – ende nuk dihet. Kjo datë, që është pjesë e kalendarit të festimeve mbarëshqiptare dhe për të cilën është ngritur një Këshill i posaçëm në Maqedoni i kryesuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, këtë vit pritet që të shënohet ndryshe, shkruan gazeta KOHA. Shënimi i kësaj date po ashtu koordinohet nga Qeveria dhe Muzeu i Alfabetit, sipas një programi të përbashkët aktivitetesh që zhvillohen në Manastir dhe Shkup. Por drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani, pohon se nuk janë të sigurt nëse tradita do të vazhdojë edhe sivjet dhe manifestimi qendror, Akademia solemne do të mbahet në Manastir.

“Ne i kemi disa data dhe aktivitete që fillojnë që nga 14 nëntori, ditën kur janë hapur punimet e Kongresit, por sa i takon datës 22 nuk e dimë nëse Manastiri do të jetë kryeqendra e aktiviteteve.  Shënimin e kësaj date mund të organizojë çdokush me aktivitete dhe ceremoni të ndryshme, apo edhe në çdo qytet, por rëndësi ka që ceremonia kryesore të mbahet në këtë qytet. Nuk është mirë të kthehet ajo praktikë e disa viteve më parë kur aktivitetet kryesore mbaheshin në Shkup. E rëndësishme është që gjithçka të ndodhë këtu, që kjo datë dhe ditë historike për shqiptarët t’i jepet pesha dhe rëndësia që meriton”, thotë Arsllani.

Në Këshillin organizativ për shënimin e Vitit të Gjergjit ende nuk kanë përfunduar me përpilimin e agjendës së aktiviteteve. Zëvendëskryetari Skënder Asani thotë se planifikojmë që ky përvjetor i 110-të të festohet me të gjitha atributet, si pjesë e kalendarit të shënimeve zyrtare.StrugaLajm

“Ka një sërë ngjarjesh që do të zhvillohen për 22 nëntor. Duke filluar nga personalitet politike nga jashtë vendit që do të jenë të ftuar të marrin pjesë, por edhe prurjet e reja shkencore, dokumentet e pazbardhura më parë që do të hedhin një dritë të re mbi atë se çfarë ka ndodhur gjatë Kongresit të Manastirit. Programi i aktiviteteve është ende duke u punuar, por mund të them se aktivitetet do të zhvillohen edhe në Manastir, por edhe në Shkup, në Parlament, për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj date të madhe”, thotë Asani.

Edhe nga Sekretariati për Implementimin e marrëveshjes së Ohrit nuk janë ndonjë informacion sqarues lidhur me aktivitete e kësaj dite. Në ndërkohë në Manastir, Muzeu i Alfabetit pas një vonesë prej më shumë se një vit pritet që të restaurohet.

Procedurat i kanë kaluar të gjitha hallkat zyrtare të miratimit dhe pritet që pas tenderit të shpallur këto ditë të fillojnë punimet për restaurimin e plotë të godinës dhe zgjerimin e muzeut në të dy katet. Restaurimi i parë, i pjesshëm i godinës u bë në vitin 2008 nga Ministria e Kulturës, kur u shënua 100 vjetori i Kongresit të Alfabetit. Pas dhjetë vitesh kjo ndërtese do të restaurohet dhe do të bëhet funksionale falë grantit të Fondeve të Zhvillimit IPA, i akorduar vitin e kaluar. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...