Autostrada Kërçovë-Ohër nuk përfundon as më 2021

“Bëhet fjalë për një projekt që në njëfarë mënyre ka filluar të ndërtohet nga kulmi , me një projekt të keq dhe të vjetër dhe në mungesë të matjeve serioze gjeomekanike të trasesë. Kur realizuesit e ndërtimeve kanë filluar me punë kanë filluar të rrëzohen shpatijet, për shkak se nuk janë projektuar në bazë të normativave dhe rregulloreve”, thotë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski

Fisnik PASHOLLI

– Autostrada Kërçovë-Ohër nuk do të përfundojë në verën e vitit 2021 siç ishte planifikuar paraprakisht. Probleme të ndryshme me projektimin e serishëm të rrugës,zhdëmtimin e pronarëve të tokës, dhe punët shtesë që kanë dalë nga projekti i ri do të vonojnë këtë arterie shumë të rëndësishme rrugore në Maqedoninë e Veriut. Ky aks rrugor i gjatë 57 kilometra filloi të ndërtohet në vitin 2014, ndërsa me plotësimet e anekseve do të arrijë koston prej afër 600 milionë euro nga 400 milionë euro paraprake për shkak të punimeve shtesë. Me fjalë të tjera vlera fillestare është rritur për 186 milionë euro shtesë nga kostoja fillestare prej 411 milionë euro për punimet në tunele, mihjet shtesë të truallit, sanimin e pjesëve që rrëshqasin, projektimin e hyrje-daljeve të reja nga autostrada dhe rrugëve alternative.

Në tërë trasenë duhet të realizohen 67 projekte të reja. Të dhënat nga tereni flasin se nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e 57 km të autostradës, por edhe për ndërtimin e 60 km të tjera të rrugës për hyrje-daljet dhe akset alternative. Pritet që në total me projektin e ri, autostrada Kërçovë-Ohër të ketë dhjetë hyrje dalje dhe atë Knezhino në Kërçovë, Izvor, Arbinovë, Izdeglavlje, Botun, Mesheishte, Trebenishtë, Aeroporti i Ohrit, Podmolje apo dalja për në Strugë dhe dalja te Kisha Shën Erazmo. Kohë më parë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski theksoi se pa përfunduar i tërë procesi i blerjes së tokës, nuk mund të punohet dhe nuk mund të ofrohen afate më të sakta për përfundimin e kësaj autostrade. Sipas tij, përqindja e realizimit të kësaj autostrade ishte 85 për qind me projektin e parë, ndërsa pas projektimit të sërishëm dhe punëve të tjera si hyrjet dhe daljet e reja dhe të ngjashme, përqindja e realizimit të tij është 55 për qind.

“Bëhet fjalë për një projekt që në njëfarë mënyre ka filluar të ndërtohet nga kulmi , me një projekt të keq dhe të vjetër dhe në mungesë të matjeve serioze gjeomekanike të trasesë. Kur realizuesit e ndërtimeve kanë filluar me punë kanë filluar të rrëzohen shpatijet, për shkak se nuk janë projektuar në bazë të normativave dhe rregulloreve. Njëherësh një sasi e madhe e truallit është dashur të zhvendoset, si dhe të bëhen projekte të reja infrastrukturore për zgjerimin e rrugës”, shton më tej ai. Sipas numrit një të dikasterit të transportit, të gjitha vonesat në ndërtimin e kësaj rruge vijnë nga shkaqet e lartpërmendura. Ai shton se për shkak të ndryshimit të projektit, tani nevojitet edhe zgjerim shtesë i trasesë dhe shitblerjes së truallit.

Nga ana tjetër nga ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore thonë se po punohet në kompletimin e korridorit tetë si autostradë nga Gostivari deri në Kërçovë. Nga atje shtojnë se është siguruar grant prej 17 milionë euro nga BERZH, që së bashku me 70 milionë euro të tjerat për të cilat po bisedohet do të përdoren për fillimin e fazës së parë të kësaj rruge prej Kërçove deri në Bukojçani në gjatësi prej 12.7 km. Njëherazi, në rrjedhë e sipër është edhe projektimi i aksit rrugor prej Bukojçani deri në Gorna Gjonovica, dhe prej këtij fshati deri në Gostivar.

Gjithashtu, pritet të rehabilitohen edhe rrugët Hipodrom-Petrovec, Miladinovci-Hipodrom si dhe Katlanovë-Veles. Kanë filluar të sanohen edhe akset rrugore Hanet e Mavrovës-Zhirovnicë, Kërçovë-Makedonski Brod, Karpallëk- Zhelinë etj. Ndryshe, në fillim të muajit qershor të vitit të kaluar u lëshua në përdorim, autostrada e re Miladinovci-Shtip e gjatë 47 km që kushtoi 220 milionë euro, ndërkohë që ndërtimi i saj shënoi ngecje në realizimin e punimeve, pasi që filloi në vitin 2014 dhe duhej të përfundojë në vitin 2017

In : Aktuale

Loading...
loading...