19 të huaj, jetojnë dhe punojnë në Strugë

Fisnik Pasholli

 

 StrugaLajm

Punëtorët nga Turqia dominojnë në listën e punëtorëve të profileve të ndryshme të cilët të pajisur me dokumentacion të rregullt punojnë në Maqedoni. Sipas të dhënave të Agjencisë së punësimit të Maqedonisë, në vitin 2017 në tregun e punës në vend kanë qenë të punësuar 1037 punëtorë me shtetësi turke. Në vendin e dytë me 427 punëtorë renditet Serbia , ndërsa në vendin e tretë me 317 punëtorë renditet Greqia. Në totalin e punëtorëve të angazhuar nga jashtë dominojnë punëtorët nga shtetet e rajonit. Gjithnjë sipas statistikës zyrtare, nga Kosova me punë të përkohshme në Maqedoni në vitin e kaluar kanë qenë të punësuar 244 punëtorë , nga Shqipëria- 196 punëtorë , Nga Bullgaria- 152 punëtorë dhe nga Bosnje e Hercegovina – 144 punëtorë. Më pak se 100 punëtorë janë angazhuar nga shtetet e tjera. Nga Kroacia në vitin 2017, në shtet kanë punuar- 94 punëtorë, nga Gjermania kanë punuar – 81 punëtorë dhe nga Ukraina -72 punëtorë.
Të huajt vijnë për punë në Maqedoni si drejtorë, punëtorë të thjeshtë, futbollistë, hendbollistë, mjekë specialistë, profesorë universitetar dhe profesorë në shkollat e mesme , punonjës administrativë, por edhe kuadër i specializuar në fabrikat e investitorëve të huaj që mungojnë në tregun vendor të punës. Sipas Agjencisë së punësimit, gati gjysma apo afër 2000 punëtorëve të huaj janë me shkollë të mesme apo me shkollë fillore. Statistika zyrtare tregon se me shkollë të mesme janë 1544 punëtorë , ndërsa pa arsim fillor janë 400 punëtorë . Nga ana tjetër , me shkallë të ndryshme të shkollimit të lartë , profesional, apo të specializuar janë të angazhuar afër 1600 persona. Me cikël të tretë të studimeve të doktoraturës janë të angazhuar 42 persona, me master janë angazhuar 50 persona, me ciklin e dytë të studimeve specialistike kanë punuar 77 persona , e kështu me radhë.  Numri relativisht i madh i të huajve që punësohen në Maqedoni i detyrohet rritjes së investimeve që vijnë nga këto shtete, si dhe lehtësimit të procedurave administrative. Një pjesë bukur e mirë e drejtuesve të kompanive të huaja në Maqedoni në sektorë të ndryshëm, në strukturat udhëheqëse të larta apo të mesme kanë menaxherë të huaj. Nga ana tjetër, fabrikat e huaja në zonat e lira ekonomike ku dominon industria automobilistike , minierat, telekomunikacioni,teknologjia informatike, ndërtimi , tregtia, bankat, spitalet, qendrat distributive apo shpërndarëse, shkollat e mesme , fakultetet apo universitetet, janë vetëm një pjesë e sektorëve ekonomik ku kanë gjetur interesimin investitorët e huaj për të investuar në Maqedoni, dhe ku kanë angazhuar edhe fuqi punëtorë nga jashtë. Në ndërkohë, nuk janë të pakët në numër edhe punëtorët nga Kosova dhe Shqipëria që punojnë në Maqedoni. Biznesi nga Kosova dhe Shqipëria , përveç në shoqëritë e sigurimeve , hapjen e qendrave tregtare nga ana e kompanisë ETC në Gostivar dhe Shtip, ka investuar edhe në qendrën tregtare Siti Moll, si dhe në ndërtimin e banesave, ndërsa janë të angazhuara edhe në ndërtimin e aksit rrugor Kërçovë-Ohër dhe objekte të tjera infrastrukturore . Me blerjen e Panairit të Shkupit nga ana kompanisë Balfin , ku parashikohet ndërtimi i një kompleksi gjigand afarist dhe banesor, mund të pritet angazhimi i mëtejshëm i fuqisë punëtorë nga Shqipëria. Gjithashtu, afaristët nga Kosova kanë hapur edhe më shumë fura për të cilat kanë angazhuar fuqi punëtore nga jashtë. Ndryshe, sipas qyteteve në Shkup janë të angazhuar 3297 punëtorë të huaj, në Koçanë 31 , në Manastir dhe Shtip nga 26, në Tetovë -20 , në Strugë- 19, në Ohër- 18 etj.

In : Aktuale

Loading...
loading...