20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Sot mbushen 20 vjet nga arritja e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave shtetërore të sigurisë, dhe përmes së cilës nisi ndërtimi i raporteve të reja shoqëroro-politike dhe avancimi i çështjes shqiptare në këtë vend.

Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike, përmes ndërmjetësuesve: Xhejms Perdju i deleguar nga SHBA-të si dhe Fransua Leotar i deleguar i BE-së, përcjell INA.

Marrëveshja përfshinte një dokument të ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, që më 7 korrik, 2001, iu dorëzua katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (PDSH, PPD, VMRO-DPMNE dhe LSDM) dhe presidentit të vendit Boris Trajkovski, por e cila nga pala shqiptare duhet të merrte miratimin e kreut politik të UÇK-së, gjegjësisht shefit të saj Ali Ahmeti.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve. Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase, në Ohër, zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13, gusht, 2001. Por marrëveshja u nënshkrua në Shkup, nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;

2. Ndërprerja e armiqësive;StrugaLajm

3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;

4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;

5. Procedurat e posaçme kuvendore;

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;

7. Shprehja e identitetit;

8. Implementimi;

9. Anekset; dhe

10. Dispozitat përfundimtare.

In : Aktuale

Loading...
loading...