Zaevi nuk e pranon propozim-ligjin për shtetësi të ASH-AA: Nuk është sikurse u dakorduam…

Kryeministri Zoran Zaev si duket nuk po e pranon propozim-ligjin për shtetësi të hartuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, pasi që ka shprehur vërejtje ndaj versionit final të punuar nga përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare.

“E kemi marrë zgjidhjen ligjore për shtetësinë nga koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, dhe ajo nuk është sikurse jemi dakorduar”, deklaroi Zaev.

Ai ka nënvizuar nevojën e shqyrtimit të sërishëm të propozim-zgjidhjes ligjore të ASH-AAA-së që i njëjti më pas të lëshohet në procedurë parlamentare, ashtu siç është dakorduar me gojë.

“Ne e morëm propozim-zgjidhjen ligjore por nuk është ashtu siç e kemi biseduar. Me shumë gjasë, përfundimi i partnerëve në ato bisedime, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, është se në zgjidhjen përfundimtare duhet të ulen më së paku edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe zëvendësi dhe unë, që më pas ta lëshojmë në procedurë parlamentare. Shohim se ka opsione brenda, për të cilat duhet bashkërisht të vendoset. Besoj se këtu do të arrijmë marrëveshje, sepse me gojë e kemi arritur marrëveshje”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev. Ai ka shprehur shqetësime lidhur me bllokimin e Kuvendit nga ana e opozitës, pasi që sikur ASH-AA, edhe VMRO-DPMNE ende nuk ka tërhequr amendamentet që kanë bllokuar vijëmsinë e punës së legjislativit.StrugaLajm

Edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dje deklaroi se opozita po e mban peng Kuvendin, pasi që ka ngecur miratimi i 28 ligjeve. “Kuorum prej minimum 61 deputetëve nuk mund të interpretohet se është obligim i vetëm 61 deputetëve të shumicës. Parlamenti vendos nëse ka shumicë pa marrë parasysh nëse është opozita apo pushtet. Pra, të drejtat dhe obligimet e deputetëve janë të njëjta”, deklaroi Xhaferi.

Kryeministri Zaev negocioi me ASH-AAA rreth Ligjit për shtetësinë ndërsa këta të fundit t’i tërheqin amendamentet me të cilat janë bllokuar 21 propozim ligje. Edhe pse arritën zgjidhje të caktuara, opozita shqiptare nuk i tërhoqi amendamentet, ndërsa dorëzoi propozim- ligj për shtetësi, gjë që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes.

In : Aktuale

Loading...
loading...