Farketa Dibra- Zeqiri vjen me librin -GJUHA DHE SHKOLLA SHQIPE

Libri i radhës

Libri GJUHA DHE SHKOLLA SHQIPE – studime dhe personalitete – është një përmbledhje e kumtesave dhe studimeve të lexuara nëpër konferenca të ndryshme shkencore ndërkombëtare albanologjike, të mbajtura në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi. Meqë një pjesë e këtyre kumtesave të prezantuara nëpër konferenca shkencore nuk janë botuar ose do të botohen më vonë, kujtuam se botimi i tyre në një libër të vetëm mund të jetë një kontribut i veçantë për ta ruajtur mendimin shkencor filologjik dhe jo vetëm.
Kemi bërë një përzgjedhje të punimeve profesionale-shkencore në kuadër të punës sonë kërkimore disavjeçare në fushën e metodikës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Materiali i paraqitur në libër është i përpunuar në mënyrë novatore në brendi dhe formë. Në brendi ai jo vetëm trajton ide pedagogjike të kohës, por fokusohet në ato çështje që trajtohen nga të gjitha metodologjitë e sotme mësimdhënëse në shkallë globale. Pjesa dërmuese e kumtesave mbështeten në hulumtime që bazohen në të dhëna sa teorike po aq edhe praktike, në një literaturë vendase dhe të huaj, ku janë shfrytëzuar një numër i madh studimesh, artikujsh, botimesh shkencore, tekste shkollore dhe tekste për mësimdhënës, vepra letrare, plan-programe mësimore, fjalorë pedagogjikë, burime nga faqet e internetit etj.
Libri përmbledh në vete 19 trajtesa të sistemuara në tre krerë tematikë: 1. NË FILLIM ISHTE FJALA SHQIPE; 2. MËSONJËTORJA SI VATËR E DIJES; 3. STUDIME DHE PERSONALITETE.
Në kreun e parë të titulluar “Në fillim ishte fjala shqipe”, duke e përdorur një pasazh biblik, dëshirojmë të vëmë në pah rëndësinë e fjalës si nocion që e nënkupton gjuhën si mjet të komunikimit. Përmes këtij citati do të vëmë në pah se gjithçka merre vlerë kur kjo shndërrohet në komunikim dhe, rrjedhimisht, edhe në këtë vepër trajtesat e para kanë të bëjnë pikërisht me çështje gjuhësore. Aty i kemi përmbledhur disa studime/kumtesa kryekëput gjuhësore, që janë të shtrira në çështje që kanë të bëjnë me alfabetin e gjuhës shqipe, si dhe me çështje që kanë të bëjnë me përvetësimin e gjuhës në shkollë.
Pjesë e këtij kreu janë gjashtë kumtesa: 1. Qëndrimi i tre rilindësve shqiptarë për alfabetin e gjuhës shqipe – Gjergj Qiriazi, Faik Konica, Mit’hat Frashëri; 2. Mësimdhënia dhe të nxënit e gjuhës; 3. Zbatimi i shqipes standarde në ciklin e lartë të shkollave fillore në qytetin e Shkupit; 4. Vështirësitë gjuhësore sipas fushave të studimit te nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoni; 5. Ndikimi i teknologjisë digjitale në prishjen e normës standarde te të rinjtë; 6. Edukimi gjuhësor nëpërmjet leximit të lektyrave.
Në kreun e dytë të titulluar “Mësonjëtorja si vatër e dijes”, kemi përfshirë një koleksion trajtesash boshti i të cilave sillet rreth mësonjëtores shqipe, rrjedhimisht shtrirjes së lëndës së gjuhës amtare në programet e shkollës shqipe për drejtimin e gjimnazeve dhe shkollave profesionale. Ndonëse duket i ngjashëm me kapitullin e parë, në të vërtetë, derisa atje kemi vënë në fokus gjuhën, këtu do të jetë në fokus shkolla dhe mësimdhënia në shkollë. Në të vërtetë, është pikërisht arsimi ai dimension që e organizon dhe sistemon edukimin e njeriut dhe e trajtëson edhe mësimin e gjuhës. Në këtë drejtim edhe shkolla shqipe ka rolin e saj vendimtar për përvetësimin e gjuhës shqipe, të kompetencës gjuhësore, por edhe të zhvillimit të përgjithshëm të kulturës gjuhësore e letrare të nxënësit.
Strumbullarin e këtij kreu e përbëjnë shtatë trajtesa: 1. Roli i shkollës në rritjen e prestigjit të shqipes standarde; 2. Gjendja e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut – sfidat e shpopullimit; 3. Vështrim krahasues ndërmjet programeve të gjimnazeve dhe arsimit profesional për lëndën e gjuhës amtare; 4. Mësimi i gramatikës dhe linjave të tjera gjuhësore në programin e shkollave të mesme; 5. Kurrikula e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar të Maqedonisë së Veriut, të Kosovës dhe të Shqipërisë; 6. Leximi – një mision i rëndësishëm i botës bashkëkohore; 7. Leximi dhe rëndësia e tij për arritjen e komunikimit.
Kreun e tretë të titulluar “Studime dhe personalitete”, ia kemi kushtuar profesorëve të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare në Shkup, ndihmesës që këta pishtarë të arsimit kanë dhënë në sferën e mësimdhënies dhe albanologjisë në përgjithësi. Këtu përzgjodhëm gjashtë kumtesa që kanë të bëjnë me punën madhore të albanologëve tanë: 1. Aparatura didaktike në tekstet shkollore të prof. Remzi Nesimit; 2. Zbatimi i metodës analitike-sintetike në abetaren e prof. Xhevat Gegës; 3. Pedagogu dhe albanologu Avzi Mustafa; 4. Figura poliedrike e prof. Nehas Sopajt; 5. Prof. Asllan Hamiti, hartues i shumë teksteve mësimore; 6. Kontributi i profesorëve të Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë Shqiptare në hartimin e teksteve mësimore.
Libri është paraparë për një masë më të gjerë lexuesish, ndaj stili gjuhësor dhe niveli i librit janë të thjeshtë dhe të lehtë për t’u kuptuar. Si i tillë, libri mund t’ju shërbejë të gjithë arsimdashësve, me theks të veçantë studentëve që përgatiten për mësimdhënës të ardhshëm, mësimdhënësve rishtarë dhe atyre me përvojë, pedagogëve dhe të gjithë specialistëve të tjerë të fushës së edukimit, të cilët janë të interesuar për të zhvilluar mendimin e tyre shkencor në fushën e edukimit dhe të arsimit në përgjithësi.

StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...