A do bëhet më mirë!

Do të shohim në fund të vitit, apo në fillimin e vitit të ardhshëm se sa pushteti do të tregojë vullnet politik, guxim dhe dituri për valën e re të reformave

Nga Fisnik PASHOLLI

Të gjitha shtetet në rajon dhe botë ndodhen në një garë të vështirë dhe të mundimshme me kohën në luftën për të mbajtur pandeminë nën kontroll dhe për të mbajtur gjallë ekonomitë vendore. Në Maqedoni dhe rajon problemet janë të ngjashme por edhe të ndryshme. Qeveria në vend po përballet me rënien e konsumit, uljen e eksportit, rritjes së domosdoshme të borxhit publik, punës së imponuar të administratës në luftë kundër virusit me kapacitet të përgjysmuar, dhe mbi të gjitha me çështjet e politikës së jashtme Në shpresë se pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe aderimit në NATO, edhe problemet e ndryshme me Bullgarinë do të gjejnë zgjidhje për ti hapur rrugën bisedimeve për anëtarësim në BE, në ekonominë dhe biznesin vendor mbeten për tu zgjidhur edhe çështje të ndryshme që ngadalësojnë punën e kompanive.StrugaLajm

Pandemia do të vazhdojë të na bezdisë edhe këtë vit, por mbetemi me shpresë se vaksinimi i popullatës së paku nga muajt qershor apo korrik do të lë hapësirë që të fillojmë të frymojmë më lirshëm.StrugaLajm

Ky vit përskaj vazhdimit të pritshëm të rrugës tonë euroatlantike, pritet të jetë edhe një vit angazhimi për reforma më të thella në gjyqësor, arsim, administratë, ekonomi… Sa duhet të jemi optimist apo pesimist që më lehtë të kalojmë një vit të vështirë, sa duhet të kemi shpresa për një vit pak më të mirë se ky paraprak, do të tregojnë rezultatet e dikastereve të ndryshme në muajin dhjetor të kë tij viti. Në rast se marrin rrugë të mbarë apo nënshkruhen marrëveshjet për investimet në Termocentralin e Negotinës, hidrocentralit Çebren, fillon të punojë mekanizimi në Kodrën e Diellit, shohim një progres të dukshëm në ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, apo punimeve më serioze dhe intensive në autostradën Kërçovë-Ohër, mund të presim edhe një lëvizje më të madhe ekonomike.

Në rast se shohim edhe rezultate më të prekshme dhe të kapshme në gjyqësor, apo fillimin e reformave më serioze në arsim që do ti përgjigjen jo ekonomisë së “kaçavidës”, por ekonomisë së post zhvillimit industrial dhe ekonomisë së teknologjive të reja. Një arsim që nuk do të përsërisë gabimet e reformave të kaluara kur mësimdhënësit të brumosur pjesërisht edhe me përvojat ruse që nuk janë për tu nënçmuar, duhej ti përgjigjen dhe të jenë komplementar me përvojat arsimore britanike të Oksfordit. Ky vit do të tregojë edhe sa do të përgatisim vendin që reformat sot, do të japin rezultat nesër me dhënien hapësirë të meritokracisë, përparimit sipas aftësive dhe rezultateve konkrete dhe jo llafeve boshe. Sa do avancohen profesionistët në sektorin publik në bazë të kritereve profesionale dhe jo kritereve të tjera, sa do të avancohen dhe shpërblehen profesionistët në administratë, sipas angazhimit dhe seriozitetit në qasjen ndaj detyrave të përditshme të punës.

Rregullat e lojës duhet të jenë të qarta, jo të shumta dhe llogaridhënëse dhe duhet të vlejnë për të gjithë njësoj në se dëshirojmë të ecim para. Vetëm kështu mund të lëviz para shoqëria dhe ekonomia në përgjithësi. Do të shohim në fund të vitit, apo në fillimin e vitit të ardhshëm se sa pushteti do të tregojë vullnet politik, guxim dhe dituri për valën e re të reformave, që do të përmirësojë edhe mirëqenien e popullatës. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...