Administrata përfiton një pagë shtesë para zgjedhjeve lokale

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të ndarë rreth katër milionë euro për një pjesë të administratës shtetërore, ka shkaktuar kritika të shumta si nga opozita ashtu edhe nga një pjesë e odave ekonomike, të cilat vendimin e quajnë të padrejtë dhe populist në kohën kur ekonomia e vendit po përballet me pasoja të rënda nga pandemia e koronavirusit.

Qeveria, bazuar në një vendim të vitit 2019 të arritur me një pjesë të sindikatës që përfaqëson punonjësit e administratës gjyqësore, të pushtetit ekzekutiv, të komunave, agjencitë shtetërore, fondet publike, por jo edhe punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe veprimtarive kulturore e të tjera, ka vendosur që rreth 27 mijë punonjësve t’iu ndajë nga rreth 9 mijë denarë (150 euro), që ndryshe njihet si rroga e 13-të, pagesë për pushim vjetor apo K-15.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se vendimi duhej të zbatohej qysh në vitin 2020, por kjo nuk ndodhi për shkak të krizës ekonomike me pandeminë, por se shteti, sipas tij, është i obliguar që këtë vit të respektojë marrëveshjen e arritur me sindikatën.

Por, opozita vlerëson se qeveria me një vendim të tillë vazhdon keqpërdorimin e parave publike për qëllime parazgjedhore, respektivisht blerjen e votave në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Por, pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga kryeministri, Zoran Zaev.StrugaLajm

Ai tha se qeveria po punon për një administratë efikase dhe se nuk mbajnë pretendimet për keqpërdorimin e saj për fushatë zgjedhore.

“Momentalisht kemi rreth 132 mijë të angazhuar në administratë, kurse para katër apo pesë vjetëve, ky numër arrinte 160 mijë të punësuar. Politikat e vazhdueshme për racionalizimin dhe rritjen e efikasitetin në punën e administratës publike janë një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Presim që së shpejti të hyjnë në fuqi edhe ndryshimet në Ligjin për pensionimin e detyrueshëm në moshën 64-vjeçare, që do të çojë në shkurtimin e mëtejmë të administratës”, ka deklaruar Zaev.
Administrata në Maqedoninë e Veriut në të gjitha ciklet zgjedhore ka shërbyer si objekt i debateve e polemikave të shumta mes partive, për keqpërdorimin e saj për përfitime politike. Të gjitha partitë, deklarativisht janë angazhuar për depolitizimin dhe shkurtimin e administratës, por në realitet ka ndodhur e kundërta.

Numri i madh i këtyre punonjësve, politizimi dhe mungesa e profesionalizmit është kritikuar në të gjitha raporteve të institucioneve ndërkombëtare./rel

In : Aktuale

Loading...
loading...