Aleanca për Shqiptarët në Strugë reagon ndaj vendimeve skandaloze të Merkos
Të nderuar qytetarë, jemi të detyruar të reagojmë ndaj dukurive negative që po ndodhin ditëve të fundit në krye të pushtetit lokal në Strugë. Kryetari multietnik Ramiz Merko, bashkë me bashkëpunëtorët e tij nga jashtë komunës po bëjnë presion të paparë dhe revanshizëm të paprecedentë politik ndaj administratorëve shqiptarë.
Që në ditën e parë të fillimit me punë, persona të paautorizuar, nga jashtë administratës, në emër të Ramiz Merkos kanë kërcënuar, kanë shantazhuar dhe kanë ushtruar mobing ndaj një pjese të administratës, të gjithë shqiptarë.
Kryetari multietnik, përveç se ka shkarkuar nga detyra drejtorët më të suksesshëm të shkollave, të cilët i zhbllokuan xhirollogaritë e shkollave, që Ramiz Merko i bllokoi në mandatet e para të tij, tani po bën degradimin e të punësuarve në administratën e komunës me vendime skandaloze.
Në mënyrë selektive, pa kurrfarë arsyetimi janë marrë vendime për ti larguar nga objekti i komunës dhe janë detyruar dhe grumbulluar dhjetëra administratorë në ambientet e shkatërruara në vendin e quajtur “barakat”. E gjithë kjo bëhet me qëllim që t’ua ulin dinjitetin dhe ti nënçmojnë personalitetin dhe të njëjtit të dorëzohen, ti nënshtrohen kryetarit multietnik apo edhe ta lëshojnë vendin e punës.
Skandalin e tillë mund ta vërtetojmë veç me një shembull. I vetmi Inxhinier Elektrik, shqiptari Tazhgur Sulejmani, profesionist i dalluar dhe person politikisht neutral, paraqet pengesë në ushtrimin e veprimtarisë së kryetarit dhe në mënyrë të dhunshme, pa arsyetim të bazuar detyrohet të lëshojë objektin e komunës dhe të paraqitet në punë “tek barakat”, ku nuk ka kushte pune, për ti rrëzuar autoritetin që gëzon në shoqëri.
Të tilla shembuj ka shumë. Janë dhjetra raste të të njëjtit lloj.
Ju përkujtojmë se në qeverisjen tonë, nuk u largua asnjër person nga puna, iu dhanë vendime pune atyre që punonin pa vendim në kohën tuaj, u avancuan në shkallë më të larta të gjithë ato administratorë (mes tyre anëtarë të BDI-së), vetëm se kanë treguar profesionalizëm në punë. Ndaj askujt nuk ka pasur revanshizëm politik.
Prisnim që kjo të shndërrohet në traditë për kryetarët e ardhshëm, por paskemi gabuar.
Përveç avancimeve, vënies së rregullit në administatën komunale, gjatë qeverisjes sonë janë punësuar rreth 80 administaratorë shqiptarë, mes tyre rreth 65 me vendime pune. E dijmë që jeni tmerruar kur e keni vërejtur këtë fakt. Por ja që me vullnet dhe punë arrihen gjëra që nuk mund ti paramendosh.
Prandaj apelojmë deri te kreu i administratës komunale, të ndalojë presionin dhe revanshizmin ndaj të punësuarve sepse ata të gjithë kanë familje dhe me atë rrogë mbajnë me bukë fëmijët e familjarët e tyre. Ata mbi të gjitha kanë dinjitet. Apelojmë të ndalohen ndërhyrjet e personave të paautorizuar në punët e administratës komunale dhe të mos kërcënohet askush prej të punësuarve nga persona jashtë komunës.
Shqiptarët kanë dinjitet. Ju nuk e keni legjitimitetin e tyre, prandaj mos i provokoni ata.
Aleanca për Shqiptarët – Strugë