Ali Ahmeti në Ambasadën Amerikane: Ky është fokusi i BDI-së
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim sot në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup ka realizuar takim pune me Drejtorin e zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Stejt Departamentin Amerikan, Metju Palmer, si dhe me ambasadorin Amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli.
Ahmeti dhe Palmer bashkëbiseduan rreth zhvillimeve politike në vend dhe rajon, reformat sistemore, sundimin e së drejtës, marrëdhëniet me fqinjtë si dhe integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Lideri i BDI njoftoi z. Palmer dhe Ambasadorin Bejli për fokusin e BDIsë në reformat sistemore, sundimin e ligjit, rrumbullakësimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe integrimin e menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryetari Ahmeti përsëriti që anëtarësimi i menjëhershëm në NATO është prioritet absolut dhe BDI po bën çmos që të realizohet ky synim i vendit.
Anëtarësimi në NATO përmbyll çdo dilemë strategjike të Maqedonisë, ndikon në marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në stabilitetin në rajon, prandaj po punojmë fuqishëm në këtë drejtim.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe rreth barazisë gjuhësore dhe gjendjes në rajon.