Asnjë lehtësim për mërgimtarët

Nga Dogana sqarojnë se edhe mërgimtarët pas kthimit në vendlindje nuk janë të liruar nga pagesa e kompensimeve për importin e materialeve shtëpiake dhe afariste

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 26 shkurt – Mërgimtarët që kthehen në atdhe me gjësende të ndryshme shtëpiake apo edhe të dedikuara për prodhimtari aspak nuk janë të liruar nga pagesa e tatimeve dhe doganës, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, mobiljet me vlerë deri në 800 euro për përdorim personal tatimohen me 18 për qind TVSH dhe 15 për qind doganë, ndërsa gomat e reja i nënshtrohen pagesës prej 31 për qind të tatimit dhe doganës. Këto janë vetëm disa nga pyetjet më të shpeshta të parashtruara ndaj Doganës nga ana e qytetarëve lidhur me lehtësimet eventuale për mallrat e ndryshme që blihen jashtë dhe importohen në vend. Nga Dogana sqarojnë se edhe mërgimtarët pas kthimit në vendlindje nuk janë të liruar nga pagesa e kompensimeve për importin e materialeve shtëpiake dhe afariste.

Në bazë të Ligjit për procedurë doganore, shkalla e doganës për mobilje lëviz prej 10-15 për qind në varësi prej mobiljeve dhe materialit prej të cilit është prodhuar. Shkalla e doganës për aparate në amvisëri është 15 për qind, ndërsa TVSH është 18 për qind. Në bazë të legjislacionit doganor, në Maqedoni nuk parashikohet lirim nga pagesa e doganës dhe kompensimeve të tjera si TVSH për mjete të ndryshme për mërgimtarët që i importojnë gjatë kthimit të tyre në Maqedoni.

Nga ana tjetër, gjatë importit të mobiljeve nga jashtë për përdorim personal dhe në sasi që nuk udhëzojnë se do të keqpërdoren për shitje, procedura realizohet në pikën doganore ku kërkohet llogaria apo fatura e mallit.StrugaLajm

Nëse malli ka vlerë deri 800 euro, atëherë i nënshtrohet pagesës prej 15 për qind të doganës dhe 18 për qind të TVSH-së, ndërsa në rast se malli ka vlerën më të madhe se 800 euro, atëherë zbatohen shkallët më të larta të doganës, të cilat do të realizohen nga ana e përfaqësuesit doganor që duhet ta angazhoni. Veturat i nënshtrohen edhe pagesës prej 13 për qind për importin e gomave të reja të jashtme, por edhe të brendshme. Ky total fitohet në bazë të vlerës së faturës plus harxhimeve manipuluese dhe transpotruese.

Njëherazi, vlera e TVSH-së për importin e gomave është 18 për qind. Lidhur me dilemën se a paguhet kompensim për prodhimin që kushton 34.88 dollarë, nga Dogana thonë se të gjitha dërgesat që përmbajnë mallra të ndryshëm dhe janë të dërguar nga jashtë nga ana e personave juridik, si dhe të gjitha dërgesat që janë objekt i shitblerjes i nënshtrohen kompensimeve doganore dhe TVSH-së, pavarësisht se a shërbejnë për përdorim personal të pranuesit. Nga pagesa e doganës lirohen vetëm dërgesat, vlera e të cilave nuk i tejkalon 45 euro, ndërsa nga pagesa e TVSH-së lirohen të gjitha dërgesat, vlera e të cilave nuk tejkalon 22 euro – që do të thotë se për dërgesat me vlerë deri në 45 euro, paguhet vetëm TVSH.

Nëse dëshironi që përmes internetit të blini aparat për EKG që kushton 500 deri 600 euro, i njëjti është i liruar nga dogana, por nevojitet leje e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...