Babai kërkon djalin e humbur në ujërat e Vardarit

Nga ora 08.00 e mëngjesit ditën e djeshme ka vazhduar kërkimi në brigjet dhe në shtratin e lumit Vardar në të cilin janë përfshirë edhe pjesëtarët e policisë së Tetovës dhe kërkohet në të dyja anët e lumit, informuan nga Policia e Tetovës

Urim HASIPI

Tetovë, 28 shtator – Kanë ardhur nga Kumanova në Zhelinë për të kërkuar familjarin e tyre Ertan Ramadanin, që dyshohet se ndodhet në ujërat e Lumit Vardar, pas një aksidenti që kishte pësuar të martën në mesditë në autostradën Tetovë-Shkup. Naser Ramadani, babai i Ertanit, që e kishte djalë të vetëm, mes lotëve tregon komunikimin e fundit që kishte pasur me të birin. Kishin folur dje në mëngjes dhe i kishte treguar se do niset për në Tetovë për të paguar semestrin. Lajmin tragjik e ka kuptuar të martën rreth orës 14 dhe është kthyer nga Austria dhe të mërkurën që në mëngjes ka ardhur në Tetovë. “Kam folur në mëngjes, më tha se po niset me autobus, por pastaj është nisur me veturë. Kishte të paguajë semestrin dhe pastaj nuk kam komunikuar, ka qenë ora 14 kur e kam marrë lajmin. Menjëherë jam kthyer dhe në orën 4 të mëngjesit kam qenë këtu, bashkë me familjarë tjerë. Jemi duke e kërkuar, por nuk mundemi me e gjetur”, tha për gazetën KOHA, Naser Ramadani.

Në ndërkohë, familjarët janë falënderues për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës për mikpritjen ndërsa kanë vërejtje për institucionet. “Ka qenë student I sociologjisë, me dhjetëshe, ka ardhur këtu për të paguar semestrin e fundit, në kthim e sipër, nuk e dimë se si ka ndodhur. Sipas policisë, ai nuk ka qenë me shpejtësi të madhe, ka vozitur sipas shpejtësisë së lejuar. Me angazhimin e institucioneve, ne s’kemi shtet, institucionet tona janë në nivel më të ulët. Sa i përket fshatarëve, shumë ju falënderojmë këtyre banorëve të Zhelinës. Sidomos kompanisë Golec e cila ka qenë në shërbim gjatë gjithë kohës”, tha Vaxhit Duraki, daja i studentit kumanovar.StrugaLajm

Babai shpreson se do të gjendet trupi i djalit të tij gjallë ose vdekur. ”Shpresat janë me e gjetur djalin, tjetër gjë nuk dua, ndash i gjallë ndash i vdekur djalin me e parë”, tha Naser Ramadani,babai i Ertanit.
Ndryshe, Ertan Ramadani, ishte student në Universitetin e Tetovës dhe të martën kishte ardhur të paguajë semestrin. Babai, prapa kamerave tregoi se para pak kohe djali i tij e kishte vizituar në Austri dhe kishte shprehur dëshirën që të punojë atje, por me insistimin e tij djali është kthyer për të vazhduar studimet. Familjarët janë të zhgënjyer nga institucionet. Kërkimet janë shtrirë përgjatë rrjedhës së Lumit Vardar në vendin ku ndodhi aksidenti. Nga Policia e Tetovës thonë se deri në këtë moment nuk është gjetur personi, apo ndoshta personat që ndodheshin në automjetin “Golf” me targa të Kumanovës, e cila të martën rreth orës 11.30 ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Vardar.

“Nga ora 08.00 e mëngjesit të ditës së mërkurë ka vazhduar kërkimi në brigjet dhe në shtratin e lumit Vardar në të cilin janë përfshirë edhe pjesëtarët e policisë së Tetovës dhe kërkohet në të dyja anët e lumit”, informuan nga Policia e Tetovës.

In : Aktuale

Loading...
loading...