BDI dhe pakicat e organizuara!

Autor: Shkumbin Beqiri 

Studiuesi i njohur italian i elitave politike Gaetano Moska para shumë kohësh, ka konstatuar se në demokraci sundimi i pakicave ndaj shumicës realizohet përmes të ashtuquajturve “pakica të organizuara.” Tutje, ai shton se këto pakica bazohen në vlerësim të elementeve të caktuara si, interesat materiale, lidhjet familjare dhe të ngjashme si këto. Koha ka dëshmuar, se pakicat e organizuara vihen në shprehje më së shumti në kohë zgjedhjesh, e që në Maqedoninë e Veriut administratorët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë më të famshmit në mesin e gjitha të tjerëve. Në secilën rast kur ka zgjedhje, edhe kësaj radhe misioni i administratorëve është që të maksimalizojnë votën për BDI-në, në këmbim të pagave që marrin pa shkuar asnjë ditë në punë. 

Për të hyrë më në thellësi të problemit të kontrollit të masave që është objekt shqyrtimit në këtë rast, është me rendësi ta përcaktojmë se çfarë partie politike në të vërtetë është BDI-ja! Përbërja etnike e Maqedonisë së Veriut, ku maqedonasit dhe shqiptarët përbëjnë shumicën krahas minoriteteve tjera, i imponon këtij shteti nevojën për të pasur institucione të forta, të cilat reflektojnë të drejtat politike dhe civile të të gjithëve, në mënyrë që fërkimet sporadike mes etnive të mund të menaxhohen. Vendi fqinjë i Kosovës këtë nivel të institucioneve nuk e ka arritur, e që e ka të domosdoshme për ta bërë në mënyrë që të garantoj të ardhmen. Mungesa e këtyre institucioneve ka bërë që grupet etnike ta shohin njëri-tjetrin me mosbesim. Kjo i mundëson elementeve nacionalist dhe radikal nga të dyja krahët të vijnë në shprehje dhe të krijojnë opinion publik që mbështetet vetëm në paragjykime. Kështu demokracia sfidohet dhe pengohet zhvillimi shoqëror në tërësi. Si rezultat i kësaj, BDI-ja është parti politike e atillë çfarë ju përshtatet maqedonasve për të mbajtur nën kontroll komunitetin shqiptar!

Për secilën nga partitë maqedonase, qoftë ajo e përbërë nga VMRO e Hristian Mickovski apo LSDM e Zoran Zajevit, të paguash administratorë që nuk shkojnë në punë kurrë, është më e leverdishme politikisht se sa të përballën me kërkesat e shqiptarëve për të drejta politike dhe civile. Atëherë BDI-ja më shumë se sa një parti politike, është një instrument në dorën e VMRO-së dhe LSDM-së për t’i mbajtur nën kontroll shqiptarët. Për kaq kohë sa ka qenë pjesë e pushtetit, BDI-ja i ka manipuluar shqiptarët me “zyrtarizmin” e gjuhës shqipe, e cila sipas Ali Ahmetit dhe njerëzve afër tij është arritur në tërësinë e saj, pavarësisht se në kufirin me Kosovën në Bllacë, të gjitha mbishkrimet janë në alfabetin cirilik, përfshirë edhe deklaratën e vet-izolimit që duhet ta nënshkruajnë të gjithë ata që nuk kanë vaksinën kundër Covid-19. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare u premtoi kryeministrit shqiptar, kurse tani nëpër fushatat elektorale premton pas tri vjetësh presidentin shqiptar. 

BDI-ja është parti e njëjtë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të Hashim Thaçit, të cilët për një kohë të gjatë manipulonin kosovarët me parullën e çlirimtarëve, sipas të cilëve gëzonin një drejtë të veçantë, përtej asaj kushtetuese për të qeverisë Kosovën. Sikur Ahmeti, ashtu edhe Thaçi kishte pakicat e tij të organizuara, të cilat përbëheshin nga njerëz që vinin kryesisht nga rajoni i tij, të cilët i sistemonte nëpër administratën publike, në krye të bordeve të agjencive dhe ndërmarrjeve publike, si dhe të një grupi oligarkësh që përfitonin nga tenderët që ofronte pushteti i tij.  Një tjetër element që i bashkon Aliun me Thaçin është Lëvizja Popullore e Kosovës. LPK ishte parti politike e majtë që vepronte në Zvicër me element të theksuar marksist-leninist, e themeluar me 1982, aktivitetit të së cilës asnjëherë nuk i është dhënë jehonë nga Thaçi dhe të tjerët pas vitit 1999. Ky fakt krijon plotë dyshime për llojin e politikës që LPK ka bërë për të arritur qëllimet e saj. 

Shqiptarët prirën ta legjitimojnë të njëjtin politikan pavarësisht skandaleve që karakterizojnë politikën e tij. Njëjtë, sikur BDI-në e Ali Ahmetit që vazhdojnë ta mbajnë në pushtet shqiptarët e Maqedonisë së Veirut, kosovarët kishin legjitimuar për të tretën herë radhazi Hashim Thaçin në zgjedhjet e vitit 2014, pavarësisht aferave të shumta për korrupsion dhe të një marrëveshje skandaloze që kishte nënshkruar me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe në prill të vitit 2013. Kështu kanë vepruar edhe shqiptarët Shqipërisë me 25 prill të këtij viti, kur i dhanë Edi Ramës mandatin e tretë, edhe pse gjatë katër vjetëve kryeministër paraprakisht, e kishte kanabizuar gjithë Shqipërinë, kishte rrënuar shumicën e institucioneve kushtetuese dhe kishte pamundësuar kushte për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. StrugaLajm

Këta lloj politikanësh vështirë se mund të largohen nga pushteti përmes votës, përderisa në dorë kanë pakica të organizuara. Një instrument gjyqësor në të tilla rrethana është i vetmi që kryen punë dhe shkatërron manipulimin e popullit nga udhëheqësit dhe partitë politike. Përderisa BDI-ja të ketë në dorë administratorët, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë të mbetën të manipuluar dhe të drejtat e tyre nuk do të gjejnë jetësim në rendin kushtetues të këtij vendi.  Për më shumë, partitë politike të maqedonase VMRO dhe LSDM do të kenë rehatin për të qeverisur në çfarëdo mënyre që e shohin të nevojshme. 

Në zgjedhjet e së dielës, shqiptarët nga Likova deri në Strugë, kanë mundësi ta hedhin para përgjegjësisë BDI-në, e njëherësh t’i disiplinojnë partitë tjera politike si Aleanca për Shqiptarët dhe BESËN për mënyrën e sjelljes në kushte kur mbajnë pushtetin, duke vendosur standarde demokratike që janë të domosdoshme për Maqedoninë e Veriut.  Vetëdija politike nuk duhet të mbetet në nivelet e vitit 2001, por të dal përtej këtij qorrsokaku, të votohet politikisht dhe në mënyrë racionale. 

In : Aktuale

Loading...
loading...