Bekteshi: Janë përdorur 43 mijë nga 110 mijë vauçerë për turizëm

Nga gjithsej 110 vauçerë për turizëm të përpunuara deri më tani janë përdorur 43 mijë, kjo u bë e ditur nga Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili është i kënaqur me zbatimin e masës dhe efektet e dhëna sepse edhe në kohë krize është shënuar rritje e numrit të turistëve vendas.

“Në bazë të analizave tona vauçerët kanë dhënë efektin për të ndihmuar kapacitetet hotelierike, përfshirë këtu edhe objektet private të akomodimit. Kjo dëshmohet edhe në raportin e Entit Shtetëror të Statistikave i cili tregoi se në gusht kemi një rritje të numrit të turistëve vendas me 8.9 përqind krahasuar me vitin 2019, rritje të numrit të turistëve vendas kemi gjithashtu edhe në shtator me 33.7 përqind. Pra, në kohë krize kemi rritje të numrit të turistëve vendas. Ne mendojmë se kjo tendencë do të vazhdojë në tetor, nëntor dhe dhjetor”, deklaroi Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Në lidhje me pyetjen nëse janë të mundshme abuzimet me kuponët, Bekteshi theksoi se çdo ditë Ministria e Ekonomisë dërgon raportin me kuponat r përdorur deri tek Inspektorati Shtetëror i Tregut i cili realizon kontrollet e nevojshme. Për më tepër, siç theksoi ai, dekreti me fuqi ligjore përcakton që atyre personave që u takon kuponi, duhet të paraqesin dokumentacionin për përdorimin e kuponëve.

Ministri nuk përjashtoi mundësinë që përderisa të jetë e nevojshme, të krijohet një pako e re masash për mbështetje të turizmit.

“Deri në fund të vitit do të bëhen analiza shtesë në lidhje me efektet që do të japin masat që kanë filluar të analizohen sot. Projekt buxheti për vitin 2021 parashikon fonde për zbatimin e një numri programesh në vlerë prej 50 milion euro. Nëse është e nevojshme, gjatë vitit të ardhshëm ne do të bëjmë ndryshime shtesë në buxhet, edhe pse në tremujorin e parë kemi siguruar fonde. Nëse është e nevojshme, do të ketë edhe pako të pestë dhe të gjashtë të masave, por natyrisht të gjithë duam që kjo krizë të kalojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të kthehet aktiviteti ekonomik,” tha Bekteshi.

Bekteshi gjithashtu përmendi që nga viti i ardhshëm do të ulet TVSH-ja për veprimtaritë hotelierike.

In : Aktuale

Loading...
loading...