Bela: Të krahasosh Selën dhe Kasamin është si nata me ditën
Anketa e realizuar gjatë muajit mars nga Brima Gallup e publikuar nga IRI sot nxori si lider më të fort Bilall Kasamin se sa Ziadin Selën.
Për analistin Valon Bela kjo është qesharake, pasi të krahasosh këta dy është si nata me ditën.
“Është sikur të krahasosh natën me ditën. Liderët dallohen në shumë karakteristika por ata që janë dalluese janë qëndrimet dhe karizma. Përderisa Sela menaxhon me pushtetin lokal, atë të Strugës, Kasami kishte menaxhuar me Ministrinë e Ekonomisë, gjegjësisht si sekretar shtetëror. Përderisa Sela numëron suksese në Strugë, Kasami nuk shquhet për suksese, së paku për suksese të përfolura. Dhe tani ata kanë subjektet e tyre. Dhe ngjarjet në Parlament sollën në pah edhe elemente tjera si p.sh: guximi dhe vendosmëria. Nëse Kasami dhe subjekti i tij nuk e votuan shqiptarin e parë si Kryekuvendar të RM-së, Sela dhe subjekti i tij dolën më të vendosur. Dhe kjo dëshmon fuqimisht edhe përkushtimin e Selës ndaj Platformës Shqiptare. Menjëherë pas votimit, vijuan trazirat, dhe bazuar në atë që deklaroi Zaev, Sela na del se është hero i vërtetë pasi që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët kur u largua nga grupi i mazhorancës së re për t’i tërhequr disa nga dhunuesit kah vetja e tij. Prapë them se të krahasosh këta të dy është si nata me ditën. Dhe tashmë ky dallim u shpërfaq edhe me vepra konkrete” thotë Bela për TetovaSot.
Sa i përket kryetarëve të komunave, 51% e të anketuarve janë deri diku ose shumë të pakënaqur me punën e kaluar të kryetarëve të komunave, kurse 47 për qind shprehën qëndrimet e njëjta ndaj këshillave komunal. Dyzet e gjashtë për qind raportuan se ishin gjithashtu të pakënaqur edhe nga administrata e tyre lokale. Në numër më të madh (37 për qind) janë të anketuarit që mendojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e gabuar, 35 për qind janë neutral, dhe vetëm 23 për qind konsiderojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e duhur.