Defektet e bashkëpunimeve brendashqiptare

Nëse ndokush mendon se ardhjet ad hoc e artistëve e krijuesve nga Shqipëria në Shkup e Tetovë, përmbushin nevojat e asaj që kanë nevojë realisht shqiptarët e Maqedonisë, ky në fakt do të ishte shtrembërimi i një gjendjeje që aspak nuk korrespondon me pritjet për një bashkëpunim më substancial.

Emin AZEMI

Strategjia e bashkëpunimit brendashqiptar në rajon, përpos defekteve që lidhen me (mos)implementimin e marrëveshjeve të arritura, vuan edhe nga një dozë e pakuptimtë e njëanshmërisë, gjegjësisht e përjashtimit të hapësirës shqiptare (kulturore e ekonomike) të Maqedonisë nga kjo strategji. Gjithkush e ka të qartë se Tirana e Prishtina e kanë shumë më lehtë të vendosin ura bashkëpunimi për çfarëdo çështje nga fusha të ndryshme, madje duke emëruar edhe zyrtarë nga Kosova në dikasteret qeveritare shqiptare, ndërkohë që metodologjia e bashkëpunimit me shqiptarët e Maqedonisë, jo vetëm që i ka specifikat e veta, ajo i ka edhe hendikepet përcjellëse.StrugaLajm

Në radhë të parë, burokracitë e Tiranës e Shkupit, më përpara do të parapëlqenin të kontraktojnë marrëveshje që në vete përmbajnë problematika të përgjithshme, pak a shumë kosmopolite, dhe shumë më vështirë do të vendosnin ndonjë bashkëpunim të njëmendët kulturor që prek interesimet dhe fokusimet e shqiptarëve të Maqedonisë.

Fatkeqësisht, në diplomacinë kulturore të Shkupit zyrtar, shqiptarët gati se janë të përjashtuar,dhe krejt të papërfillshëm, sidomos në bashkëpunimin e institucioneve shtetërore nga Maqedonia (teatrot, muzetë, galeritë, bibliotekat, ansamblet e ndryshme etj.) me institucionet simotra të botës, ndërkohë që arka shtetërore mbushet edhe me financat e taksapaguesve shqiptarë.StrugaLajm

Prandaj, kërkesa për një vëmendje më të madhe të prodhimtarisë krijuese dhe aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë në protokollet e bashkëpunimit ndërshtetëror me Shqipërinë, është më se e arsyeshme dhe, madje, e vonuar. Nëse ndokush mendon se ardhjet ad hoc e artistëve e krijuesve nga Shqipëria në Shkup e Tetovë, përmbushin nevojat e asaj që kanë nevojë realisht shqiptarët e Maqedonisë, ky në fakt do të ishte shtrembërimi i një gjendjeje që aspak nuk korrespondon me pritjet për një bashkëpunim më substancial.

Paradoksaliteti i bashkëpunimeve brendashqiptare në rajon, jo rrallë është ushqyer edhe nga mania e subjektivizmave të qarqeve të ndryshme të njerëzve, të cilët janë kujdesur që interesat e ngushta klanore t’i paraqesin gjoja si interesa të përgjithshme. Është e vetëkuptueshme që çdo njëri nga ne të ketë ndonjë mik në Tiranë a Prishtinë, të cilët do të tregoheshin më të vëmendshëm në përpilimin e agjendave kulturore, ku gjithsesi nuk do të mungonte edhe emri ynë, por kjo në asnjë mënyrë nuk e zëvendëson kuadrin më të gjerë të bashkëpunimit kulturor, në parametra më objektiv, si në pikëpamje të gjithëpërfshirjes së emrave dhe vlerave, ashtu edhe në pikëpamje të vendosjes së një kalendari afatgjatë të ngjarjeve me karakter jopersonal.


Loading...
loading...