Deputeti i Strugës,Syrja Rashidi,kërkon llogari për shqipen
Deputeti i partisë shqiptare opozitare Aleanca për Shqiptarët, Syrija Rashidi ka theksuar se sot nuk duhet të jetë temë fuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por duhet të jepet përgjegjësi se pse i njëjti për një vit qëndroi në sirtarin e Kuvendit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
“Mendoj se sot nuk është temë dhe nuk duhet të jetë temë shpallja e ligjit në Gazetën Zyrtare, por edhe temë dhe dilemë se cilat paskan qenë ato kushte të cilat u dashkan të plotësohen që një vit që Ligji të dalë në Gazetën Zyrtare. Është koha e përvetësimit të meritave, sepse qytetarët e kanë të qartë rolin e secilit në procesin e miratimit të Ligjit për Gjuhën Shqipe, por më shumë mendoj se është koha për të dhënë përgjegjësi dhe llogari gjatë ditës së sotme, se pse mbeti një vit në sirtarin e Kuvendit të Maqedonisë. Arsyeja mund të jetë nevoja e përvetësimit të meritave për arsye elektorale për paralajmërimin për zgjedhje, por gjithsesi do të shohim se si do të rrjedhë procesi”, tha Rashidi.