Dibra që i ngriti dy monumente Skënderbeut-Mixhait Pollozhani

Mixhait POLLOZHANI

Edhe pse është shkruar shumë herë, por pa ndonjë informacion më të hollësishëm në lidhje aktin e ngritjes së monumentit të parë skulptural të Skënderbeut në qytetin e Dibrës. Jo vetëm që mungon përshkrimi i atmosferës dhe jehonës së përurimit të bustit të heroit tonë kombëtar, por nuk ka as edhe një zbërthim estetik të tipareve dhe karakteristikave artistike të kësaj vepre figurative. Për atë akt aq sublim dhe të rëndësishëm i cili ka ndodhur në një kohë me të vërtetë të kontestuar, shpresojmë të shpreh interes të dinë diç më tepër, jo vetëm dibranët, por edhe opinioni më i gjerë shqiptarë. Dhe jo rastësisht ky artikull ndërlidhet me përvjetorin e aktit në fjalë.

“ITAKAT” E SKËNDERBEUT
Përderisa mendoja se nga t”ja nisja këtij artikulli, ndërmend më shkoi thënia metaforike: “Gjithkush e ka Itakën e vet dhe çdonjëri është nga pak Uliks”, që e kam lexuar në një artikull të Prof. Dr. Agim Vincës. Po ta zbërthesh më hollësisht këtë, sigurisht që ajo ka shpjegimin e saj domethënës. Metafora e saj sikur përputhet me fatin e heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti – Skënderbe, i cili, sa herë e deshi nevoja është (ri)kthyer në “itakën” e tij. Megjithatë, shikuar nga biografia e tij, del që ai të ketë pasur dy “itaka”, atdheun dhe vendlindjen e tij. Shqipërinë dhe Dibrën.
Kësaj radhe, sigurisht, që nuk do të merremi me portretizimin e figurës dhe se nuk do të ndalemi në hollësitë e bëmave të tij. Para se gjithash do të merremi me një moment tjetër, i cili lidhet po ashtu me figurën e tij, shikuar nga këndvështrimi historik dhe artistik. Më saktësisht, do të flasim për Skënderbeun e bronztë të qytetit të Dibrës! Në fakt, pak më shumë do merremi me bustin, por nuk do ta lëmë pa e përmendur as edhe shtatoren e tij prej bronzi. Për të rifreskuar kujtesën për një ngjarje aq të madhe historike, por edhe për një vepër artistike me përmasa kapitale për artin shqiptar janë shfrytëzuar të dhëna publicistike dhe shkencore.
Në të vërtetë, si nxitje për t’iu rrekur këtij artikulli më shërbeu edhe rrëfimi i Vitore Stefa Leka, si dëshmitar okular i aktit të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në qytetin e Dibrës, të publikuara në portalin “Zemra Shqiptare”, gjë që pohimi në fjalë përkon edhe me njoftimet e shtypit shqiptar të kohës. Duhet përkujtuar se informacionet nga kronika e kohës flasin se ngritjes së bustit të Skënderbeut në Dibër, i ka paraprirë vendosja e të njëjtit në Kërçovë. Nga një dokument i Arkivit Shtetëror Shqiptar, mësojmë se busti në Kërçovë është ngritur më 28 Nëntor të vitit 1941, që lidhet me rastin e shënimit të festës së madhe kombëtare të shqiptarëve. Pavarësisht, se ku u ngritë përherë të parë busti në fjalë, megjithatë, duhet theksuar se Dibra është qyteti i vetëm mbarë-shqiptar që i ka ngritur dy herë monument Skënderbeut. “E si mund të ngjante ndryshe se Skënderi në këto kodra e male të Dibrës ka korrun fitoret e tij më të mëdhaja, ka lënë gjurmët më të paharrueshme të heroizmit shqiptar”, pat shkruar asokohe gazeta Tomori në lidhje me ngritjen e monumentit të parë.

MANIFESTIM MADHËSHTORE
Duhet theksuar se për bustin e heroit tonë kombëtarë në Dibër, në mënyrë informative kam shkruar edhe më herët, por kësaj radhe si dëshmi do të kemi edhe pamje fotografike. Se jo më kotë thuhet se “një fotografi vlen sa 1000 fjalë”, që do të thotë se nëpërmjet të disa fotografive të studios italiane të asaj kohe, Luçi (ndonëse të siguruara në mënyrë piraterie), do të sjellim informacione akoma më bindëse mbi ngritjen bustit të Skënderbeut në Dibër.
Kur jemi te busti në fjalë, duhet rikujtuar lexuesit se aty kah mesi i shekullit të kaluar janë ngritur edhe disa veprat tjera të skulptorit të madh shqiptar, Odise Paskali, të cilat kanë zbukuruar sheshet të disa qytetet shqiptare në Maqedoni, si në Strugë, Gostivar, etj. Ngritja e atyre monumenteve lidhet me data të rëndësishme historike, siç kanë qenë: Shpalljes e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Dita e Flamurit, Kryengritjes Shqiptare e Shatorit të vitit 1913, apo edhe ndonjë datë tjetër të rëndësishme. Manifestimet dhe aktivitet e këtilla kanë shërbyer për ta ngritur vetëdijen kombëtare te popullata shqiptare e këtyre anëve e cila ka qenë e shtypur në mënyrën më të egër të mundshme nga sunduesit shekullor, dhe sidomos ai serbo – sllav.
Prandaj dhe dibranët kanë zgjedhur atë që u ngjante. Shikuar historinë e bujshme dhe traditën bujare dhe humane dibrane, dhe sidomos lidhjet e saj me heroin kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, qyteti i Dibrës nuk kishte se të vepronte ndryshe, përveç se ti ngrinte një përkujtimore aq domethënëse birit të saj. Dhe me një ceremoni madhështore dibranët e kanë përuruar bustin e Skënderbeut, i cili simbolizonte jo vetëm veprën vigane të trimit legjendar, por njëherësh edhe flakjen e skllavërisë të ushtruar nga zgjedha sllave për dekada me radhë ndaj shqiptareve. “Mbi këtë monument që për ne ishte gjer dje shenjë skllavërie sot shohim krenar bustin e Skënderbeut”, e ka shprehur mjaft mirë në fjalimin e tij me nota patriotike të zjarrta, Kryetari i Bashkisë, Shemsi Hatibi.
Kështu, vetëm pesë muaj më vonë pas Kërçovës, edhe Dibra është bërë me monument të Skënderbeut, duke shlyer kështu një pjesë të borxhit ndaj birit të saj. Simbolikën e bëmave të figurës së tij më së miri e shpreh nëntitulli i një reportazhi: “Dibra, teatri kryesor i lavdive të Skënderbeut”, ka shkuar korrespodenti i gazetës Tomori në muajin nëntor të vitit 1941. Thënie e këtij nëntitulli përmbledh shumë çka lidhur me figurën e Skënderbeu, por para se gjithash autori donë të konfirmoi se origjina e familjes së heroit shqiptar ka qenë pikërisht nga Dibra.
Sipas shënimeve të gazetës Tomori, Dibra, e ka ngritur bustin e Skënderbeut, pikërisht më datën 11 prill të vitit 1942, pra, me rastin e përvjetorit të parë të ribashkimit të “tokave të liruara” me Shqipërinë. Siç dihet nga historia si ditë e ribashkimit të një pjese të tokave shqiptare merret 11 prilli i vitit 1941, dhe me këtë rast secili qytet shqiptar ka marr si obligim për ta shënuar atë ngjarje me ndonjë element kombëtarë.

SKËNDERBEU “HOQI” MBRETIN
Në përurimin e bustit të Skënderbeut, me rastin e përvjetorit të parë të çlirimit të tokave shqiptare nga zgjedha e mbretërisë jugosllave dhe bashkimin me trungun amë, kanë qenë të pranishëm ministrat e Qeverisë së Mbretërisë së Shqipërisë si dhe paria e Bashkisë së Dibrës. Por, sado të ndarë që kanë qenë dibranët mbi baza ideologjike, asaj dite Dibra ishte bërë një. Të gjithë qytetarët e saj e kishin madhështuar me praninë e tyre aktin e ceremonisë së përurimit, duke i lënë kështu edhe dy legjenda tjera vendlindjes së tyre, një për të kaluarën dhe një për të ardhmen.
Ngritja e monumentit të Skënderbeut ngërthen edhe një simbolik tjetër për dibranët dhe gjithë shqiptarët. Pra, busti i Skënderbeut ka hequr monumentin e mbretit serb, Petri I – Karagjorgjeviq, të cilin e ka ngritur regjimi i Beogradit me rastin e 25 vjetorit (1912-1937) të pushtimit serb të tokave shqiptare, përfshirë këtu edhe Dibrën. Se busti i heroit tonë ka qenë i vendosur mbi bazamentin e tipit gjysmë obelisk të monumentin ekzistues të ngritur nga regjimi mbretëror jugosllav, dëshmon edhe fjalimi në vijim i kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatibi, të mbajtur me rastin e solemnitetit të përurimit, të përcjellë në gazetën “Tomori” të 15 prillit të vitit 1942. “A ka provë ma të gjalla që të dëshmojë se qysh shenjat e padrejta shqelmohen e shduken. Mbi këtë monument që për ne ishte gjer dje shenjë skllavërije sot shohim krenar bustin e Skënderbeut”, ka thënë ndër të tjera, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatibi. “Mbetet të vëmë në dukje se riti simbolik kishte edhe një kuptim tjetër, busti i Fatosit tonë kombëtar, i punuar bukur prej skulptorit Odhise Paskali, u vendos mbi të njëjtin bazament ku përpara ngrihej një monument i përgatitur prej serbëve për të nderur kujtimin e atyre që kishin rënë për të robëruar pjesën më të bukur e më të begatshme të Shqipërisë”. Fjalët e kryetarit dibran e dëshmojnë edhe pamjet që sjellin disa nga fotografitë e asaj kohe.
Duke dashur të vë në spikamë rëndësinë e lirisë për shqiptarët, kryetari, Hatibi ndër të tjera ka theksuar: “Nuk ka provë ma të madhe se kjo në botë – që të dëshmoi se sa shtrenjtë e çmon shqiptari lirinë dhe sa lart dhe sa nalt i ngre dhe i nderon heronjtë e tij kombëtar. Me Skënderin në gojë ra Dibra kur në Lesh, Skënderi u rrëmbye prej mortjes së zezë. Me Skënderin në gojë, sot ringjallun Dibra po feston ditën e shlirimit, pa bërë as më të voglin efekt shekujt e gjatë që kanë kaluar prej asaj kohe të lavdishme”.
Skulptura, përkatësisht busti, deri në gjysmën e gjoksit, ishte vendosur me kokë të drejtuar kah lugina e Drinit të Zi, kah ishte edhe Sfetigradi (Koxhaxhiku i sotshëm), njëra nga pikat më strategjike ku Skënderbeu ka zhvilluar njërën ndër betejat më të famshme të tij. Vetëm të përkujtojmë se nga gjithsej 25 beteja triumfuese të Skënderbeut, 15 prej tyre ai i ka zhvilluar në krahinën e Dibrës.

ZBËRTHIMI ESTETIK
Kur flitet për Skënderbeun, duhet theksuar se ashtu si në letërsi, muzikë, dramaturgji, figura e tij ka qenë objekt trajtimi i vazhdueshëm edhe në artin figurative. Dhe jo rastësisht edhe imazhet më të hershme dhe më autentike pamore të figurës së tij vijnë pikërisht nga artistët të ndryshëm figurativ, të cilët kryesisht janë piktorë dhe skulptorë të huaj. Si rrjedhojë sot ruhen me qindra e qindra vepra artistike të cilat përveç karakteri historiko dokumentar, ato në radhë të parë kanë domethënie të pa kontestuar artistike dhe estetike.
Përvoja e deritanishme flet se shqiptarët, ndoshta më tepër se të tjerët, kanë nevojë për ti promovuar vlerat e mirëfillta kombëtare, sidomos në rrethanat e tanishme, ku duket se imazhi ynë, për arsye të ndryshme, është në rënie e sipër. Dhe kjo është njëra nga rrugët që duhet ndjekur për të përmirësuar deri diku imazhin e cenuar është angazhimi për ngritjen e përmendoreve të njerëzve të shquar të kombit. Këtu, padyshim që vend kryesor ka zënë Skënderbeu, i cili është personazhi historik shumë i pranishëm në artet figurative. Duke i lënë anash këtu të gjithë ato vepra në vizatime, gravurë, pikturë, kësaj here do të ndalemi te veprat në skulpturë kushtuar figurës së Skënderbeut. Por, ndër tërë ato skulptura kushtuar figurës së heroit, qoftë si kalorës (ekuestër), shtatore dhe bust, për më shumë se një shekull rresht vazhdimisht po ringjallet në bronz, gurë dhe ndonjë material tjetër, sa nëpër trojet shqiptare po aq edhe nëpër botë.
Dhe ajo që është akoma më e rëndësishme për qëllimin e këtij artikulli, ka të bëjë me faktin se në po të njëjtin raportim të gazetës “Tomori”, vihet në pah që autori i bustit të Skënderbeut është skulptori shqiptar, Odise Paskali, i cili ka qenë i pranishëm në ceremoninë e përurimit të veprës së tij në Dibër. Gjithashtu, në vijim përshkruhen edhe karakteristikat skulpturale të bustit. “Vepra e tij me një madhësi dyfish natyrale, është tepër ekspresive; Skënderbeu, në miset (lineamentet) tradicionale të Fatosit përfytyron tipin e shqiptarit malësor, luftëtar trim e të shkathët, sy petrit, bir i vërtetë i shqipes”, shkruan ndër të tjera korrespondenti i Tomorit.
Korrespondenti i “Tomorit” gjithashtu ka nënvizuar se nuk ka nevojë për shumë përshkrime për bustin në fjalë, sepse, ky është i njohur prej një pjese të shqiptarëve, pasi që dy vjet më parë (në vitin 1939, v. j.) me angazhimin e qytetarëve atdhedashës, origjinali është ngritur në qytetin e Kukësit. Pra, busti i ngritur në Dibër, është një replikë e skulpturës të realizuar nga skulptori i madh, Odise Paskali, dhe se skulptura origjinale është vendosur në qytetin e Kukësit, me shikim të Skënderbeut të kthyer nga Kosova. Qoftë origjinali, apo edhe busti i Dibrës, si njëra nga 25 replikat të derdhura në bronz dhe 50 të tjera të derdhura në gips (allçi), të shpërndarë brenda trojeve shqiptare dhe jashtë tyre nëpër botë, përbëjnë veprën më të popullarizuar kushtuar figurës së Skënderbeut. Kjo vepër tani reflekton, jo vetëm pamjen e jashtme të portretit (fytyrës), por brenda saj ajo ngërthen edhe karakteristikat tejet psikologjike të personalitetit të Skënderbeut.
Shprehur me gjuhën e kritikës figurative do të konstatonim se, autori i këtij busti, Odise Paskali, ka arrit që të kap çdo tipar anatomik dhe psikologjik ta vendos në vendin e duhur, duke zbatuar kështu një gjuhë të kombinuar stilistike midis realizmit dhe ekspresionizmit në modelimin e kësaj vepre skulpturale. Duke qenë se, në kohën kur është krijuar vepra në fjalë, në artin figurativ botëror dominonin prirjet e pluralizmit artistik, domosdo që edhe arti shqiptar, e sidomos arti i Paskalit i shkolluar në Itali, ndikohej nga ato. Dhe i frymëzuar edhe nga gjendja në cilën ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët gjatë asaj kohe, Paskali, arriti që ta përjetësoi figurën e tij nëpërmjet një realizmi ekspresiv.

PËRFUNDIMI
Dhe vjen një ditë kur e pësuan edhe busti, por edhe ai që e solli atë në Dibër. Ashtu që, kryetari i atëhershëm i Dibrës, Shemsi Hatibi, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si shumë të tjerë, e pat paguar me kokë nga regjimi komunist. Ndërkaq, sipas një të dhëne të pakonfirmuar, një të shtune të vjeshtës së vitit 1953, regjimi jugosllav komunist ka hequr edhe monumenti i Skënderbeut, ka zhdukur bazamentin dhe obeliskun, kurse bustin mendohet se e kanë fshehur diku nëpër zyrat apo depot e institucioneve shtetërore komuniste, për të mos e gjetur më kurrë.
Por, megjithatë duhet theksuar se, dibranët e rikthyen monumentin e Skënderbeut në qytetin e tyre. Siç dihet në vitin 2002, në sheshin e qytetit të Dibrës u përuruar për herë të dytë monumenti i Skënderbeut, por kësaj radhe bëhet fjalë për një shtatore me përmasa mbinatyrore të realizuar nga skulptorët, Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela. Kështu, Dibra, rreth gjysmë shekulli më vonë, edhe njëherë shleu obligimin ndaj heroit dhe ndaj vetes. (koha.mk)

Loading...
loading...











Loading…


loading…