E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë

Prof. Kristo Frashëri

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sidomos periudha e njohur në histori me emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila synonte të grumbullonte mbarë trojet shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, në fillim në nivelin e një vilajeti të bashkuar autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, pastaj të një shteti autonom nën sovranitetin apo suzeranitetin e sulltanit turk, më në fund në një shtet kombëtar krejtësisht të pavarur, përfshiu edhe viset shqiptare, që sot bëjnë pjesë në Republikën e Maqedonisë. Siç dihet, Lëvizja Kombëtare Rilindëse u zhvillua në disa drejtime – herë si lëvizje e armatosur kundër reformave administrative të Perandorisë Osmane, herë si lëvizje politike për bashkimin e trojeve shqiptare në një njësi të vetme administrative, herë si lëvizje për të fituar të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare shqipe, herë si lëvizje për të sanksionuar në arenën ndërkombëtare njohjen e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia fetare si një kombësi e vetme dhe herë si lëvizje për të kundërshtuar copëtimin e trojeve shqiptare nga pretendimet e monarkive fqinje. Faktori kryesor që pengonte realizimin e synimeve të Rilindjes Kombëtare ishte mohimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve nga Perandoria Osmane dhe copëtimi prej saj i trojeve të tyre etnike në disa njësi të mëdha administrative, siç ishin vilajetet, të cilat pengonin jetën e tyre të përbashkët.
Fillimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare u dukën në çerekun e dytë të shekullit XIX. Ato u dukën në një kohë kur Perandoria Osmane ndërmori zbatimin e reformave administrative, financiare, ushtarake, arsimore të njohura me emrin Tanzimat. Një nga masat kryesore të Tanzimatit ishte reforma administrative e vilajeteve. Provinca historike e Dardanisë u prek, për sa u përket kufijve administrativë, tepër pak. Ajo u quajt vilajeti i Kosovës, qendrën e pati kryesisht në Shkup, kurse vetë Shkupi u ngrit në nivelin e një sanxhaku. Për sa u përket viseve të sotme të Maqedonisë, sanxhaku i Shkupit përfshinte kazatë e Shkupit, Kumanovës, Kaçanikut, Shtipit, Radovishtës, Koçanës, Kratovës, Peçevës dhe të Egri-Palankës. Tetova u shkëput nga Shkupi dhe u përfshi në sanxhakun e Prizrenit.
Krahas vilajetit të Kosovës u krijua edhe vilajeti i Manastirit, i cili përfshiu pesë sanxhaqe. Dy prej tyre kishin vise shqiptare, që sot bëjnë pjesë në Republikën e Maqedonisë – sanxhaku i Manastirit, i cili kishte kazanë e Ohrit (me Strugën) dhe kazanë e Kërçovës; si dhe sanxhaku i Dibrës, i cili përveç viseve që sot bëjnë pjesë në Shqipëri, përfshinte edhe kazanë e Rekës. Tre sanxhakët e tjerë, ai i Korçës dhe Elbasanit nuk e preknin fare Republikën e sotme të Maqedonisë, kurse sanxhaku i Selfixhesë nuk përfshinte fare vise shqiptare.
Dihet se parimet e Tanzimatit u shpallën në Stamboll më 3 nëntor 1839. Një nga kryengritjet më të mëdha kundër masave tanzimatiste shpërtheu nga shqiptarët e Shkupit, më 21 korrik të vitit 1843. Nga Shkupi kryengritja, e cila njihet me emrin e udhëheqësit të saj Dervish Carës, u shtri me të shpejtë në viset e tjera shqiptare si në Tetovë, Kaçanik, Kumanovë, Gostivar, pastaj dhe në viset e banuara nga popullsi maqedonas. Sapo kryengritja e Dervish Carës u shtyp, shpërtheu nga shqiptarët kryengritja në sanxhakun e Dibrës, e cila gjithashtu u shtyp nga ushtritë e rregullta osmane. Megjithatë, kryengritjet e shqiptarëve vazhduan edhe më vonë. Kështu, për gati 30 vjet kryengritjet pasuan njëra-tjetrën derisa në vitin 1875 Porta e Lartë hoqi dorë nga zbatimi me dhunë i masave tanzimatiste në malësitë shqiptare.
Sapo u ndërprenë kryengritjet antiturke, filluan më 1878-n protestat e shqiptarëve kundër Traktatit të Shën Stefanit dhe kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Meqenëse Kongresi i Berlinit vendosi cedimin e disa viseve shqiptare në favor të monarkive fqinje, Lëvizja Kombëtare Shqiptare nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit mori hov të paparë deri atëherë. Tri ndër vatrat kryesore të lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit qenë në Shkup, Tetovë, Dibër. Madje, kryetari i parë i saj ishte nga Dibra, Iljaz Pashë Qoku, të cilin e pasoi një personalitet nga Tetova, Sheh Mustafa Tetova. Shqiptarët e Shkupit i dhanë Lidhjes së Prizrenit disa personalitete tepër të rëndësishme, njëri ndër të cilët, Jashar bej Shkupi, udhëheqësi i tyre kryesor, pësoi internim të rëndë në burgjet e ishujve të Egjeut. Pasi Lidhja e Prizrenit u shtyp me dhunë nga forcat ushtarake osmane, protestat e shqiptarëve të këtyre viseve vazhduan kundër Portës së Lartë. Pikërisht në këtë kohë fillon edhe lëvizja politike për krijimin e një vilajeti të bashkuar dhe autonom shqiptar, e cila më 1899-n, një nga qendrat më kryesore të saj e pati në qytetin e Dibrës. Dora-dorës me lëvizjen për autonomi të Shqipërisë, në viset shqiptare që sot bëjnë pjesë në Republikën e Maqedonisë, mori hov edhe lëvizja kulturore për shkrimin shqip, për shkollat shqipe dhe për kishën shqiptare. Në vitet e fundit të shekullit XIX, në Lëvizjen Kombëtare morën pjesë jo vetëm shqiptarët myslimanë, por, siç u tha, edhe shqiptarë ortodoksë të viseve të sotme të Maqedonisë.
Gjatë viteve të fundit të sundimit osman, drejtimin kryesor të lëvizjes patriotike shqiptare brenda në Perandorinë Osmane e pati komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili u krijua në qytetin e Manastirit (Bitolj). Veprimtaria e tij u bë e mundur në sajë të banorëve të shumtë shqiptarë, të cilët mbushnin qytetin. Sjellim me këtë rast si dëshmi statistikën e popullsisë së Vilajetit të Manastirit (Vilayet de Monastir), botuar në frëngjisht nga Instituti Gjeografik i Sofjes, më 1902, në të cilën shënohet se qyteti i Manastirit (Bitolj) atë vit kishte gjithsej 5972 shtëpi, nga të cilat 1775 shtëpi turke (myslimane), 1600 shtëpi bullgare, 1397 shtëpi shqiptare, 700 shtëpi vllehe dhe 500 shtëpi izraelite. Po të kemi parasysh se përveç 1397 shtëpi të shënuara shqiptare, edhe një pjesë prej 1775 shtëpive të shënuara turke i përkisnin kombësisë shqiptare myslimane – justifikohet vlerësimi që rilindësit shqiptarë kishin për Manastirin e kohës së tyre si qytet kryesisht shqiptar.
Bilanci i punës patriotike që zhvilloi Komiteti i Manastirit ishte shumë i pasur. Komiteti krijoi nëpërmjet degëve të tij lidhje me shumë vise të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme. Kryetari i komitetit, Bajo Topulli, profesor në shkollën e mesme të Manastirit, organizoi çetën e parë patriotike, e cila me moton “Ja vdekje! Ja liri!”, përhapi në viset shqiptare programin themelor të Rilindjes Kombëtare në të dy frontet e luftës patriotike – në lëvizjen e armatosur për çlirimin e Shqipërisë dhe në lëvizjen kulturore për hapjen e shkollave shqipe. Më 1908-n, sapo u krijuan rrethanat politike, në Manastir u mblodh Kongresi i Alfabetit Shqip, i cili caktoi alfabetin që mbarë shqiptarët përdorin edhe sot e kësaj dite. Gjithashtu, në Manastir filluan botimin organe shqipe, njëra nga të cilat “Bashkim‘i Kombit” nën drejtimin e Fehim Zavalanit, përhapi në mbarë vendin programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.StrugaLajm

Krahinat shqiptare të Maqedonisë së sotme u shquan edhe në kryengritjen e madhe çlirimtare antiosmane që shpërtheu më 1912-n. Askush nuk duhet të harrojë se pikën kulmore kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 kundër zgjedhës shekullore osmane me përmasa të papara deri atëherë, e pati me hyrjen në 11 gusht të kryengritësve shqiptarë në Shkupin e çliruar prej tyre. Askush nuk duhet të harrojë entuziazmin e papërshkrueshëm që pushtoi banorët e Shkupit kur hynë në qytet çlirimtarët shqiptarë.
Veç kësaj, askush nuk duhet të harrojë se thirrjes që drejtoi Ismail Qemali tre muaj më vonë për të dërguar delegatët e tyre në Kuvendin historik të Vlorës, iu përgjigjën edhe krahinat shqiptare të Maqedonisë së ditëve tona. Me gjithë vështirësitë e qarkullimit të krijuara nga Lufta e Parë Ballkanike, në Kuvendin e Vlorës mundën të merrnin pjesë tetë delegatë, të cilët përfaqësonin viset shqiptare, që sot ndodhen në Republikën e Maqedonisë: Dibrën, Tetovën, Gostivarin, Strugën dhe Ohrin (Myfti Vehbi Agolli, Sherif Langu, Mehmet Pashë Dërralla, Hamdi Ohri, Doktor Murtezai, Zyhdi Beu, Nuri Sojliu, Mustafa Baruti). Dihet gjithashtu se dy prej tyre zunë poste të rëndësishme në organet e larta të shtetit të pavarur shqiptar – Myfti Vehbi Agolli, i cili u zgjodh me vota unanime kryetar i Këshillit Kombëtar (Parlamentit) dhe Mehmet Pashë Dërralla, i cili u zgjodh edhe ministër i Mbrojtjes Kombëtare.
Shkupi, kryeqyteti i sotshëm i Republikës së Maqedonisë, më 1913-n përbëhej për nga popullsia në shumicën dërrmuese nga shqiptarët. L. Jaray, një vëzhgues i paanshëm frëng, i cili e vizitoi më 1913-n Shkupin, shkruante se atë vit qyteti kishte 45000 banorë, nga të cilët rreth 25000 ishin myslimanë (55%), pothuajse të gjithë shqiptarë, kurse bullgarë, pra maqedonët 10000-15000 (22-33%). Veç këtyre, kishte 3000 serbë dhe 2000 izraelitë (G.L. Jaray, L‘Albanie inconnue, Paris 1913, f. 40).
Që shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë e vërteton, ndonëse me përqindje të tjera, Instituti Gjeografik i Sofjes. Në vëllimin e tij të përmendur, botuar më 1902 mbi sanxhakët e Ballkanit, njoftohet se në fillim të shekullit XX, Shkupi, kryeqendra e vilajetit të Kosovës, kishte 4474 shtëpi apo familje. Prej tyre, thuhet në këtë vjetar, 2336 shtëpi (52,25%) banoheshin nga familje të cilësuara turke, apelativ, me të cilin nënkuptoheshin banorët myslimanë, por që sikurse u shpjegua më parë, në shumicën e tyre dërrmuese ata qenë shqiptarë. Sipas atij vjetari, atë vit në Shkup kishte 1687 (37,58%) familje bullgare, kurse tepricën e përbënin ciganët (rreth 200 shtëpi), izraelitët (rreth 100 shtëpi), vllehët (rreth 60 shtëpi), rreth 91 familje shqiptare, sigurisht shqiptarët e ritit katolik.
Ne preferuam njoftimin e personalitetit frëng dhe atë të Buletinit statistikor të Institutit Gjeografik të Bullgarisë për të mos na akuzuar si antisllavë, mbasi njoftimet e tjera që kemi mbi popullsinë që kishte Shkupi në fillim të shekullit XX e ngrenë numrin e shqiptarëve në përmasa më të larta, në bazë të të cilave Shkupi quhej qytet shqiptar. Siç shihet, Buletini i Sofjes flet si në rastin e Manastirit dhe në atë të Shkupit për bullgarë dhe jo për maqedonë. Ne nuk duam të ndërhyjmë në këtë çështje.
Ana statistikore se kush e përbënte në këto vise shumicën e popullsisë në fillim të shekullit XX, i përket historisë së qytetërimit. Bota ecën përpara dhe duhet të trajtohet ashtu siç është sot. Stambolli dikur ka qenë qytet grek, sot është qytet turk. E kaluara nuk mund të rivendoset. Por edhe të mohosh se Stambolli ka qenë prej mijëra vjetësh qytet grek, meqenëse sot është qytet turk, është absurditet. Shkupi ka qenë dikur qytet shqiptar dhe me minoritet maqedon. Sot është qytet maqedon me minoritet shqiptar. Por ai ka një minoritet dinamik aq të fuqishëm, i cili e detyron Shkupin të jetë kryeqytet jo vetëm i Maqedonisë, por edhe i shqiptarëve të Maqedonisë. Dihet se ashtu si paralufte Mbretëria Jugosllave e Karagjeoqeviçëve ashtu dhe pasluftës Jugosllavia Socialiste Federative e titistëve kanë ndjekur një politikë dëbimi nëpërmjet emigracionit të shqiptarëve në masë nga trojet e tyre etnike në fillim në drejtim të Turqisë dhe më pas në kontinentin evropian dhe amerikan. Nuk ka dyshim se shpërngulja e tyre, e cila llogaritet me qindra mijë familje, ka sjellë pakësimin e popullsisë shqiptare edhe në Republikën e sotme të Maqedonisë. Sigurisht që edhe kjo politikë e nacionalizmit të egër i takon historisë. Duam vetëm të kujtojmë se me gjithë këtë politikë dëbimi që mbulon shekullin XX, masa e shqiptarëve që ka sot Republika e Maqedonisë është përsëri e konsiderueshme. Sipas statistikave zyrtare të Shkupit, banorët e njohur si shqiptarë, sot përfaqësojnë rreth 25% të popullsisë në shkallë republike. Sipas zërave që qarkullojnë në institucionet shqiptare, ata përfaqësojnë afërsisht 1/3 e popullsisë në shkallë republike. Është, gjithsesi, një masë e konsiderueshme. Gjithsesi, në të dyja rastet, numri i tyre përfaqëson një masë të konsiderueshme. Përveç peshës së konsiderueshme, ata nuk janë ardhacakë, por autoktonë, janë të zotët e shtëpisë së krahinave ku banojnë. Si përfundim, mendojmë se qeveritarët e Shkupit duhet të heqin dorë nga ëndrrat nacionaliste e shoviniste dhe ta shohë realitetin me sy hapur për ta parë ashtu siç është. Të shohë se në gjirin e saj ka një masë të konsiderueshme shqiptarësh, të cilët jetojnë, punojnë, shpresojnë dhe kërkojnë që të thonë fjalën e tyre në atdheun e përbashkët, që nuk u takon vetëm maqedonëve, por edhe shqiptarëve.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...