Edhe më tej shifra të larta të rasteve pozitive me KOVID-19

Edhe më tej shifra të larta të rasteve pozitive me KOVID-19, apel për respektimin e të gjitha masave për mbrojtje

Numrat e personave pozitiv me koronavirus dhe ata që kanë nevojë për trajtim spitalor mbeten të larta. Për t’u përballë më mirë me situatën dhe për të përdorur të gjitha resurset e shtetit, duke përfshirë objektet private të kujdesit shëndetësor, Qeveria ka shpallur gjendje krize, ndërsa QMK tashmë ka miratuar një Plan Veprimi me 17 pika. Mbeten edhe më tej thirrjet e autoriteteve, por edhe të punonjësve shëndetësorë që janë në vijën e parë të luftës kundër pandemisë, për respektimin e të gjitha masave.

Gjendja e krizës në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut në kohëzgjatje prej 30 ditëve, që me propozim të Këshillit të sigurisë e shpalli dje Qeveria, i mundësoi Armatës t’i japë mbështetje policisë dhe institucioneve shëndetësore”, shkroi sot në Fejsbuk presidenti Stevo Pendarovski.

Presidenti shtoi se sipas Ligjit për menaxhim me kriza, Armata do ta ndihmojë policinë në sigurimin e objekteve strategjike, spitaleve, si dhe në sigurimin e depove me medikamente dhe me pajisje tjetër mbrojtëse mjekësore.

“Konsideroj se ndihma dhe mbështetja e këtillë është më se e nevojshme për autoritetet shëndetësore dhe policinë, të cilat tashmë nëntë muaj me radhë, natë e ditë po luftojnë me pandeminë e #КОVID19 dhe janë të dërmuar”, shkruan Pendarovski në Fejsbuk.

Një Plan Veprimi që përmban 17 pika u miratua mbrëmë në takimin e Shtabit të Përgjithshëm të Krizave në Qendrën për Menaxhimin e Krizave.

“Plani i veprimit do të shkojë për shqyrtim në Komitetin drejtues që është i përbërë nga ministrat e Punëve të Brendshme, atë për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Shëndetësi, Transport dhe Lidhje dhe unë si drejtues i Shtabit kryesor. Gjendja te ne nuk është diçka më e keqe nga gjendja në rajon. Konsideroj se e kemi nën kontroll”, ka thënë Angellov.

Ka paralajmëruar se do të punojnë në forcimin e vetëdijes publike. Qytetarët, siç tha ai, të kuptojnë se bëhet fjalë për një sëmundje të rrezikshme. Do të ketë vazhdim të fushatës mediatike e cila do të ishte shumë më e përforcuar. Ka paralajmëruar se do të përfshihen edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.StrugaLajm

“Do të kërkojmë nga Këshilli i Qeverisë për bashkëpunim me organizata joqeveritare të përcaktojnë disa përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e njeriut. E kemi shqyrtuar edhe bashkëpunimin me Armatën e cila do t’i ndihmojë policisë, por edhe do të japë ndihmë të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shëndetësore atje ku nevojitet”, ka thënë Angellov.

Në video fjalimin e sotëm, mjekët Milena Stevanoviq, Dejan Dokiq, Kalina Grivçeva-Stardellova, Ilir Demiri, irena Rambabova Bushljetiq, Dimitar Karkinski dhe tekniku mjekësor, Sabri Aziri porosisin të jemi mbështetja e tyre. Ata bëjnë thirrje t’i respektojmë masat në mënyrë që të mund t’u ndihmojmë edhe atyre, të cilët gjatë nëntë muajve të fundit janë në radhët e para të frontit.

“Jemi të angazhuar tërë kohën me tërë dëshirën tonë të japim më të mirën që mundemi. Moti  ndaluam të llogarisim orarin. Edhe ne kemi familje, kemi fëmijë, kemi prindër të moshuar. Edhe ne nuk duam ta dërgojmë sëmundjen në shtëpi, e as ndërkaq të sëmuremi. Mundohemi dhe insistojmë asnjë pacient i yni të mos mbetet pa mbrojtjen e nevojshme mjekësore për trajtim në kushte spitalore. Kjo do të zgjasë dhe vetëm të bashkuar mund të japim kontributin, në mënyrë që të mund t’u ndihmojmë pacientëve tanë. Ju lutemi! Përmbajuni rekomandimeve, mbani maskat, mbani distancën. Vetëm kështu do të dalim fitimtarë në këtë betejë”, porosisin mjekët.

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se punonjësit mjekësorë, në mënyrë të palodhshme e japin maksimumin e vet në trajtimin dhe kujdesin për pacientët. Mbajtja e maskës mbrojtëse, mbajtja e distancës fizike, mosgrupimi si dhe larja e shpeshtë e duarve janë masat kyçe në përballjen me krizën me Kovid-19.

“Kapacitetet e spitaleve tashmë janë mbushur, ndërsa dinamika e mjekimit dhe pranimit të pacientëve të rinj është gjithnjë e më vështirë e qëndrueshme. I tërë personeli mjekësor është i lodhur, por ata nuk heqin dorë nga kujdesi për pacientët tanë. Të jemi përgjegjës dhe të kujdesemi për shëndetin personal dhe shëndetin e familjarëve”, ceket në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Janë regjistruar 1182 raste të reja pozitive me koronavirus për 24 orët e fundit nga 3109 teste të kryera. Në të njëjtën periudhë, janë regjistruar 707 pacientë të shëruat, si dhe 25 vdekje. Ministria e Shëndetësisë informoi se numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar për koronavirus që trajtohen në departamentet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin është 1.292 dhe ka rreth 120 shtretër spitalor të zbrazët në qendrat kovid, duke vërejtur se numri është i ndryshueshëm për shkak të pranimeve të reja dhe lëshimeve te pacientëve të shëruar.

In : Aktuale

Loading...
loading...