EDHE NË STRUGË U SHËNUA 50-VJETORI I GJUHËS STANDARDE SHQIPE

    Data 18 nëntor 2022 në Strugë shënoi mbajtjen e Akademisë Solemne të 50-të vjetorit të gjuhës shqipe të standardizuar . Qëllimi i mbajtjes së kësaj Akademie ishte njohja e pjesëmarrësve për rrugëtimin që pati gjuha jonë, prej në Manastir e deri në Tiranë . 

    Akademia u mbajt në një ndër sallat e Hotelit Drin, ku morën pjesë një numër i madh i të interesuarve për historinë gjuhësore. Ndër ta ishin ministri i Arsimit dhe Shkencës – z. Jeton Shaqiri, konsuli i Republikës së Kosovës – z. Agim Krasniqi , një numër i madh profesorësh, nxënësish e qytetarë struganë. Si fillim, fjalën e mori nxënësja Hana Bekteshi e cila e hapi Akademinë duke folur për qëllimin e saj dhe vazhdoi duke ftuar ministrin të marrë fjalën. Përveç fjalimit të tij, u lexuan referate nga kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Arsimit Shqip në Strugë – z. Resul Bekteshi, nga prof.dr. Nebi Dervishi dhe nga z. Izer Mustafai . Mes referateve kishte edhe pikë tjera të planifikuara, ndër to pikë muzikore të përgatitura nga prof. Labinot Ziba dhe recitime poezish. Pas përfundimit të kësaj ngjarjeje, të pranishmit ishin të ftuar në një koktej në lokalin Sky Drin, i cili nuk do të mund të organizohej pa kontributin e z. Argjent Hanit. 

    Arsyeja e mbajtjes së Akademisë nuk ishte vetëm kremtimi i gjuhës sonë së standardizuar, por ishte edhe inkurajimi i njerëzve të rrethit tonë për praktikimin e duhur të kësaj gjuhe. Në fjalimet e mbajtura u cek se e kemi gjuhën mjaft unike dhe të bukur, andaj nuk është nevoja të përdorim huazime të panevojshme në rutinën tonë të përditshme. Urojmë që ky aktivitet të mos jetë i fundit të llojit të tij në rajonin tonë, por përkundrazi, të jetë shtysë e shembull për organizime tjera të ngjashme.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...