Edhe pa firmën e Ivanovit, shqipja do të hyjë në fuqi

Qëndrimet e deputetëve të BDI-së janë në linjë edhe me qëndrime jozyrtare të disa gjykatësve kushtetuese se hyrja në fuqi e Ligjit pas kthimit të dytë nga presidenti, nuk është më në fuqinë e këtij të fundit, por është në fuqinë e vetë Kushtetutës

Fatos RUSHITI

Të enjten në ora 24 ka përfunduar afati tetë ditor kur duhej që presidenti Gjorgji Ivanov të nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pas votimit të dytë në Parlament më 14 mars të këtij viti. Nga Qeveria ishin në pritje që megjithë deklarimet në opinion të presidentit se nuk do ta firmos Ligjin, ai do të respektojë Kushtetutën dhe do ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët, shkruan gazeta KOHA. Në BDI thonë se edhe në rast të mosnënshtrimit nga presidenti Ivanov , Ligji do të hyj në fuqi menjëherë pasi të kalojën tetë ditë nga miratimi i tij, madje duke e quajtur punë të kryer shpalljen e Ligjit në gazetën zyrtare. Ndërkaq, VMRO mban qëndrimin se në rast të publikimit të Ligjit në Gazetë zyrtare pa nënshkrimin e presidentit, drejtori këtij institucioni do të do të kryejë vepër penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit ligjor”.

“E nënshkruan apo nuk e nënshkruan presidenti, Ligji do të hyjë në fuqi menjëherë posa të kalojnë tetë ditë nga miratimi tij meqë gazeta zyrtare është e obliguar të shpallë në këtë rast Ligjin që ka kaluar të gjithë filtra juridik dhe afatet ligjore. Nëse Gazeta Zyrtare apo kushdo qoftë institucion tjetër duhet pyetur ata si i kryejnë detyrimet ligjore. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për ta. Por ajo që dimë ne është se Ligji bëhet i plotfuqishëm sipas parimit të kushtetutshmërisë pasi të kalojë afati kushtetues dhe ligjor tetë ditë pas miratimit të tij”, thonë zyrtarë të lartë të BDI-së.

Qëndrimet e deputetëve të BDI-së janë në linjë edhe me qëndrime jozyrtare të disa gjykatësve kushtetuese se hyrja në fuqi e Ligjit pas kthimit të dytë nga presidenti, nuk është më në fuqinë e këtij të fundit, por është në fuqinë e vetë Kushtetutës.

Sipas asaj që janë shprehur gjykatës kushtetues, jozyrtarisht Ligji ka ecurinë e vetë drejt hyrjes në fuqi, sepse për atë ka vendos shumica e deputetëve. Nga Qeveria thonë se presidentin e obligon Kushtetuta ta nënshkruaj Ligjin në fjalë, duke mos mundur të lëshohet në vullnetin e tij që të mos e nënshkruaj si herën e parë.StrugaLajm

“Ne presim që presidenti ta nënshkruaj Ligjin këtë herë, ngaqë atë e obligon qartë Kushtetuta në nenin 75. Presidenti nuk mund të lëshohet në pushtetin diskrecional si në rastin e parë që ia jep Kushtetuta të mos e nënshkruaj Ligjin”, thotë për gazetën KOHA zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Po në rast të mos nënshkrimit të Ligjit nga presidenti, Boshnjakovski nuk pranon të thotë asgjë nëse Ligji do të shpallet në gazetën zyrtare.

“Do të shohim meqë presim ta nënshkruajë – në rast të kundër,t nuk mund të them çka do të ndodh më tej”, tha Mile Boshnjakosvki. Ndryshe, Neni 75 ë është deciziv sa i përket obligimit të presidentit ta nënshkruaj Ligjin, meqë në të kundërtën – paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës siç kanë theksuar ekspertët dhe më pas mund të kërkohet edhe përgjegjësi në Parlament për veprimin e tij.

“Ligjet shpallen me dekret. Dekretin për shpalljen e ligjeve e nënshkruajnë presidenti i Republikës dhe kryetari i Parlamentit. Presidenti mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit. Parlamenti sërish e shqyrton Ligjin dhe në qoftë se e miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin. Presidenti e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin, në qoftë se sipas Kushtetutës, Ligji nxirret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, thuhet shprehimisht në nenin 75 të Kushtetutës së Maqedonisë. Orce Gjorgjievski, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, gjatë një konference për shtyp, tha se nëse drejtori i Gazetës Zyrtare e publikon Ligjin pa nënshkrimin e presidentit, do të përgjigjet për vepër penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizim”, sipas nenit 353 të Kodit penal të Republikës së Maqedonisë. Njëherësh, Gjorgjievski akuzoi LSDM dhe BDI për kapje të shtetit duke e vënë veten mbi Ligjin dhe Kushtetutën.

“Për këtë shkelje të demokracisë, LSDM dhe BDI do të bartin përgjegjësi politike, por edhe juridike. Për Talat Xhaferin do të ngritet edhe kallëzim penal për mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjet e Maqedonisë. I vetmi institucion që nuk u mposht nga presionet e LSDM-së dhe BDI-së dhe u vu në mbrojte të Kushtetutës dhe interesave shtetërore, ishte presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov”, tha Gjorgjievski. Partia më e madhe në Maqedoni – LSDM, ka reaguar ndaj pres-konferencës të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski. Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE duhet t’i mbledhë forcat dhe të tejkalojë politikat dyfytyrëshe dhe patriotizmin e rrejshëm, sepse i gjithë opinioni e di se partia opozitare në shpresë se do të formonte qeverinë, veçmë e pati pranuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. “Ligji për përdorimin e gjuhëve është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Amendamentin 5 të sjellë në vitin 2001 dhe e avancon përdorimin e gjuhëve të të gjitha komuniteteve jo-shumicë që është në përputhje me konceptin e një shoqërie. Ivanovi është i obliguar të veprojë sipas Kushtetutës dhe nenin 75 të Kushtetutës dhe është i obliguar të nënshkruan dekretin për Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...