Ejjj, fëmijët janë shumë keq!

Imagjinoni, në Maqedoni më shumë se në vendet e tjera të rajonit përdoren metoda dhune për të disiplinuar fëmijët. Studimi që më ra dorë dhe që mu prezantua nga UNICEF-i në Shkup, thotë që gati dyfishi më shumë i të rriturve përdor elemente dhune ndaj fëmijëve dhe që kjo e dhënë të jetë edhe më shqetësuese, metodat e dhunës i përdorin edhe të rritur me të ardhura më të mëdha dhe ata me më vogla. Pasojat ndaj fëmijëve janë të mëdha. Pa ndërhyrjen edhe të institucioneve, del se Maqedonia po rrit breza me gjysmë kapacitete të abuzuar dhe pa perspektivë

Nga Nazim RASHIDI

Shpesh dëgjojmë, qoftë vetë, qoftë nga të tjerët apo qoftë nga politika se si i referohemi të ardhmes. E dëgjojmë frazën pa fund “punohet për të ardhmen”. Apo “gjithçka bëjmë e lëmë trashëgimi për brezat që vijnë”. Ose dhe fjali të tjera si “në emër të fëmijëve” e kështu më radhë.  Por, e ardhmja, brezat, fëmijët e kanë punën shumë keq! Tmerr në fakt.  Nuk është një fjali që e them për të përshkruar apo stilizuar një situatë, por është një realitet i tmerrshëm që më SHOKOI, besoj dhe juve.

Imagjinoni, në Maqedoni më shumë se në vendet e tjera të rajonit përdoren metoda dhune për të disiplinuar fëmijët. Studimi që më ra dorë dhe që mu prezantua nga UNICEF-i në Shkup, thotë që gati dyfishi më shumë se vendet tjera të rajonit i të rriturve përdor elemente dhune ndaj fëmijëve dhe që kjo e dhënë të jetë edhe më shqetësuese, metodat e dhunës i përdorin edhe të rritur me të ardhura më të mëdha dhe ata me më vogla. Kjo gjë më bëri të shqetësohem shumë sepse tregon në fakt që bëhet fjalë për mendësi dhe jo një fenomen aksidental, klasor, rajonal apo etnik. Të dhënat thonë se 58.8 për qind e të rriturve me të ardhura më të vogla përdorin forma dhune ndaj fëmijëve. Më e përafërt me këtë shifër është Shqipëria, kurse në vendet e tjera si Mali i Zi, Bosnja, Kosova apo Serbia shifrat janë më të vogla.

Gati e njëjta pamje shfaqet edhe tek të rriturit me të ardhura më të mëdha mujore, 52.7 për qind e tyre në Maqedoni ushtrojnë forma dhune për disiplinë ndaj fëmijëve, kurse në rajon një lloj si më parë shifrat janë më të vogla po Shqipëria është më afër Maqedonisë me 39.9 për qind.

JU LUTEM MOS I LEXONI KËTO SHIFRA VEÇ SI ELEMENTE STATISTIKORE!

Sipas analizave të shumta dhuna dhe këto metoda sjelljeje nga të rriturit lënë pasoja të mëdha tek fëmijët, qoftë psikologjike qoftë edhe në zhvillimin e tyre dhe ajo e ardhmja për të cilën flasin të gjithë nuk do të jetë e ndritur.

Analiza që mu prezantua, kishte shumë elemente. Në opinion është bërë më shqetësuese fakti i vdekjeve të mëdha tek foshnjat. Me të drejtë, sepse Maqedonia ka 11.4 përqindjen e vdekshmërisë për 1000 lindje. Dramatikisht më e madhja në rajon dhe e vetmja që për pesë vjet ka rritje të numrit të vdekjeve tek foshnjat. Kjo prirje është SHQETËSUESE, shumë madje, sepse në kohën kur fokus është tek politika, marrëdhëniet ndëretnike, në fakt rreziku më i madh për Maqedoninë nuk është asgjë tjetër veç mplakja e popullsisë dhe sidomos IKJA e saj nga vendi. Dhe si të rrinë njerëzit kur kushtet elementare për jetë dinjitoze nuk funksionojnë? Por, sa e tmerrshme është e gjitha kur këto konstatime përballen me shifrat që jo ALARM, po duhej të kishin ngritur të gjithë në këmbë.StrugaLajm

Dhe kur kjo përputhet edhe me nivelet e varfërisë tek fëmijët, që është më e lartë se në BE, apo dhe me nivelin e neglizhencës ose lënien anash të fëmijëve që sërish është më i larti së vendet e rajonit, sinqerisht shtrohen pyetjet e mëdha se ÇFARË BËJMË NE? ÇFARË BËJNË INSTITUCIONET? DHE ÇFARË BËJMË TË GJITHË SËBASHKU? Me atë që shoh nga shifrat e prezantuara, duket se fëmijët tanë po jetojnë në kushtet dhe mënyrat më të tmerrshme se gjithë të tjerët. Kjo do t’i lërë në dizavantash të tmerrshëm duke ua bërë “fat” dështimin apo dhe të qenurit më të prapambeturit se të tjerët.

Sërish dua ta theksoj, nuk është një tekst ky imi kësaj here që shpreh më shumë emocione apo dhe pikëpamje rreth fenomeneve të caktuara. Është një shqetësim i ngritur deri në ULURIMË sepse sipas shifrave, neglizhenca fizike arrin gati 20 për qind tek fëmijët në Maqedoni,kurse ajo emocionale është më e lartë se sa tek vendet e tjera të rajonit dhe kap 30 përqind. Po si mund të rritet e të zhvillohet e ardhmja jonë, fëmijët tanë, ata që duhet të vazhdojnë atë që ne e lëmë, kur qenkan kaq të dhunuar dhe kaq të neglizhuar si emocionalisht, psiqikisht ashtu dhe fizikisht?

Seriozisht, studiuesit, psikologët dhe të gjithë që kanë mundësi ndikimi do të duhet të flasin pa fund për këtë fenomen që (mua të paktën) po na shokon kaq shumë.StrugaLajm

Jemi rritur me idenë se prindërit janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për fëmijët. Në fakt të gjithë ne jemi dëshmitarë për sakrificat e mëdha që ata bëjnë që fëmijët të dali në jetë me dije dhe përgatitje për t’i bërë ballë asaj. Por, a është vërtet kështu? Shifrat e ushtrimit të dhunës dhe mostrajtimit të fëmijëve na tradhtojnë. Diçka këtu duhet të ndryshojë DRAMATIKISHT! Pa diskutim që rol të madh duhet të marrë edhe shteti dhe shërbimet sociale. Por a do ta bëjnë këtë? Maqedonia si shumë vende të tjera të rajonit ka shumë probleme dhe vështirësi, por realisht, nuk duhet shumë, me gjithë vështirësitë, që të rregullohen disa gjëra elementare për fëmijët tanë.

Meqë kemi ministra të rinj, të arsimit dhe kulturës, minimalisht që ata duhet të bëjnë (dhe do të mbahen mend gjatë për sukseset) është të mundësojnë kushte elementare për ndjekjen e edukimit të tyre dhe zhvillimit kulturor.

Ja edhe disa shifra të tjera të raportit përmbledhës nga UNICEF, ja edhe një alarm se si i lëmë fëmijët tanë të hendikepuar për jetë në raport me të tjerët. Maqedonia është një nga vendet që ka numrin më të madh e fëmijëve që nuk shkojnë në kopshte e çerdhe. Pra edukimi parashkollor, që është baza elementare për nxënie të mëtejshme nuk merret në një numër të madh. Duket diçka e thjeshtë? Epo jo. Fëmijët që kanë shkuar në institucione parashkollore, arrijnë rezultate më të mira në shkencë, matematikë apo dhe lexim se të tjerët.

ÇERDHE DHE KOPSHTE TË DETYRUARA!

Nëse edhe kjo e dhënë nuk mjafton të dhënat thonë se fëmijët tanë, janë tejet poshtë me rreth 34 për qind, në krahasim me vendet e zhvilluara që kapin deri mbi 90 për qind në rezultatet e zhvillimit bazik. Me fjalë të tjera fëmijët nga 0 deri në 5 vjeç krijojnë aftësi absorbimi, që nëse nuk u zhvillohen në institucione parashkollore, ata mbesin prapa. Dhe kur them prapa, jo vetëm botës por edhe atyre fëmijëve nga vendet e tyre duke krijuar një boshllëk që vështirë se plotësohet më tej në jetë.

Prandaj, në vend se arsim i mesëm i detyruar, të gjithë fëmijët tanë duhet të kenë çerdhe dhe kopshte të detyruara. Në vend se të flitet bosh për të ardhmen e brezave tanë, duhet minimalisht të krijohen kushte për art e kulturë duke mos lënë asnjë fëmijë pa mundësi zhvillimi të kreativitetit.  Edhe një herë, pasojat janë për jetë, për ata dhe për të gjithë ne.

Do të lë profesionistët, të vazhdojnë ALARMIN me pasojat, por nuk mund ta përmbyll këtë tekst pa komentuar pamjet e skanimit të trurit të një fëmije të rritur pa dhunë, me kujdes dhe me kushte minimale mirëqenieje dhe jetese me ata të fëmijëve të abuzuar dhe pa mundësi zhvillimi. Pamja është se ne rrisim breza me gjysmë kapacitet dhe me pasoja të mëdha emocionale, intelektuale dhe fizike.  Me gjithë këto shifra dhe studime (që në këtë tekst janë aq pak të përmendura dhe sipërfaqësore) realisht shtrohen dilemat: A vërtetë po punojmë të fëmijët tanë?  Përgjigjen që besoj e dimë, duhet të fillojnë ta zbatojnë, si institucionet ashtu dhe ne vetë.

Ejjj, fëmijët janë shumë keq, shumë. Por le të fillojmë me një përqafim, një përqafim më shumë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...