EKSODI
Tokat po na zbrazen! Ka vetëm një tufë oligarkësh që nuk lëvizin nga fronet mbretërore, ata nuk e lënë vendin, padyshim, sepse nuk do mund të komandonin me kaq amatorizëm, dritëshkurtësi, korrupsion sa ç’mumdem të bëjnë në vendin e tyre!
Nga Arben TARAVARI
Një nga fenomenet më të rënda që po i ndodh shoqërisë tonë është “braktisja masive” e cila po shton rrugë e lagje bosh! Shkollat mezi po formojnë klasat e tyre, të cilat sot kanë mesatarisht 15 nxënës më pak se para 40 vjetëve. Ndërkohë që një nga faktorët e shterimit të fëmijëve nëpër banka është ulja e natalitetit, por faktori bazik është shpërngulja e familjeve çdo vit, muaj e ditë. Dikur ishte politika shoviniste që detyroi qindra mijëra shqiptarë të iknin, të lëshonin trojet e tyre!
Po sot?! Cili është shkaktari i këtij Eksodi të papracedentë në historinë e Maqedonisë? Janë mundësitë ligjore për të punuar në Gjermani që duket se është destinacioni më i frekuentuar këto kohë? A duhet të besojmë që djem e vajza, të cilët kanë ende të patharë bojën e stilografit në diplomat e tyre, kanë pasur ëndërr që të shkojnë dhe të punojnë punëtorë krahu në Gjermani?!
A është e besueshme që këta njerëz duan më shumë një krevat që as nuk e dinë ku mund të ndodhet se sa jastëkun e butë të shtëpisë së tyre?! Populli thotë një proverb gati anti-globalist “Guri i rëndë në vend të vet” dhe si gjithnjë pritet që populli në mënyrë aksiomatike të ketë të drejtë, por ja që fatkeqësisht në këtë rast duhet të vëmë në dyshim këtë thënie proverbiale të tij!
A kemi ne mundësi të zhvillohemi në gurë të rëndë në vendin tonë?! A ne jep neve mundësi shteti që të përparojmë gjatë ciklit të jetës, apo na shndërron në guralecë që politikanët njësoj si fëmijët kur luajnë, na hedhin në lum?! Politika në çdo hallkë të jetës duket se ka paralizuar përparimin. Të gjithë përpjekjet për ndryshim bllokohen nga një frymë kinse reformiste por që në fakt rezultatet në praktikë i ka keq e mos më keq!
Çfarë të reje po sjell pinjolli i ri i Qeverisë i cili është fanatik i sistemit të vjetër? Përgjigja nuk do asnjë përsiatje, asnjë filozofi apo psiko-analizë, përgjigja është e provuar me Eksodin më të madh që Maqedonia ka pësuar ndonjëherë dhe që është pikërisht ky i tanishmi!
Nuk kemi nevojë për hamendësime kur Laboratori të jep përgjigje! Rrjedhja e popullit tashmë po ndodh tek të gjitha etnitë. Asnjë shqiptar, maqedonas, turk apo romë nuk e ka zgjedhur këtë shkëputje aspak organike nga vendi ku u lindën, është njësoj si të heqësh foshnjën nga qumështi i nënës, por Qeveria aktuale e ka kthyer shtetin në një njerkë që përzë thjeshtrit!
E frikshme se si asnjë nga qeveria nuk flet për ikjen! E frikshme se si kapardisem përpara ekraneve, ambasadorëve të merakosur me të drejtë dhe flasin si shenjtorë në hall! Duket sikur populli i ka fajet që nuk rri e punon për vendin e tij! Sikur këta “baballarë” të shtetit vriten e priten për popull ama çuditërisht ky i fundit (populli) nuk është mirënjohës e nuk e dinë pse nuk i do! Çfarë të dojë populli?! Të dojë ata njerëz të cilët edhe pse kanë qenë fqinjë me ta, të rritur pak a shumë njësoj, madje edhe më të varfër, sapo kanë hyrë në qeveri janë bërë milionerë?! Çdo votues i shoqërisë civile është i bindur që çdo politikan që vjen në qeveri është hajdut e kriminel! I frikësuar për të ardhmen e fëmijëve populli po i çon t’i rriti jashtë kthetrave të kësaj xhungle ku njerëzit që janë për t’u burgosur, qeverisin me mentalitetin e gllabërueseve! Ndahen më shumë vëllezër, burra me gra, prindër me fëmijë, gjyshër me nipër dhe me mbesa dhe askush nuk flet! Bëjnë teatër të shëmtuar me Integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian!
Çfarë është kjo farsë qeveritare?! A do t’ia dijë një baba që po i ikën biri për Integrimin në NATO?! Këto janë përralla kriminale sepse nuk mund të gënjehet një popull i varfër kaq lig sa po bëni ju! Stacionet e autobusëve dhe aeroportet janë mbushur me prindër e pleq që përcjellin çdo ditë drejt një fati të panjohur fëmijët e tyre, e këta na mbajnë peng me Çështjen e Emrit!
Jam dakord me çdo përpjekje për të shkuar drejt Evropës institucionale, por tash për tash duket se sa vjen dhe mbetemi më shumë në kufijtë e një Evrope gjeografike! Tokat po na zbrazen! Ka vetëm një tufë oligarkësh që nuk lëvizin nga fronet mbretërore, ata nuk e lënë vendin, padyshim, sepse nuk do mund të komandonin me kaq amatorizëm, dritëshkurtësi, korrupsion sa ç’mumdem të bëjnë në vendin e tyre!
Kryeministri i vendit hyri në dyert e qeverisë mbuluar me petkun e reformave, por mbi vend ka rënë vetëm petku i rëndë i Braktisjes…Nuk mund të besohet një qeveri e re kur ajo mban në ekip ata të cilët i akuzoi si hajdutë! Është evidente që oligarkët e BDI-së kanë marrë peng qeverinë dhe kryeministrin! Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi politike që fillon dhe mbaron dyerve të Qeverisë, do ishim me fat po të ishim aq të izoluar, kjo është një fatkeqësi që na kushton me fenomenin dramatik të ikjes! Nuk është hera e parë që ikin shqiptarët, por tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për ta, tani ikin të gjithë!
Largohen me nga një çantë në sup, aty kanë futur të ardhmen e tyre, aty kanë marrë copën e tyre të vendit! Qindra e mijëra çanta të mbushura me nga një copë vend largohen përditë, rrezikojmë të na tretet vendi në Evropë e më larg! Ne që kemi mbetur jetojmë në një ishull që sa vjen dhe i ngushtohet më shumë toka! Fëmijët kanë zënë valën më të madhe të emigrimit, qeveria hesht! A ky është një spastrim strategjik, i planifikuar i qeverisë atëherë që dramën e madhe të eksodit nuk e njeh, nuk e sheh, nuk e ndalon?!
Bëjnë panem et circenses (bukë dhe cirk-lat.) me popullin! Kurset e gjuhës gjermane janë bërë si kërpudhat pas shiut, ka kërkesë të madhe për të mësuar sa më shpejt që te marrin vizat e punës dhe rrugët e botës, kurse qeveria flet për stabilizim, përparim e Zoti e di çfarë komedie tjetër!
Është një gjendje e thellë depresive që po karakterizon popullin. S’ka para, s’ka punë, ka eksod…ka braktisje të Shpresës, më e rënda që mund t’i ndodhë një populli! Por prapë është po populli që mund të ndryshojë këtë gjendje, përndryshe ky vend do ketë vetëm plaka dhe pleq të trishtuar që do vdesin me sytë nga dera për të pritur se mos po ju vijnë fëmijët…
Nuk marr guximin t’ju them: mos ikni! Ju keni të drejtë që zgjidhni të ikni nga ky vend që blihen diploma e vende pune, që të dënojnë pse nuk ke paguar faturën e dritave në ditën e duhur, a nuk të dënojnë as parimisht pse ke vrarë edhe vjedhur! Është e kuptueshme të ikësh nga ky vend që në krye të reformave janë ulur këmbëkryq disa komformistë, për të cilët është Magnus Opus mosdalja nga qeveria! Dalin të këqijtë, vijnë të mirët, Ahmeti është po aty, ky Ahmeti është i mirë apo i keq? E nëse është i mirë pse ka pranuar të rrijë aq gjatë me të këqijtë? Këto pyetje retorike e fatale mbushin kokat e atyre që ikin…dhe shteti indiferent në heshtje fërkon duart dhe ju thotë: Udha e Mbarë!
Po kjo Qeveri?! Nuk po na dëgjon, po na përzë nga shtëpitë tona, po bëjnë miliona euro pasuri ndërkohë që pjesa më e madhe e popullit nuk ka mjaftueshëm për të kaluar muajin… një menu e madhe e dështimesh është ajo që kanë shkruar partitë në pushtet! Më mirë se të na copëtohet zemra me fëmijët që na ikin le të nxjerrim nga puna të paaftët që po na marrin më të shtrenjtët gjë që kemi: fëmijët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)